Reperi dhe producenti i njohur amerikan, Sean “Diddy” Combs, akuzohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj ish-të dashurës së tij, këngëtares Cassandra Ventura, e njohur me emrin artistik Cassie, dhe se e ka kërcënuar ta turpërojë publikisht duke shpërndarë video intime të saj në internet, raporton agjencia “Reuters”.
Këto akuza u bënë publike të mërkurën nga stilisti Deonte Nash, i cili ka punuar për Combsin dhe Venturan nga viti 2008 deri në vitin 2018. Nash ka dëshmuar në seancën gjyqësore kundër Combsit që po zhvillohet në New York. Combs po akuzohet për trafikim seksual dhe vepra të tjera të rënda penale.
“Ai i tha: ‘E ke bërë pis punën. Do t’i publikoj videot e tua në internet’”, ka dëshmuar Nash, duke iu referuar një incidenti të ndodhur në vitin 2013 ose 2014.
Combs, 55 vjeç, është deklaruar i pafajshëm ndaj pesë akuzave, përfshirë trafikim seksual dhe drejtim të një grupi kriminal. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
Javën e kaluar, edhe reperi i njohur Kid Cudi, emri i vërtetë i të cilit është Scott Mescudi, ka dëshmuar në gjykatë duke thënë se makina e tij u dogj në vitin 2012, menjëherë pasi Combs mësoi se ai kishte pasur një lidhje me Cassien.
Prokurorët besojnë se djegia e makinës së Kid Cudi ishte një nga shumë veprimet e dhunshme apo të paligjshme që Combs ose njerëzit përreth tij ndërmorën për të frikësuar e po ashtu për ta mbuluar abuzimin. Ata thonë se Combs i detyronte gratë, përfshirë Cassien, të merrnin pjesë në orgji që zgjasnin disa ditë dhe që përfshinin përdorim droge dhe marrëdhënie me punonjës të seksit, në festat e ashtuquajtura “Freak Offs”.
Vetë Ventura ka dëshmuar për katër ditë me radhë, duke përshkruar në detaje dhunën fizike dhe psikologjike që thotë se ka përjetuar nga Combs.
“I urreja ‘Freak Offs’. Merrja pjesë vetëm sepse e doja dhe sepse kisha frikë nga reagimi i tij nëse nuk e bëja”, ka thënë ajo në gjykatë.
Avokatët e Combsit kanë pranuar se ai ka qenë abuziv në disa marrëdhënie, por thonë se çdo pjesëmarrje në “Freak Offs” ka qenë me pëlqim.