Një ish-asistente e reperit dhe producentit amerikan, Sean “Diddy” Combs, ka dëshmuar në gjykatë në New York në gjyqin ndaj tij. Ajo ka theksuar se është sulmuar seksualisht në mënyrë të përsëritur nga ai gjatë tetë vjetëve sa ka punuar për të, ka raportuar BBC.
Dëshmitarja, e cila u paraqit në gjykatë me pseudonimin “Mia”, me lot në sy ka thënë se jetonte në frikë të shpërthimeve të dhunshme të Combsit, ndërkohë që punonte në afërsi të tij.
“Unë nuk mund t’i thosha ‘jo’ as për një sanduiç. Nuk mund t’i thosha ‘jo’ për asgjë”, ka theksuar ajo.
Sean Combs, 55 vjeç, po përballet me akuza të rënda federale, përfshirë konspiracion për zhvatje, trafikim seksual dhe prostitucion. Ai ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka deklaruar pafajësinë e tij.
Në sallën e gjyqit, Combsi e dëgjoi dëshminë e Mias me duart e kryqëzuara në prehër, pa reaguar.
Mia është dëshmitarja e dytë që e akuzon Combsin për abuzim seksual, pas akuzave të ngritura më herët nga ish-e dashura e tij, këngëtarja Cassie Ventura.
Mia ka treguar se kishte filluar të punonte si asistente personale për Combsin në vitin 2009, kur ishte në të njëzetat. Sipas saj, puna ishte “kaotike” dhe ambienti “toksik”.
“Lartësitë ishin shumë të larta, por poshtërsitë ishin jashtëzakonisht të ulëta”, ka thënë ajo.
Në dëshminë e saj, ajo ka rrëfyer se duhej të ishte gjithmonë “në fushëpamjen e tij” dhe t'i parashikonte “nevojat, dëshirat dhe humorin” e Combsit. Ajo shtoi se shpeshherë qëndronte në shtëpitë e tij, ku nuk i lejohej të mbyllte derën me çelës ose të largohej pa lejen e tij.
Një rast që e përshkroi në sallë ishte kur ai i hodhi një pjatë me shpageta që për pak i ra në kokë. Në një tjetër incident, sipas saj, Combs i hodhi me forcë një kompjuter në kokë kur ajo i tha se lidhja e internetit ende nuk ishte rregulluar.
Mia ka dëshmuar gjithashtu se kishte qenë dëshmitare e dhunës së Combsit ndaj Cassie Venturës.
Gjatë një pushimi në Ishujt Turks dhe Caicos, Cassie kishte hyrë me të bërtitura në dhomën e saj duke thënë se Combs “do të më vrasë”. Dyshja ishin detyruar të largoheshin dhe të fshiheshin në plazh.
“Po mendoja nëse ishte më e frikshme të përballesha me egërsitë natyrore apo të kthehesha tek Puff (Combs)”, ka thënë Mia.
Një tjetër rast sipas ndodhi në vitin 2013 në Los Angeles, kur Combs po i binte derës së Cassiet me grushta.
Mia ka thënë se ai e sulmoi, e përplasi mbi kornizën e krevatit dhe ia shqeu vetullën. Kur u përpoq të ndërhynte, ai e hodhi në mur.
“Thashë me vete: Ai vërtet do ta vrasë”, dëshmoi ajo.
Megjithatë, Mia ka thënë se nuk e raportoi Combsin, sepse besonte se “autoriteti i tij ishte mbi policinë”.
Në lidhje me abuzimet seksuale, Mia ka treguar se e kishte përjetuar për herë të parë në ditëlindjen e 40-të të Combsit në hotelin Plaza në New York. Sipas saj, ai i kishte dhënë dy gota vodka, më pas e kishte puthur dhe ia kishte futur dorën nën fustan.
Në një tjetër rast, ndër vite 2009-2010, ajo tha se ishte zgjuar në një krevat në shtëpinë e tij në Los Angeles, kur ndjeu “peshën” e trupit të tij mbi të dhe se ai e përdhunoi.
“Thjesht u bllokova. Zgjati shumë pak, por më dukej sikur nuk mbaronte kurrë”, ka thënë ajo.
Mia tutje ka deklaruar se përdhunimet dhe sulmet seksuale ndodhnin “herë pas here” gjatë gjithë kohës që punoi për të, por jo gjithmonë i kujtoheshin detajet.
“Thjesht një ndjesi e errët në stomak”, u shpreh ajo.
Kur u pyet pse nuk kishte thënë “jo” apo pse nuk shkoi në polici, Mia tha se “e dija fuqinë e tij. E dija kontrollin që kishte mbi mua dhe nuk doja të humbisja gjithçka për të cilën kisha punuar”.
Ajo tregoi gjithashtu se një tjetër asistente ishte pushuar nga puna për shkak se kishte raportuar dhunën e Combsit ndaj Cassiet. Ajo ka thënë se Combsi e kishte kërcënuar se do të tregonte për lidhjen seksuale me të, për ta turpëruar para Cassiet, e cila ishte mikesha e saj e ngushtë.
“Ishte gjëja më e turpshme që më kishte ndodhur në jetë, dhe u përpoqa ta shtypja dhe të veproja sikur nuk kishte ndodhur”, ka thënë Mia.
Kur prokurorët e pyetën pse po e tregonte këtë histori tani, ajo u përgjigj: “Duhej të thoja të vërtetën, të gjithë të vërtetën, asgjë më pak”.