Avokatët e reperit Sean “Diddy” Combs për herë të dytë kanë kërkuar që gjykimi ndaj tij të shpallet i pavlefshëm.
Reperi 55-vjeçar i cili po gjykohet në New York, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të rënda, përfshirë zhvatje dhe trafikim seksual me forcë.
Avoktët e tij kanë kërkuar sërish që procesi të ndërpritet, duke pretenduar se ka pasur “sjellje të pahijshme nga prokuroria”.
Në një letër që i është dërguar të shtunën (7 qershor 2025) gjykatësit Arun Subramanian dhe që është siguruar nga revista People, avokatët e Combsit pretendojnë se “qeveria ka paraqitur dëshmi që e dinte, ose duhej ta dinte, se ishin të rreme në mënyrë thelbësore, lidhur me pretendimin se z. Combs e kishte mbajtur varur Bryana Bongolan në ballkonin e apartamentit të së dashurës së tij Cassie Ventura, në muajin shtator të vitit 2016”.
Në letër theksohet gjithashtu se në mnëyrë që të shmanget dënimi i padrejtë në këtë rast, Gjykata duhet të shpallë procesin të pavlefshëm.
Avokatët e Combsit kanë shtuar gjithashtu se deklarata e ish-të dashurës së tij, Cassie Ventura, e cila ka dëshmuar se e kishte parë Combsin ta mbante varur Bongolan në ballkon, është “qartësisht e rreme”, pasi mesazhet në telefon kanë treguar se ajo kishte dëgjuar për ngjarjen më vonë.
“Ngjarja, ashtu siç u paraqit, është tronditëse dhe shërben si provë e fortë, të cilën autoritet e kanë përdorur për ta paraqitur z. Combsin si njeri të dhunshëm dhe të rrezikshëm, që ka frikësuar znj. Venturan dhe miqtë e saj”, thuhet në letër.
Avokatët kanë theksuar se prokuroria ka paraqitur edhe fotografi të pretenduara të lëndimeve të Bongolan nga incidenti, që sipas tyre janë shkrepur më 26 shtator të vitit 2016 në Los Angeles, edhe pse “autoritet e kanë ditur prej kohësh” që Combs ndodhej në New York midis datave 24-29 shtator të atij viti.
Gjithashtu, mbrojtja akuzon prokurorinë se ka tentuar në mënyrë të përsëritur t’i ndërpresë gjatë marrjes në pyetje, kur ata po përpiqeshin të “zbulonin dëshminë e rreme”.
“E gjithë kjo ishte thellësisht e papërshtatshme dhe vetëm sa e rëndoi dëmin e shkaktuar nga dëshmia e rreme. Incidenti në ballkon është vetëm një shembull i sjelljes së pahijshme të prokurorisë gjatë këtij gjykimi”, thuhet tutje në letër.
Avokatët e Combsit kishin kërkuar edhe më herët shpalljen e procesit të pavlefshëm në fund të muajit maj, kur prokurorët pyetën Lance Jiminez, një hetues nga Departamenti i zjarrfikësve të Los Angelesit, nëse provat e gjurmëve të gishtërinjve lidhur me shpërthimin e makinës së reperit Kid Cudi ishin shkatërruar dhe kush mund të kishte autorizuar një vendim të tillë.
Mbrojtja ka argumentuar se këto pyetje mund t’i linin jurisë të kuptonte se klienti i tyre mund të kishte paguar para për të dalë nga telashet.
Por gjykatësi e refuzoi këtë kërkesë të parë, duke vendosur se pyetjet nuk kishin ndikuar negativisht në procesin gjyqësor.
Lexo edhe:
Dëshmitarja: Diddy më kërcënoi duke më mbajtur varur në ballkonin e katit të 17-të - KOHA.net
Kid Cudi: Diddy u soll si personazh i keq i Marvelit kur më hodhi në erë makinën - KOHA.net