Showbiz

Kid Cudi: Diddy u soll si personazh i keq i Marvelit kur më hodhi në erë makinën

Kid Cudi duke dalë nga gjykata

Kid Cudi duke dalë nga gjykata

Foto: Associated Press

Reperi Kid Cudi, ka dëshmuar të enjten në gjyqin për trafikim seksual ndaj Sean “Diddy” Combs. Ai ka theksuar se producenti i famshëm i kishte hedhur në erë makinën, sipas tij, vetëm sepse kishte dalë me këngëtaren, Cassie Ventura, ka raportuar The Washington Post.

Scott Mescudi, 41 vjeç, i njohur me emrin artistik Kid Cudi, u paraqit në gjykatë me një veshje të thjeshtë, që përputhej me tonin e tij të qetë gjatë marrjes në pyetje. Gjatë dëshmisë ai e krahasoi Diddyn me ndonjë “personazh shumë të keq të filmave të Marvelit”.

Ky ishte rasti i parë që Cudi fliste publikisht për akuzën e rëndë, që fillimisht u përmend në padinë e vitit 2023, të këngëtares Cassie Ventura ndaj Diddyt. Ajo pretendonte se producenti i kishte hedhur në erë makinën Kid Cudit, ose të paktën kishte kërcënuar ta bënte këtë, pasi kishte zbuluar se ai po dilte me të.

“Makina ime shpërtheu në oborrin tim në janar të vitit 2012. U dëmtua plotësisht nga një koktej molotovi”, ka dëshmuar Cudi.

Ai ka treguar se pas një nate në një hotel me Venturan, pasi ajo kishte ikur nga shtëpia e Diddyt, kishte marrë një telefonatë nga Capricorn Clark, një asistente që punonte për të dhe për Diddyn.

“Ajo ishte në prag të lotëve kur më tha që Diddy dhe dikush tjetër ishin brenda në shtëpinë time”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se kur mbërriti në shtëpi, kamerat e sigurisë nuk tregonin më hyrjen, qeni i tij ishte mbyllur në banjë dhe dhuratat e Krishtlindjes ishin hapur.

“Qeni ishte i tronditur, ndërsa unë nuk e kisha lënë kurrë derën e banjës të mbyllur”, ka thënë Cudi.

Vetë Ventura ka dëshmuar javën e kaluar se Diddy ishte bërë i dhunshëm pasi kishte zbuluar lidhjen e saj me Cudin duke i kontrolluar telefonin gjatë një feste të ashtuquajtur “freak-offi”, festa këto me marrëdhënie seksuale e drogë të organizuara nga Combs.

“Ai u hodh mbi mua me një hapëse vere në dorë”, ka thënë Ventura.

Sipas saj, më pas Diddy e kishte kërcënuar se do të publikonte video intime të saj, përfshirë një gjatë Krishtlindjeve, dhe kishte premtuar se do ta “rrihte atë dhe Cudin”.

“Kur u ktheva në dhomën time të hotelit, gjithçka ishte përmbysur. Dikush kishte urinuar në banjë dhe kishte kryer nevojën në tualet. Ishte neveritëse”, ka thënë Ventura.

Pas shpërthimit të makinës, Cudi tregoi se ishte takuar me Diddyn në Soho House për të sqaruar situatën.

“Ai qëndronte me duart pas shpine, i qetë si një supervillain (personazh shumë i keq) i Marvelit. Më tha se nuk e kuptonte pse do të dilja me Cassien, por që jemi ‘shokë’”, ka thënë Cudi.

Ai ka theskuar se kur e ka pyetur çfarë do të bënin për makinën e shkatërruar, Diddy thjesht e ka parë me shikim të ftohtë dhe i është përgjigjur: “Nuk e di për çfarë po flet”. Sipas Cudit, më vonë Diddy i kishte kërkuar falje.

Avokati i Diddyt, Marc Agnifilo, ka mohuar akuzat për zjarrvënie dhe ka deklaruar se lidhja mes Diddyt dhe Venturas ishte e ndërlikuar nga xhelozia dhe përdorimi i drogës nga të dy.

Nëse shpallet fajtor për akuzat, përfshirë trafikimin seksual dhe konspiracion kriminal, Diddy mund të përballet me burgim të përjetshëm.

Dëshmi të tjera tronditëse u dhanë gjithashtu të enjten. Ish-asistenti i tij, George Kaplan, ka treguar se e kishte parë Combsin duke goditur Venturan me një gotë uiski në avion dhe se ajo kishte shenja në fytyrë. Ai ka shtuar se më parë e shihte Diddyn si “një zot ndër njerëz”, por se kishte dhënë dorëheqje pasi producenti kishte qëlluar me mollë një ish-të dashur tjetër në Miami.

Ndërkohë, grimerja Mylah Morales, ka thënë se kishte parë dëmtimet e Venturas gjatë fundjavës së kur do të mbaheshin çmimet “Grammy” në vitin 2010 dhe se kishte pasur frikë për jetën e saj.

Gjykimi ndaj Combsit do të vazhdojë të martën, kur pritet të dëshmojë Capricorn Clark, asistentja që sipas dëshmisë ishte e pranishme në disa prej episodeve më dramatike.