Showbiz

Diddy akuzohet se mbante një “listë me armiq të famshëm të showbizit”

P.Diddy

P.Diddy

Foto: Associated Press

Ndërsa gjyqi për trafikim seksual vazhdon, reperi Sean “Diddy” Combs përballet me dëshmi gjithnjë e më të rënda

55-vjeçari është akuzuar se ka mbajtur një “listë të armiqve të tij në showbiz”, ndërsa gjyqi për trafikim seksual dhe krim të organizuar vazhdon në New York.

Në seancën e mbajtur të martën, Capricorn Clark, ish-asistente e Combs, dëshmoi në gjykatë duke thënë se ai kishte një listë me emra të njohur të industrisë që i konsideronte armiq, përfshirë Suge Knight dhe Curtis Jackson, i njohur ndryshe si 50 Cent.

Clark ka treguar gjithashtu se kishte dëgjuar Combsin duke folur për 50 Centin dhe armët pas një ngjarjeje në televizionin MTV.

“Ai tha: ‘Nuk më pëlqen kjo vajtje-ardhja. Nuk më pëlqen. Më pëlqejnë armët’”, ka dëshmuar Clark para trupit gjykues, ka raportuar FemaleFirst.

Ndërsa Combs ka mohuar publikisht çdo konflikt me 50 Cent, ky i fundit ka qenë shpeshherë kritik ndaj tij në rrjetet sociale.

“Prit pak, Puffy ka armë?! S’mund ta besoj, nuk ndihem i sigurt”, ka shkruar 50 Cent në Instagram pas dëshmisë së Clark

Postimi ishte shoqëruar me një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI), ku reperi shfaqej në një set filmi.

Kjo është java e tretë e gjyqit dhe deri tani janë dëgjuar shumë dëshmi nga ish-punonjës, artistë dhe bashkëpunëtorë të Combsit.

Scott Mescudi, i njohur si Kid Cudi, dëshmoi se Combsi kishte hyrë me forcë në shtëpinë e tij në Hollywood Hills në vitin 2011, pasi kishte zbuluar se ai ishte në një lidhje me Cassie Ventura. Ish e dashura e Combs, Ventura, e ka filluar rastin pasi ishte e para që ngriti padi kundër mogulit të repit.

Kid Cudi ka shtuar se pak javë më vonë makina e tij u dogj, dhe i tha gjykatës se “ishte qartë një taktikë frikësimi.”

Në gjyq kanë dëshmuar edhe figura të tjera të njohura, si Dawn Richard, 40 vjeçe, ish-anëtare e grupit “Danity Kane”, dhe vetë Ventura, 37 vjeçe, të cilat kanë përshkruar një model sjelljeje të dhunshme dhe kontrolluese nga ana e Diddyt.

Avokatët e Combs mohojnë të gjitha akuzat për trafikim seksual dhe krim të organizuar.

Megjithatë, gjatë seancave janë përmendur edhe emra të tjerë të njohur si Michael B. Jordan, Barack Obama dhe Britney Spears, por asnjëri prej tyre nuk është i akuzuar për ndonjë shkelje.

Gjyqi po zhvillohet në Gjykatën Federale të Qarkut në Manhattan, dhe nëse shpallet fajtor, Combs mund të përballet me burgim të përjetshëm.