Showbiz

Chris Evans ia ofron mundësinë një fansi që ta shoqërojë mbi qilim të kuq

Ylli i filmave të Marvelit, Chris Evans, i ka bashkuar forcat me kompaninë “Omaze” e cila mbledh fondeve dhe bashkëpunon me fondacione bamirëse, për ta krijuar garë e cila ia mundëson një fansi fatlum që ta shoqërojë atë mbi qilim të kuq, në premierën e filmit të tij të ardhshëm “The Gray Man”, një prej projekteve më të kushtueshme të Netflixit deri më tani.

Lajmi u bë i ditur në ueb faqen e kompanisë “Omaze.com” ku shkruhej: “Bëhuni mysafiri VIP i Chris Evansit në premierën e filmit ‘The Gray Man”’.

Pamjet nga gara e hapur në këtë ueb faqe janë ndarë edhe në Instagram, ku aktori shfaqet duke i mbajtur në dorë dy pankarta ku shkruhet: “Dëshiron ta shikosh një film me mua?” dhe “Më shoqëro në qilim të kuq”.

Bëhet e ditur se veprimi i 40-vjeçarit Evans ka për qëllim të mbledhin të holla për organizatën bamirëse “Christopher’s Haven”, e cila ofron strehim të përkohshëm dhe me kosto të ulët për fëmijët e sëmurë me kancer dhe familjet e tyre, ndërsa marrin trajtim larg shtëpive në spitalet e Bostonit.

“Chris Evans dhe kompania Omaze janë bërë bashkë për të mbledhur të holla për organizatën bamirëse ‘Christopher’s Haven’. Ju mund të jeni i ftuari special i Chrisit në premierën e filmit të tij të ri, ‘The Grey Man’”, thuhet në prononcimin e lëshuar për media.

Në filmin “The Gray Man”, Chris Evans luan krahas yjeve të Hollywoodit, Ryan Gosling, Ana de Armas dhe Billy Bob Thornton. Filmi e rrëfen historinë e një ish-agjenti të CIA-s që detyrohet të luftojë për jetën e tij, pasi tradhtohet nga shteti për të cilin kishte sakrifikuar gjithçka.

Netflixi ka vendosur të investojë në maksimum për këtë projekt, i cili është bërë filmi më i shtrenjtë i prodhuar nga kjo platformë deri më tani, ndërsa xhirimet e tij janë zhvilluar në Francë dhe Çeki.

“The Gray Man” do të lansohet ekskluzivisht në Netflix por edhe nëpër kinema, nga 15 korriku i këtij viti.