Aktori i filmit “Mission: Impossible”, Tom Cruise, ishte ftuar të merrte çmimin, “Kennedy Center Honor” i cili nderon individët, kontributet unike artistike të të cilëve kanë ndikuar në botën.
Por ai ka thënë “jo” për shkak të mospërputhjes së datave në agjendën e tij, kanë bërë të ditur për The Washington Post disa punonjës aktualë dhe të mëparshëm të Qendrës Kennedy.
Në vend të aktorit, presidenti Donald Trump ka njoftuar se ceremonia e dhjetorit do të nderojë grupin legjendar të rokut KISS, yllin e skenës Michael Crawford, ikonën e muzikës disko Gloria Gaynor, këngëtarin e muzikës country George Strait dhe aktorin Sylvester Stallone.
Trump e ka bërë publike listën nga “Hall of Nations” në Qendrën Kennedy, ku zbuloi pesë portrete të mbuluara me perde kadifeje, dhe pranoi se edhe vetë kishte dëshiruar prej kohësh një prej këtyre çmimeve.
“Prita, prita dhe prita, dhe thashë: ‘Më në fund, do bëhem kryetar dhe do t’ia jap vetes një nder… Vitin tjetër, do nderojmë Trump, në rregull?’”, u shpreh presidenti me humor.
Ai ka shtuar se ka qenë “shumë i përfshirë” në zgjedhjen e fituesve dhe ka refuzuar disa propozime që nuk i pëlqyen personalisht.
“Do të thosha që isha rreth 98 për qind i përfshirë. Të gjithë kaluan nga unë”, ka thënë presidenti.
Sipas tij, tani ka njerëz të mrekullueshëm dhe ngjarja është shumë më ndryshe se më parë.
Ceremonia e këtij viti, që do të mbahet më 7 dhjetor dhe do të transmetohet në CBS dhe Paramount+, do të ketë një ndryshim të madh, vetë presidenti do të jetë nikoqir i saj.
Ani pse Cruise nuk do ta marrë këtë nder, ai pritet të marrë një tjetër çmim të madh këtë vit.
Në muajin qershor, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit njoftoi se aktori i filmit “Top Gun: Maverick” do të marrë një “Oscar nderi” në “Governors Awards 2025”, më 16 nëntor.
Në të njëjtën mbrëmje do të nderohen edhe aktorja Debbie Allen dhe dizajneri i skenës Wynn Thomas, ndërsa këngëtarja Dolly Parton do të marrë çmimin “Jean Hersholt Humanitarian Award”.
Në muajin shkurt të këtij viti, Trump, kishte emëruar Richard Grenellin, besnikun e tij që ka shërbyer në disa pozita në administratë, që ta udhëheqë Qendrën “Kennedy” për arte skenike, në Washington.
“Jam i lumtur të njoftoj se Ric Grenell do të shërbejë si drejtor ekzekutiv i përkohshëm i Qendrës ‘Kennedy’. Ric ndan vizionin tim për epokë të artë të arteve dhe kulturës amerikane dhe do t’i mbikëqyrë operacionet e përditshme të Qendrës”, pati shkruar Trump në platformën e tij Truth Social.
Ai pati shtuar se s’do të kishte më “drag show” apo propaganda që ai i quajti anti-amerikane.