Aktori i njohur hollywoodian, Chris Pratt, u mirëprit nga adhurues të shumtë në Mexico City, të mbledhur me rastin e premierës së filmit të tij të ri, “Mercy”.
Ngjarja u përcoll me vëmendje të madhe të publikut që kishin ardhur enkas për të takuar ekipin prapa projektit, që pritet të korrë suksese në arkat filmike me t’u lansuar në fund të muajit.
“Jemi shumë mirënjohës që jemi këtu me ju, në Mexico City. Këtu i kemi fansat më të mrekullueshëm. Nuk mund ta besoj sa shumë prej jush kanë ardhur për të na takuar. Jemi të gjithë shumë të bekuar që jemi këtu me ju për të festuar lansimin e filmit ‘Mercy’”, tha ylli i filmave “Jurassic Word”.
Pratt kaloi kohë me fansat duke bërë ‘selfie’ dhe duke nënshkruar autografe.
Regjinë e filmit fantastiko-shkencor “Mercy” e ka bërë, Timur Bekmambetov. Në qendër të tregimit është Detektivi Raven, i portretizuar nga Pratt, një arkitekt i një sistemi digjital ku të akuzuarit për krime të rënda kanë 90 minuta për të provuar pafajësinë e tyre. Tani ai e gjen veten në karrigen e të dyshuarit, teksa përballet me një gjyqtare të Inteligjencës Artificiale (e luajtur nga Rebecca Ferguson), dhe nuk e di se si i erdhi puna deri këtu. Partnerja e tij e punës i ndihmon të rikthehet në gjurmët e tij dhe ta dëshmojë pafajësinë, para se të jetë vonë.
Pjesë e kastës së aktorëve në film janë edhe, Kali Reis, Annabelle Wallis, Chris Sullivan dhe Kylie Rogers.
“Mercy” nisi së shfaquri nëpër kinematë botërore nga 23 janari.