Showbiz

Gjyqi 90 milionë dollarësh - Chris Brown kërkon të mos përmendet Rihanna

Chris Brown dhe Rihanna

Chris Brown dhe Rihanna

Foto: Associated Press

Këngëtari i njohur, Chris Brown, ka kërkuar zyrtarisht nga një gjykatës në Los Angeles që gjatë seancës së ardhshme gjyqësore, ku përballet me një padi që kap vlerën mbi 90 milionë dollarë, të mos përmendet fare ish-partnerja e tij, këngëtarja e mirënjohur, Rihanna dhe as arrestimi i tij i vitit 2009, ka raportuar ekskluzivisht Us Weekly.

Sipas dokumenteve gjyqësore të dorëzuara të premten, më 16 janar, këngëtari 36-vjeçar kërkon që juria të mos dëgjojë asnjë referencë për incidentin e dhunës në familje me Rihannën, i cili çoi në arrestimin e tij më shumë se një dekadë më parë.

Padia aktuale është ngritur nga motrat Patricia dhe Maria Avila, të cilat kishin punuar si mirëmbajtëse në shtëpinë e Brown në Los Angeles.

Në padi, Maria Avila pretendon se më 12 dhjetor 2020 është sulmuar nga një qen i madh me emrin Hades, në pronësi të Brown.

Sipas saj, Brown ishte “më i shqetësuar për largimin e qenit nga prona sesa për gjendjen e saj shëndetësore”, akuza të cilat Brown i ka mohuar.

Maria Avila kërkon mbi 90 milionë dollarë dëmshpërblim, duke pretenduar se ka pësuar lëndime të përhershme dhe shenja të rënda trupore.

Palët nuk kanë arritur marrëveshje dhe pritet që çështja të shkojë në gjyq këtë vit.

Në kërkesën e re, avokati i Brown ka kërkuar që gjykata të ndalojë “çdo përpjekje nga pala paditëse, avokatët e tyre apo dëshmitarët për të përmendur apo prezantuar ndonjë incident të mëparshëm të dhunës në familje që përfshin Brown, sidomos ato që lidhen me ish-të dashurën e tij, Rihanna”.

Ekipi ligjor i këngëtarit argumenton se përmendja e këtij rasti është e papërshtatshme dhe dëmton rëndë procesin gjyqësor.

“Çdo referencë ndaj incidenteve të pretenduara të dhunës në familje, sidomos atyre që kanë ndodhur më shumë se dhjetë vjet më parë dhe nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje, është e parëndësishme dhe paragjykuese”, thuhet në dokumente.

Avokati i Brown shton se “pranimi i një prove të tillë rrezikon të krijojë paragjykim të padrejtë, konfuzion dhe të çojë jurinë në përfundime të gabuara”, duke theksuar se këto prova “duhet të përjashtohen nga gjykimi”.

Në dokumente përfshihet edhe një pjesë nga dëshmia e Brown më 30 prill 2025, ku ai pranon se është dënuar një ose dy herë për vepra penale.

Ai ka shpjeguar se dënimi i parë ishte në vitin 2008 ose 2009, lidhur me rastin e Rihannës, ndërsa për dënimin e dytë thotë se “beson se ka ndodhur më vonë dhe lidhej me një përleshje”.

Brown u arrestua më datën 8 të muajit shkurt në vitin 2009, pasi një debat me Rihannën u përshkallëzua në dhunë fizike brenda një makine.

Ai u deklarua fajtor në muajin qershor të vitit 2009 dhe u dënua me pesë vjet liri me kusht, punë në komunitet dhe këshillim të detyrueshëm.

Në një kërkesë tjetër të veçantë, këngëtari ka kërkuar që gjykata të ndalojë çdo përmendje të “ankesave, hetimeve apo akuzave të mëparshme për dhunë ose sulm” që lidhen me të, duke argumentuar se edhe historia e tij penale është “e parëndësishme për këtë rast”.

Në padinë për sulmin e qenit, Brown mohon çdo përgjegjësi dhe pretendon se Maria Avila e ka provokuar kafshën me sjelljen e saj.

Sipas avokatit të tij, “lëndimet e pretenduara nga Maria janë shkaktuar drejtpërdrejt nga veprimet e saj, pasi ajo e ka ngacmuar ose keqtrajtuar qenin, duke provokuar sulmin”.

Procesi gjyqësor do të vazhdojë.