Mes sukseseve të mëdha muzikore, një baze besnike fansash dhe një historie të gjatë akuzash për dhunë, Chris Brown vazhdon të mbushë stadiume.
Megjithatë rasti i tij ngre një pyetje më të gjerë: si ndahet fama e një artisti nga sjellja dhe e kaluara e tij?
Të shtunën, në skenën e stadiumit AT&T në Teksas, deputetja demokrate Jasmine Crockett iu drejtua turmës gjatë koncertit të Usher dhe Chris Brown, duke deklaruar se publiku - kryesisht njerëz me ngjyrë - po përjetonte kënaqësi të jashtëzakonshme. Më pas, ajo e lidhi drejtpërdrejt atmosferën e mbrëmjes me artistin, duke thënë “Jemi këtu për shkak të Chris Brownit”.
Jashtë stadiumit reagimi ishte shumë më i ashpër.
Strategistja politike Ameshia Cross e kritikoi deklaratën e Crockettit, duke e konsideruar përdorimin e një posti publik për të lavdëruar një artist të akuzuar për dhunë ndaj grave si të papërshtatshëm.
Edhe
Chris Brown në gjykatën e Londrës para gjykimit që pritet të nisë në tetor
Dy imazhe për të njëjtin artist
Debati rreth Chris Brown është i lidhur ngushtë me dy imazhe që bashkëjetojnë prej vitesh.
Për miliona fansa, ai është këngëtari dhe performuesi që u shfaq në skenë që në adoleshencë dhe u shndërrua në një prej emrave më të njohur të R&B-së.
Për kritikët e tij, ai mbetet veçanërisht i lidhur me incidentin e vitit 2009, kur sulmoi të dashurën e atëhershme, këngëtaren Rihanna, pas një feste para ceremonisë Grammy. Brown u deklarua fajtor në këtë çështje dhe u dënua me pesë vite periudhë prove, punë në komunitet dhe këshillim.
Rihanna më vonë tha se e ka falur Brownin. Por historia nuk përfundoi aty.
Gjatë viteve pasuese, Brown është përballur me një sërë akuzash dhe çështjesh të tjera. Në vitin 2013, një grua e akuzoi për sulm në një klub nate, por ndaj tij nuk u ngritën akuza. Në vitin 2016, Baylee Curran pretendoi se Browni e kishte kërcënuar me armë; Brown e mohoi dhe nuk u ngritën akuza.
Në vitin 2017, një gjykatë vendosi një urdhër ndalimi pesëvjeçar në favor të ish-partneres së tij Karrueche Tran, e cila kishte pretenduar se Browni e kishte kërcënuar me dhunë.
Në vitin 2022, një tjetër grua e paditi Brownin, duke e akuzuar për drogim dhe përdhunim në vitin 2020. Avokati i këngëtarit i quajti pretendimet të pafaktuara dhe çështja u pushua nga gjykata për mungesë ndjekjeje.
Edhe vitet e fundit kanë sjellë probleme ligjore. Në lidhje me një incident në një klub nate në Londër në vitin 2023, Brown u deklarua fajtor për veprën penale “frikësim”, pasi prokuroria pretendoi se ai ka goditur një burrë dy herë në kokë me një shishe qelqi.
Në këtë mënyrë, historia e Brownit është bërë një përzierje e një rasti të dokumentuar dhe të pranuar, akuzave të tjera të mohuara prej tij dhe çështjeve që nuk kanë përfunduar me akuza penale.
Fama që nuk u zhduk
Pavarësisht gjithë kësaj, karriera muzikore e Brownit jo vetëm që nuk u shemb, por vazhdoi të zgjerohej.
Vetëm dy vjet pas incidentit me Rihannan, derisa ishte ende në periudhën e provës, Brown publikoi albumin “F.A.M.E.”. Albumi arriti vendin e parë në Billboard 200 dhe i dha atij Grammyn e parë, për albumin më të mirë R&B.
Në dekadën pasuese, ai vazhdoi të publikonte albume, të merrte nominime dhe të bashkëpunonte me emra të rëndësishëm të muzikës, mes tyre Drake, Ciara, H.E.R., Jack Harloë dhe Bryson Tiller.
Baza e tij e fansave është gjithashtu jashtëzakonisht e madhe. Vetëm në Instagram, Brown ndiqet nga më shumë se 100 milionë persona, shumë prej të cilëve identifikohen me emrin “Team Breezy”.
Edhe
Gjyqi 90 milionë dollarësh - Chris Brown kërkon të mos përmendet Rihanna
Turneu i tij “Breezy Bowl XX”, në vitin 2025, ishte ndër turnetë me të ardhurat më të larta të atij viti.
Kjo ngre pyetjen: pse një pjesë kaq e madhe e publikut vazhdon ta mbështesë?
Një brez që u rrit me Chris Brownin
Një pjesë e përgjigjes mund të gjendet në mënyrën se si u ndërtua fama e Brownit.
Ai ishte vetëm 16 vjeç kur kënga “Run It!” u bë hit në vitin 2005. Brenda pak vitesh, ai ishte bërë një figurë e pranishme në televizion, muzikë dhe film.
Për një brez të tërë, veçanërisht për shumë të rinj afro-amerikanë, Brown nuk ishte thjesht këngëtar. Ai ishte pjesë e fëmijërisë dhe adoleshencës së tyre.
Falja, mosbesimi dhe historia e racizmit
Debati bëhet edhe më kompleks kur vendoset në kontekstin e historisë së marrëdhënieve racore në Shtetet e Bashkuara.
Studiuesja Rebecca Wanzo ka argumentuar se historia amerikane përmban raste kur akuzat ndaj burrave me ngjyrë janë përdorur në kontekste raciste, duke përmendur ndër të tjera rastin e Emmett Till.
Ky sfond historik ndikon edhe në mënyrën se si interpretohen akuzat ndaj figurave publike afro-amerikane. Megjithatë, kjo nuk i bën automatikisht të vërteta apo të pavërteta akuzat konkrete ndaj një personi; secila çështje duhet të vlerësohet mbi faktet dhe përfundimet e saj ligjore.
Industria nuk e ka braktisur
Një tjetër arsye pse Brown ka ruajtur pozicionin e tij është fakti se nuk është izoluar nga industria muzikore.
Këngëtarë të njohur kanë vazhduar të bashkëpunojnë me të. Monica e ka cilësuar atë një prej performuesve më të mëdhenj, ndërsa Kelly Rowland e mbrojti publikisht në vitin 2022, kur ai fitoi një çmim American Music Award dhe u përball me reagime negative nga një pjesë e publikut.
A mund të ndahet muzika nga personi?
Edhe
Rihanna, frymëzimi që vazhdon të magjepsë botën
Për një pjesë të publikut, muzika dhe performanca e tij janë të ndara nga jeta personale dhe problemet ligjore. Për të tjerë, konsumimi dhe promovimi i punës së tij përbën një formë normalizimi të sjelljeve për të cilat ai është përballur me pasoja ligjore ose akuza serioze.
Popullariteti i tij mbetet një fakt i vështirë për t'u injoruar: pavarësisht polemikave dhe historisë së tij ligjore, Chris Brown vazhdon të ketë një audiencë masive dhe të jetë pjesë e industrisë muzikore.