Cardi B dhe të famshëm të tjerë kanë reaguar publikisht ndaj sulmit masiv me armë zjarri në Buffalo të New Yorkut, ngjarje kjo e cila ndodhi të shtunën (14 maj).
“Sulmuesit masiv nuk janë të sëmurë mendorë. Ata kanë mentalitet të keq. Mendimet e mia janë me njerëzit në Buffalo dhe gjithë komunitetin e afrikano-amerikanëve. Teoria e zëvendësimit është retorikë e keqe. Nuk ka asgjë më pikëlluese se ta shohësh këtë lloj urrejtje të ushtruar mbi civilët paqësorë, që thjeshtë po e kalojnë një ditë të zakonshme”, shkruhej në postimin e reperes në Twitter.
Mass shooters are not mentally ill.They have a evil mentality.
— Cardi B (@iamcardib) May 15, 2022
Sipas autoriteteve policore, sulmuesi i armatosur, një 18-vjeçar i racës së bardhë i quajtur Payton Gendron, i la të vdekur dhjetë persona dhe tre të tjerë të lënduar nga sulmi në një supermarket. Para se të ndodhte ngjarja, ai e kishte postuar një manifest prej 180 faqesh në internet të mbushur me retorikë raciste dhe duke përkrahur besimet e teorisë së zëvendësimit, një ideologji anti-imigruese që ka bërë rrugën e saj në internet, sidomos pasi u përkrah nga politikanë dhe personalitete të caktuara mediatike.
E bazuar në shkrimet e nacionalistit, Renaud Camus, teoria pretendon se elita globale në fshehtësi po përpiqet ta zëvendësojë sistematikisht popullsinë e bardhë me pakicat etnike, fillimisht në Evropë dhe tani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllimin për ta larguar pushtetin e njerëzve të racës së bardhë, raportoi të martën portali “Billboard”.
Edhe
“Si guxon!”: Hidhërim, zemërim në mesin e familjeve të viktimave
Pas tragjedisë edhe aktorja Bette Midler u shpreh hapur në llogarinë e saj personale në Twitter, duke deklaruar: “Ky vend është turpërues. Liria nuk është t’i posedosh 25 pushkë, por të shkosh në dyqane ushqimore dhe të mos shqetësohesh se ke për t’u vrarë nga dikush”.
Gjatë koncertit të tij në Buffalo të shtunën mbrëma, Justin Bieber foli për këtë tragjedi në skenë dhe prapa skenës. Pop ylli kanadez i postoi në rrjetet sociale disa klipe nga koncerti ku shfaqej duke folur për këtë ngjarje trishtuese, të cilën në një moment e quajti një “veprim racist terrori”.