Showbiz

Cardi B paditet për sulm dhe neglizhencë pasi hodhi mikrofonin në koncert

Cardi B

Cardi B

Foto: Associated Press

Reperja amerikane Cardi B po përballet me padi për sulm fizik dhe neglizhencë, pas një incidenti që ka ndodhur gjatë një performance në Las Vegas në vitin 2023, ku ajo hodhi mikrofonin në drejtim të publikut.

Ngjarja ndodhi më 29 korrik 2023, gjatë një koncerti në Drai’s Beach Club. Sipas padisë së dorëzuar në gjykatën e Nevadas dhe siguruar nga revista PEOPLE, Cardi B, e cila kishte dalë në skenë në kushte të temperaturave të larta, i kishte kërkuar vetë audiencës që ta spërkatnin me ujë.

Në padi thuhet se ajo “bëri gjeste dhe deklarata të përsëritura duke inkurajuar të pranishmit të hidhnin ujë, duke i dhënë kështu miratim të nënkuptuar dhe duke bërë thirrje për spërkatje të lehta nga pijet”.

Gjithashtu, ajo vetë “derdhi ujë mbi trupin e saj dhe reagoi fizikisht ndaj spërkatjeve duke rrahur të pasmet e saj ndërkohë që në trup i binin lëngjet e hedhura nga publiku”.

Gruaja që ka ngritur padinë, e identifikuar si Jane Doe, pretendon se veproi “në përputhje me atmosferën” dhe ashtu si shumë të tjerë në koncert “hodhi sasi të vogëla të pijeve të saj në drejtim të Cardi B-së”.

Por, sipas saj, reagimi i këngëtares ishte i papritur dhe agresiv: ajo “në mënyrë të befasishme dhe të dhunshme” hodhi mikrofonin në drejtim të saj, duke shkaktuar “kontak fizik të pakërkuar dhe ofendues” si dhe lëndim fizik.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Jane Doe pohon se Cardi B “duhej të kishte ditur që mikrofoni, kur hidhet, përbënte një rrezik të parashikueshëm për lëndim fizik” dhe e cilëson veprimin si “të pajustifikuar dhe hakmarrës”. Ajo gjithashtu ka thënë se reperja shkaktoi “dëme emocionale dhe reputacionale”.

“Kam përjetuar stres të madh emocional, tronditje, turpërim dhe lëndime fizike”, ka shtuar ajo.

Padia përfshin tre akuza: sulm fizik, dhunë fizike dhe neglizhencë, ndërsa për neglizhencë është paditur edhe “Drai’s Management Group”, si organizator i ngjarjes.

“Ajo që shumë njerëz e kanë marrë si shaka, për mua ka qenë një përvojë traumatike që ka ndikuar rëndë në mirëqenien dhe cilësinë e jetës sime. Po kërkoj drejtësi me shpresën që Cardi B të mbahet përgjegjëse”, ka thënë paditësja për People.

Avokati i Cardi B-së, Drew Findling, u është përgjigjur akuzave.

“Përdorimi i një çështjeje të mbyllur dy vjet më parë si padi civile ndaj znj. Almanzar është një përpjekje e mjerueshme për të përfituar financiarisht. Policia Metropolitane e Las Vegasit dhe Zyra e Prokurorit të Qarkut e kanë mbyllur këtë rast për mungesë provash që prej kohësh, por mesa duket, disa firma ligjore nuk e kanë rezistuar dot tundimin për të përfituar nga një emër i famshëm”, ka thënë ai në një deklaratë për Entertainment Weekly.