Showbiz

Busti i vjedhur i Jim Morrisonit gjendet rastësisht pas 37 vjetësh

Varri i Jim Morrison

Varri i Jim Morrison

Foto: Associated Press

Një bust përkujtimor i Jim Morrisonit, këngëtarit legjendar të grupit “The Doors”, i cili ishte vjedhur nga varri i tij në Paris para 37 vjetësh, është gjetur rastësisht nga policia franceze, njoftuan autoritetet përmes një postimi në Instagram.

Sipas policisë, busti u gjet gjatë një hetimi mbi korrupsionin financiar në Paris, që nuk kishte lidhje me vjedhjen fillestare. 
“Busti u zbulua krejt rastësisht gjatë një hetimi për mashtrim”, ka thënë një burim pranë çështjes për agjencinë AFP, ka raportuar BBC.

Statuja ishte realizuar nga artisti kroat Mladen Mikulin, në mermer të bardhë, për të përkujtuar 10-vjetorin e vdekjes së Morrisonit, i cili vdiq në Paris më 1971, në moshën 27-vjeçare. Ai u gjet i vdekur në vaskë nga e dashura e tij, Pamela Courson. Mjeku që nënshkroi raportin e vdekjes tha se shkaku ishte dështimi i zemrës i shkaktuar nga konsumimi i tepërt i alkoolit.

Busti u vendos në varrin e Morrisonit në varrezat Père-Lachaise në vitin 1981, por u zhduk pa gjurmë në 1988. Që prej atëherë, varri i tij është kthyer në një vend pelegrinazhi për adhuruesit e muzikës rock. Muret përreth janë mbuluar me grafitë dhe mesazhe, ndërkohë që fansat vazhdojnë të ndezin qirinj e të lënë lule, pavarësisht masave të sigurisë.

“Jemi të lumtur që kjo ‘copëz historie’ është gjetur. Familja gjithmonë e ka dashur bustin në varrin e Jimit, ndaj është një lajm shumë i gëzueshëm që është gjetur”, ka deklaruar për “Rolling Stone”, një nga përfaqësuesit e familjes Morrison.

Ndërkohë, ende nuk është e qartë nëse busti do të kthehet në vendin e tij. Kujdestari i varrezave i tha gazetës “Le Figaro” se “policia nuk i ka kontaktuar ende”.

Një foto e publikuar nga policia franceze tregon bustin me hundën dhe gojën e dëmtuar, ashtu siç kishte qenë edhe para se të zhdukej.

Kjo nuk është hera e parë që varri i Jim Morrison bëhet burim polemikash. Në përvjetorin e 20-të të vdekjes së tij, fansat u përleshën me policinë, duke shkaktuar trazira në varreza.

Jim Morrison, biri i një admirali të Marinës së SHBA-së, lindi në Florida në vitin 1943 dhe formoi grupin “The Doors” në Los Angeles në vitin 1965, bashkë me Ray Manzarek. Emri i grupit u frymëzua nga libri “The Doors of Perception” i autorit Aldous Huxley, që flet për përvojat me droga psikodelike.