Showbiz

Britney Spears shet të drejtat e të gjithë katalogut të saj muzikor për rreth 200 milionë dollarë

Britney Spears

Ylli i popit, Britney Spears, ka shitur të drejtat e të gjithë katalogut të saj muzikor.

Sipas BBC-së, këngëtarja 44-vjeçare ka arritur marrëveshjen më 30 dhjetor me shtëpinë botuese të pavarur “Primary Wave”, për një shumë që thuhet se arrin rreth 200 milionë dollarë (rreth 162.9 milionë euro).

Detajet e plota të shitjes dhe çmimi i saktë nuk janë bërë publike.

Spears njihet për hitet botërore si “…Baby One More Time”, “Oops!... I Did It Again”, “Toxic” dhe “Gimme More”. Katalogu i saj përfshin nëntë studio albume që nga debutimi në vitin 1999.

Ajo është një nga artistet me më së shumti shitje në histori, me mbi 150 milionë disqe të shitura në mbarë botën.

“Primary Wave” nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave të BBC-së për koment, ndërsa përfaqësuesit e Spears refuzuan të komentojnë mbi marrëveshjen.

Në janar të vitit 2024, këngëtarja kishte deklaruar se “nuk do të kthehem më kurrë në industrinë e muzikës”.

Kënga e saj e fundit ishte një duet me këngëtarin Elton John, i publikuar në vitin 2022.

Shtëpia botuese “Primary Wave” ka blerë më herët edhe të drejtat e pasurive artistike të emrave të mëdhenj si Notorious BIG, Prince dhe Whitney Houston. Ajo u themelua 20 vjet më parë nga ekzekutivi i muzikës Lawrence Mestel, pasi bleu 50 për qind të pjesës së Kurt Cobain në katalogun e Nirvanas.

Shitja e katalogut të Spears vjen pas disa vitesh të trazuara për artisten.

Në vitin 2021, ajo i dha fund një kujdestarie ligjore 13-vjeçare, gjatë së cilës financat dhe jeta e saj personale kontrolloheshin nga i ati. Kjo periudhë u bë temë qendrore e debatit publik dhe e lëvizjes #FreeBritney.

Në vitin 2023, ajo publikoi librin autobiografik “The Woman in Me”, ku përshkroi sfidat dhe vuajtjet gjatë kohës së kujdestarisë.

Ndërkohë, ish-bashkëshorti i saj, Kevin Federline, publikoi në fund të vitit 2025 librin e tij me titull “You Thought You Knew”.

Spears i bashkohet një liste të gjatë artistësh të njohur që kanë shitur katalogët e tyre muzikorë vitet e fundit.

Artisti, Bruce Springsteen, ia shiti Sonyt katalogun e tij në vitin 2021 për 500 milionë dollarë, ndërsa Justin Bieber raportohet se nënshkroi një marrëveshje prej 200 milionë dollarësh me Hipgnosis Songs Capital në vitin 2023. Mes emrave të tjerë janë edhe Justin Timberlake dhe Shakira.

Shitja e katalogëve muzikorë është bërë një trend në industrinë e muzikës, pasi artistët sigurojnë fitime të menjëhershme financiare, ndërsa kompanitë investojnë në të drejtat e këngëve që vazhdojnë të gjenerojnë të ardhura nga transmetimet, përdorimet në filma, reklama dhe platforma digjitale.