Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kardashian thotë se burrat hezitojnë të lidhen me të shkaku i Kanyes

Themeluesja e kompanisë “SKIMS”, Kim Kardashian, thotë se cilido mashkull që mendon t’i afrohet, do të ketë frikë nga ish-bashkëshorti i saj, Kanye West.

Këto brenga ajo i ndau me prezantuesen, Angie Martinez, në podcastin e saj të fundit, ku ndër të tjera tha se nuk mendon që ishte e drejtë ta vendoste dikë në pozitën për t’i duruar sulmet dhe ofendimet e reperit të famshëm.

“Një pjesë e imja brengoset për faktin se të gjitha meshkujt që mund të shfaqin interesim për t’u lidhur me mua, do të kenë frikë ta bëjnë këtë ngase e kam një ish-bashkëshort të komplikuar. Nuk mendoj se është e drejtë nga ana ime që ta vendos dikë në një situatë të tillë. Por, gjithashtu mendoj se nuk është e drejtë të jem e detyruar të jetojë në këtë mënyrë”.

Nëna e katër fëmijëve, North, Saint, Chicago dhe Psalm, u shfaq jashtëzakonisht e prekur dhe emocionale në këtë intervistë, derisa në një moment edhe shpërtheu në lot, kur filloi të tregojë se sa e vështirë është ta ndajë kujdestarinë e fëmijëve me Westin.

Sidoqoftë, ajo është e bindur se një ditë do ta gjejë partnerin e përhershëm.

Edhe Kim Kardashian ka qenë shumë afër të “shpërthente” për sjelljen e Kanye Westit Showbiz Kim Kardashian ka qenë shumë afër të “shpërthente” për sjelljen e Kanye Westit

“Në këtë periudhë është shumë vështirë të lidhem me dikë. Nuk e di nëse do të martohem sërish, por jam e sigurt se do ta kem në krah partnerin e përhershëm. E di këtë gjë. Ai gjithsesi do të vijë në jetën time. Deri të ndodhë kjo, jam në paqe me veten dhe do të argëtohem në maksimum”.

42-vjeçarja e finalizoi shkurorëzimin nga reperi në fund të muajit nëntor, pas shtatë vjetësh martesë. Pas ndarjes nga Westi, Kardashian ishte në lidhje disa muajshe me aktorin dhe komedianin, Pete Davidson, i cili u shndërrua në shënjestër e kërcënimeve, fyerjeve dhe abuzimeve online nga Ye.

“Shkurorëzimi ishte një proces mjaft i vështirë për fëmijët tanë, dhe obsesioni i Kanyes për ta kontrolluar dhe manipuluar situatën tonë në mënyrë kaq negative dhe publike, vetëm sa po na e shton dhimbjen të gjithëve”, deklaroi ndër të tjera Kimi.

Ye, në këta muajt e fundit është ballafaquar me disa probleme dhe kritika të ashpra, si dhe disa kompani të mëdha e kanë shkëputur bashkëpunimin me të, përfshirë këtu markat “Adidas”, “Gap” dhe “Balenciaga”. E gjitha për shkak të deklaratave ofenduese dhe antisemitike, të cilat e kanë dëmtuar goxha shumë imazhin e tij publik.

Ish-çifti, Kim dhe Kanye, e filloi lidhjen në vitin 2012 dhe një vit më vonë e sollën në jetë fëmijën e parë. Pak muaj pasi e filluan romancën, reperi i propozoi martesë yllit televiziv në një formë spektakolare e cila u transmetua edhe në emisionin, “Keeping Up With the Kardashians”. Ata u martuan në maj të vitit 2014 me ceremoni glamuroze dhe elegante në një kështjellë në Firence të Italisë.

Edhe Kim Kardashian tregon pse është ndarë nga Kanye West Showbiz Kim Kardashian tregon pse është ndarë nga Kanye West

Në marrëveshjen finalë të shkurorëzimit janë përcaktuar kushtet e ndarjes së pronave mes dyshes së famshme, si dhe kujdestarisë së përbashkët të fëmijëve.

Kim dhe Ye, janë pajtuar që ta konsultojnë njëri-tjetrin për vendimet e mëdha rreth mirëqenies së fëmijëve, si dhe të gjitha harxhimet për sigurinë e tyre, shkollën dhe kolegjin, do të ndahen në formë të barabartë.