Ylli televiziv, Kim Kardashian, ka thënë se arsyeja pse u nda nga reperi, Kanye West, ishte për të “shpëtuar” veten dhe për të qenë nëna më e mirë e mundshme për fëmijët e saj.
Ylli i reality showt “The Kardashians” i dha fund martesës me reperin në vitin 2021, pas gati shtatë vjetësh.
Ajo ka thënë se fillimisht ka dashur të ishte “shumë mbështetëse” ndaj problemeve të shëndetit mendor të ish-bashkëshortit të saj, por në fund e ka kuptuar se marrëdhënia e tyre ishte bërë “toksike”.
“Njerëzit mund të thonë se kishte shenja, dhe ndoshta unë nuk po u kushtoja vëmendje. Kur dikush përjeton krizën e parë mendore, ti dëshiron ta mbështetësh, ta ndihmosh, të jesh pranë tyre dhe të përpiqesh ta kuptosh situatën”, ka thënë Kardashian në podcasin Call Her Daddy, ka raportuar FemaleFirst.
Sipas saj, problemi ishte se West nuk ishte i gatshëm të bënte ndryshimet që do të ishin të shëndetshme dhe të dobishme.
“Kjo e bën shumë të vështirë të vazhdosh një marrëdhënie që mund të jetë toksike. Kur ke fëmijë, është më e vështirë të largohesh sesa të qëndrosh. Por kur shëndeti im mendor fillon të ndikohet dhe unë nuk mund të jem prind i pranishëm dhe i përqendruar, duhet që dikush nga ne të shpëtojë. Unë duhej të shpëtoja veten për të qenë një nënë më e mirë për të gjithë. Mendoj se kur fëmijët të rriten, do ta kuptojnë”, ka thënë ajo.
Themeluesja e brendit “Skims”, 44 vjeçe, ka treguar se gjatë martesës kishte filluar të mos ndihej më e sigurt për shkak të sjelljes së paparashikueshme të Westit dhe kritikave publike që ai bënte ndaj familjes së saj.
“Thjesht ndihesha e pasigurt, jo domosdoshmërisht fizikisht, por emocionalisht apo edhe financiarisht. Për shembull, vija në shtëpi dhe kishim pesë Lamborghini, dhe kur ai ishte në një prej episodeve të tij, ato zhdukeshin të gjitha. Ai ua dhuronte shokëve të tij. Nuk e dija se çfarë më priste çdo mëngjes kur zgjohesha, dhe kjo ishte një ndjenjë shumë e pasigurt”, ka thënë ylli.
Megjithatë, Kardashian nuk e sheh martesën e saj me reperin si dështim.
“Një marrëdhënie që zgjati mbi një dekadë dhe që solli në jetë katër fëmijë të mrekullueshëm nuk është dështim”, ka theksuar ajo.
Kardashian dhe West kanë katër fëmijë: North 12 vjeçe, Saint 9 vjeç, Chicago 7 vjeçe dhe Psalm 6 vjeç. Ajo zbuloi se kanë kaluar “disa muaj” që fëmijët nuk e kanë parë të atin.
“Sa herë që ai telefonon për t’i parë, e bëjmë të mundur, por kanë kaluar disa muaj që nuk kemi dëgjuar prej tij”, ka thënë ajo.
Sipas Kardashian, fëmijët janë mësuar me mungesën e babait të tyre.
“Ata e dinë që ai gjithmonë ka pasur jetë të mbushur me udhëtime, koncerte dhe vende të ndryshme ku ka jetuar. E menaxhojmë mirë. Ata e duan rutinën e tyre dhe janë të lumtur e të shëndetshëm. Nuk është e lehtë, por ky është realiteti i bashkëprindërimit”, ka thënë ajo.