Ylli televiziv, Kim Kardashian, ka pësuar aneurizëm në tru.
Lajmin e ka bërë të ditur gjatë një episodi të reality showt, “The Kardashians”, ku ka thënë se kjo ka ardhur si pasojë e stresit të madh, ka raportuar The New York Times.
Në trailerin e episodit ajo shihet duke ju nënshtruar një incizimi të trurit (MRI), ku pastaj mjeku i tregon se ka një aneurizëm të vogël, gjë që shkaktohet nga ënjtja e një arterie në tru, pasi muret e saj dobësohen.
Në trailer, shihet Kim duke treguar për kohën e vështirë që ka kaluar kur ishte e martuar me ish-burrin e saj, reperin, Kanye West, i cili është baba i katër fëmijëve të saj.
“Jam e lumtur që ka përfunduar. Ish-burri im do të jetë prezent në jetën time përgjithmonë pavarësisht gjithçkaje. Kemi katër fëmijë bashkë”, dëgjohet të thotë 45 vjeçja.
Në episodin e parë të sezonit të shtatë të reality showt, ndërkohë që po fliste për marrëdhënien e divorcin me West, ajo ka treguar se ndihej e testuar nga ai, gjë që sipas saj, ka përkeqësuar gjendjen e sëmundjes së saj të lëkurës, psoriazën.
“Nuk kam pasur përkeqësim të psoriazës që kur jam divorcuar dhe tash ka filluar të më shfaqet sërish. Jam ndier më e stresuar, ndoshta pasi më është dashur që të mbroj, shumë e më shumë atë që më është dashur të mbroj”, ka thënë Kim.
Çifti është divorcuar në vitin 2021.
Kim është pyetur se “çka i shkon nëpër mendje” kur West bën sjellje të pahijshme, ndërkohë që ajo shpjegon se është e vendosur “t'i mbrojë fëmijët” sa më shumë që të jetë e mundur.
“Fëmijë e mi të gjorë. Secili përreth mund ta përballojë, por, duhet t’i mbroj. Sigurisht do ta shohin se si është situata. Do të rriten, do të shohin. Pra detyra ime si nënë është të sigurohem që të jenë të mbrojtur, kur sjelljet e këqija janë duke ndodhur”, ka thënë themeluesja e brendit “Skims”.
Tutje ajo ka shpjeguar se i është dashur gjithashtu ta mbrojë reperin, gjatë marrëdhënies së tyre, për shkak të problemeve që ai ka me personalitetin bipolar. Tani ka thënë se ka arritur të mos ndiej më përgjegjësi për të.
“Gjithmonë jam ndier sikur kam sindromën e Stokholmit më Kanyen. Gjithmonë jam ndier shumë keq e gjithnjë sikur po më mbronte, kam dashur shumë ta ndihmoj”, ka thënë ajo.
Sindroma e Stokholmit është një teori, sipas së cilës, pengjet apo viktimat zhvillojnë ndjenja afërsie për rrëmbyesin, duke menduar se ai po i mbron.