Komediani i njohur, Norm MacDonald, ka vdekur në moshën 61-vjeçare, nëntë vjet pasi u diagnosikua me sëmundjen e kancerit. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët dhe zëdhënësit e tij.
Ylli kanadez i komedisë u lind në vitin 1959 në Quebec dhe karrierën e filloi në klubet kanadeze, para se të zhvendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta ndjekur karrierën si skenarist i emisioneve komike televizive.
Ai ka punuar për programin e njohur “Roseanne” para se t’i bashkohej emisionit “Saturday Night Live”, për ta prezantuar skeçin e parodisë së lajmeve “Weekend Update”.
I shquar për performancën unike në ekran, MacDonald kishte adhurues të shumtë në Amerikë dhe anembanë botës.
“Ai mburrej më së shumti për karrierën e tij si komedian. Norm asnjëherë nuk ka dashur që diagnoza e tij të ndikojë në mënyrën se si publiku apo njerëzit e tij të dashur e shohin atë. Ai ishte një komedian i vërtetë dhe do të na mungojë shumë”, kishte shkruar bashkëpunëtorja e tij e kamotshme, Lori Jo Hoekstra, në një prononcim për media.
MacDonald njihej edhe për rolet e tij në filma të tillë si “Dirty Work”, “Billy Madison” dhe “Dr Doolittle”. Sipas portalit “Deadline”, ai pritej të merrte pjesë në festivalin e komedisë në New York, në nëntor të këtij viti.
MacDonald shquhej për stilin e veçantë të interpretimit si dhe imitimin e shkëlqyer të yjeve të njohur të hollywoodit, si Burt Reynolds, Clint Eastwood dhe Quentin Tarantino.
Pas largimit nga emisioni “Saturday Night Live” ai nga viti 1999 deri më 2001, luajti në serialin e tij komik të titulluar “Norm”. ndërkaq në vitin 2018, MacDonald e prezantoi shoun e platformës Netflix të quajtur “Norm Macdonald Has a Show”.
Yjet të shumtë të showbizit e sidomos të skenës së komedisë, i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të postuar mesazhe ngushëlluese për humbjen e një komediani të talentuar.