Aktori dhe komediani amerikan Martin Mull ka vdekur në moshën 81-vjeçare në Los Angeles, shkruan BBC të shtunën.
Lajmin për vdekjen e Mullit e konfirmoi vajza e tij Maggie Mull, e cila deklaroi se babai i saj vdiq në shtëpi të enjten pas një beteje të guximshme dhe të gjatë kundër një sëmundjeje të rëndë.
“Ai ishte i njohur për shkëlqimin në çdo disiplinë krijuese që mund të imagjinohet. Ishte vërtet person i jashtëzakonshëm për shumë njerëz”, ka thënë Maggie Mull, e cila është shkrimtare dhe artiste e njohur e librave komik.
Falë aktrimit dhe komedisë, Martin Mull u bë i njohur në vitet 1970 dhe më vonë ishte një nga yjet e serisë “Roseanne” dhe “Arrested Development”.
Ai ishte gjithashtu kitarist dhe piktor, dhe fitoi famë kombëtare me rolin në telenovelën satirike “Mary Hartman”.
Mull lindi në Çikago, u rrit në Ohio studioi art në Romë. Ai kombinoi muzikën dhe komedinë në klubet e modës të Hollivudit në vitet 1970. Ai do të mbahet mend edhe për rolet e tij në filmat “Mr Mom” dhe “Clue”.