Showbiz

Vdiq ylli i serialit “Dawson’s Creek”, James Van Der Beek

James Van Der Beek

James Van Der Beek

Foto: Associated Press

James Van Der Beek, aktori që u bë i famshëm si adoleshenti romantik në serialin “Dawson’s Creek”, ka vdekur në moshën 48-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Instagram. Në muajin nëntor të vitit 2024, ai kishte zbuluar se vuante nga kanceri kolorektal, ka raportuar The New York Times.

Van Der Beek u bë i njohur në vitin 1998, kur në moshën 15-vjeçare mori rolin e Dawson Leeryt, një nxënës gjimnazi, i cili përballej me dashurinë dhe zhgënjimet e para. Personazhi i tij ishte një i ri ëndërrimtar, që dëshironte të bëhej regjisor, por shpesh ishte tepër emocional dhe i përfshirë në botën e tij.

Traileri i serilait “Dawson’s Creek”:

“Dawson’s Creek” u bë një fenomen televiziv dhe ndihmoi rrjetin WB të fitonte popullaritet të madh, sidomos te adoleshentët. Seriali zgjati gjashtë sezone. Në fund, personazhi i Dawsonit ishte bërë një producent i suksesshëm televiziv, një rast ku arti imitonte jetën.

Vetë Van Der Beek ishte vetëm 26 vjeç kur seriali përfundoi.

 “Mos u çudit nëse gjashtë vjet pune reduktohen në një GIF tresekondësh ku ti po qan,” duke shtuar: “Në fund të fundit, është në rregull”, pati thënë ai me humor në vitin 2023 duke reflektuar mbi famën e hershme.

James David Van Der Beek lindi më 8 mars 1977 në Connecticut. Që në moshë të re u mor me teatër dhe në moshën 15-vjeçare kërkoi nga nëna e tij ta çonte në New York për të gjetur një agjent. Debutoi në teatër me vlerësime pozitive, ndërsa në film u shfaq për herë të parë në vitin 1995.

Gjatë dhe pas suksesit të “Dawson’s Creek”, ai luajti në filma dhe seriale të shumta, përfshirë “Varsity Blues”, “The Rules of Attraction”, “CSI: Cyber” dhe “Pose”.

Në serialin “Don’t Trust the B___ in Apartment 23”, ai luajti një version ironik të vetes, duke bërë humor me famën e tij nga “Dawson’s Creek”.

Paraqitja e tij e fundit në ekran ishte në filmin “Sidelined 2: Intercepted” (2025). Në shtator të vitit të kaluar, aktorët e “Dawson’s Creek” u ribashkuan në teatrin e Broadwayt për një mbrëmje bamirësie në mbështetje të tij, për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin. Ai nuk mundi të merrte pjesë për shkak të sëmundjes, por u shfaq përmes një mesazhi me video.

“Kam mësuar që herët të hyj plotësisht i hapur dhe të zhytem me të dyja këmbët. Në fund, gjithçka që bën i përket publikut”, ka thënë Van Der Beek për profesionin e tij në një intervistë të vitit 2013.

Ai ka lënë pas bashkëshorten Kimberly dhe gjashtë fëmijët e tyre.