Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, të enjten është dhënë fjala përfundimtare e Prokurorisë, e cila ka kërkuar dënim me burgim për të gjithë të akuzuarit. Ndërsa, lirimin e klientëve të tyre e ka kërkuar mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Smakajt. Deklaratat përfundimtare do të vazhdojnë edhe të premten dhe të hënën
Zyra e prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për ish-presidentin, Hashim Thaçi, në rastin ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Për të bashkakuzuarit e tjerë është kërkuar dënim më i vogël: nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Fadil Fazliun, kurse nëntë muaj për Hajredin Kuçin.
“Bazuar në të gjitha provat dhe faktet, Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm. Në këtë rast, Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar: për z. Kuçin 9 muaj burg, për z. Fazliun 3 vjet burg, për z. Kilajn 3 vjet burg, për z. Smakajn 3 vjet burg dhe për z. Thaçin gjashtë vjet burgim që do vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të jepet në çështjen 6, nëse do të jepet”, ka thënë prokurori Joushua Hafetz.
Sipas tij, mbrojtja e të akuzuarve ka tentuar ta zhvlerësojë në tërësi incizimin.
“Provat janë të rënda. Pas trajtimit të çështjeve personale dhe çështjeve politike me zë të rregullt, Thaçi pëshpërit për një kohë të gjatë udhëzime të hollësishme se si dëshmitarëve të ndryshëm në çështjen 06 duhet të iu thuhet se si duhet të dëshmojnë”, ka thënë Hafetz.
Sipas Prokurorisë, veprimet e Thaçit për të ndikuar në dëshmitarë për rastin kryesor ku ai bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit, dëshmohen nga 28 incizime prej nëntë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë gjatë një periudhe katërmujore.
“Kjo është një çështje gjyqësore sa e thjeshtë po aq e komplikuar. Nga një anë kemi çështjen për një person që po përballët me akuza të rënda që ka mundësi për t’u dënuar për një kohë të gjatë. Bashkë me punëtorë të tij u përpoq ta pengonte këtë proces, duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orë incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, ka thënë Kimberly West, kryeprokurore e specializuar. “Të përballësh me akuza që përfshijnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe duke qenë në paraburgim pjesërisht për shkak të rrezikut të pengimit, Hashim Thaçi udhëzoi bashkë të akuzuarit, shokët e devotshëm, idealistët e patundur dhe ish-vartësit që të shënjestronin dëshmitarë, dëshmia e të cilëve, sipas tij, ishte përfundimtare për përfundimin e kësaj çështjeje gjyqësore për krime lufte”.
Sipas West, në një mënyrë ose tjetër, dëshmitarët duhet të kuptonin direktivën e Thaçit, e cila ishte “mos shkaktoni asnjë dëm atje.
“Dëmi në thonjëza ishte dëshmia që mund të implikonte Thaçin në vepra penale dhe atje në thonjëza nënkuptonte këtë Gjykatë”. “Thaçi udhëzoi bashkë të akuzuarit se si dëshmitarët duhet të thjeshtonin ndryshimet e nevojshme në deklaratat e mëparshme, në mënyrë që të përshtateshin me narrativen e pëlqyer nga z. Thaçi. Për shembull, që dëshmitari të thoshte se deklarata ka pasur probleme përkthimi ose që ka qenë i lodhur dhe i ka ngatërruar gjërat, a po që kanë qenë thjesht thashetheme”, ka thënë ajo.
E ndryshe nga Prokuroria, mbrojtja e Thaçit gjatë fjalës përfundimtare, ka kërkuar lirimin e tij duke argumentuar se provat e Prokurorisë nuk janë ligjore dhe faktike.
“Prokuroria iu kërkon juve që të dërgoni në burg z. Thaçin për 6 vjet për biseda që janë bërë në qendrën e paraburgimit, të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale. Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime edhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, ka thënë Sophie Menegon, avokate e Hashim Thaçit.
Sipas saj, dëshmitarët që janë përmendur në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve kanë pohuar se nuk janë ndikuar nga askush.
“Dëshmitarët e përmendur në aktakuzë siç është Mustafa, Bislim Zyrapi apo dëshmitari 4, kur janë marrë në pyetje nga ZPS-ja, kanë pohuar se nuk ka ndërhyrë askush tek ata. Edhe në qoftë se një pjesë e informacionit pretendohet se është përmendur nga Thaçi gjatë vizitave, ishte i klasifikuar si konfidencial në çështjen 6 në praktik, pjesa më e madhe e tij ishte në fushën publike apo që njihej nga vizitorët e Thaçit”, ka thënë Menegon.
Rrjedhimisht, Menegon ka thënë se në praktikë nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje.
Mbrojtësja ligjore e Thaçit ka thënë se nuk ka asnjë provë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“ZPS-ja pretendon se janë dëmtuar provat. Mirëpo, meqë nuk kanë prova për një gjë të tillë, ZPS-ja pretendon dhe jep një imazh të pavërtetë të ndërhyrjes së dëshmitarëve me forcë. Pra, është e qartë që ZPS-ja ka shtrembëruar kuptimin e nenit 401, i cili nuk ka lidhje fare me pretendimet që ka ngritur ZPS-ja në këtë çështje gjyqësore apo me interesat që ZPS-ja po pretendon se po mbron”, ka thënë ajo.
Po ashtu ka kërkuar që në rast që vendoset që Thaçi të dënohet, ai nuk duhet të jetë më i gjatë se koha që e ka kaluar në paraburgim për këtë rast.
Lirimin e klientit të tij e ka kërkuar edhe avokati i Bashkim Smakajt, Jonathan Elystan Rees.
“Prokuroria ka dështuar që të vërtetojë standardin penal të provës lidhur me këto çështje se z. Smakaj ka marrë pjesë në këto pjesë të bisedës që pretendohet se janë incizuar më 9 shtator 2023 dhe 7 tetor 2023, për të cilat Prokuroria pretendon se përbëjnë vepër penale dhe rrjedh nga kjo, sipas parashtrimit tonë, z. Smakaj duhet të lirohet nga të dyja akuzat”, ka thënë ai.
Mbrojtja e të akuzuarve pritet që të paraqesë fjalën përfundimtare edhe të premten e do të mbyllet të hënën.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kanë ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Thaçi në këtë proces gjyqësor përballet me tri akuza: për tentim, për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Ish-presidenti së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, janë në pritje të vendimit për rastin kryesor, që do të shpallet më 16 shtator.
Reagimi i OVL të UÇK-së: Narrativë e paracaktuar e ZPS-së
Pas kërkesës së Prokurorisë për dënim ndaj Thaçit dhe të tjerëve në rastin e pengimit të drejtësisë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thënë të jetë e shqetësuar lidhur me këtë. Përmes një reagimi, OVL e UÇK-së i ka cilësuar këto kërkesa si jo të befasishme, duke akuzuar Prokurorinë e Specializuar për qasje të njëanshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Sipas OVL-së së UÇK-së, akuzat janë ngritur mbi materiale që ajo i konsideron të kontestueshme, përfshirë edhe materiale nga Serbia. OVL e UÇK-së ka kritikuar gjithashtu Prokurorinë për, siç thuhet, mosreflektim mbi dobësitë dhe kontradiktat e provave të paraqitura në proceset e saj, duke vlerësuar se kërkesat për dënime të rënda me burgim nuk e forcojnë besimin në drejtësi.
Organizata ka thënë se ekziston shqetësimi se ZPS-ja ka ndërtuar një “narrativë të paracaktuar” ndaj UÇK-së dhe njerëzve që i shërbyen asaj.