Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjyqi tjetër ndaj Thaçit më 17 nëntor

thaci

Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i është caktuar shpallja e aktgjykimit për veprën “pengim i drejtësisë”, më 17 nëntor.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, seanca do të fillojë në orën 10:00 dhe kërkohet të jenë të pranishëm fizikisht në seancë Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Falziu dhe Hajredin Kuçi.

“Sipas nenit 43(2) të Ligjit, aktgjykimet shpallen në seancë publike dhe shoqërohen me një arsyetim me shkrim. Rregulla 159 kërkon që ato të shpallen në emër të popullit të Kosovës, brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga mbyllja e çështjes gjyqësore dhe në praninë e të akuzuarve, përveç rasteve kur rrethana të jashtëzakonshme e arsyetojnë mungesën e tyre. Për këto arsye, Gjykatësi i Vetëm i Trupit Gjykues: CAKTON shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit për të martën, më 17 nëntor 2026, në orën 10:00, në seancë publike; dhe URDHËRON zotërinjtë Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi që të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit”, thuhet në njoftim.

Zyra e prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për ish-presidentin, Hashim Thaçi, në rastin ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Për të bashkakuzuarit e tjerë është kërkuar dënim më i vogël: nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Fadil Fazliun, kurse nëntë muaj për Hajredin Kuçin.

Sipas Prokurorisë, veprimet e Thaçit për të ndikuar në dëshmitarë për rastin kryesor ku ai bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin akuzoheshin për krime lufte e krime kundër njerëzimit, dëshmohen nga 28 incizime prej nëntë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë gjatë një periudhe katërmujore.