Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bajraktari: Edhe nëse lirohet në rastin kryesor, Thaçi përballet me aktakuzën e dytë

Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se edhe nëse trupi gjykues do të shpallte aktgjykim lirues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së më 16 shtator, çështja e ish-presidentit Hashim Thaçi nuk do të përfundonte domosdoshmërisht aty. Ai është i vetmi nga të akuzuarit në procesin kryesor që përballet edhe me një aktakuzë tjetër, lidhur me pretendimet për pengim të drejtësisë, proces i cili është ngritur në vitin 2024.

Bajraktari ka thënë se në procesin kryesor, sipas vlerësimit të tij, prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë elementet thelbësore të veprave për të cilat akuzohet Thaçi.

“Në asnjë formë nuk është arritur të argumentohet se ndaj kujt është ushtruar aktiviteti apo veprimet që e bëjnë figurën e kësaj vepre penale për çka akuzohet z. Thaçi dhe, për më tepër, nuk është arritur të argumentohet se cila ka qenë pasoja e veprimeve eventuale të kësaj natyre në procedurën penale... sa i përket çështjes së z. Thaçi, e gjitha varet në raport me procesin tjetër, sepse i njëjti është i vetmi në aktakuzën që lidhet me pengimin e drejtësisë. Pra, i vetmi është që gjendet në paraburgim krahas masës së paraburgimit për procesin e madh ”, ka thënë ai.

Bajraktari vlerëson se trupi gjykues tashmë përballet me një moment vendimtar në vlerësimin e provave. Sipas tij, një pjesë e provave duhej të ishin shpallur të papranueshme, veçanërisht ato që, siç pretendon ai, burojnë nga regjimi serb.

“Trupi gjykues i ka dy alternativa në raport me vlerësimin e provave. Një pjesë të madhe të provave që apriori do të duhej të shpalleshin të papranueshme, të cilat janë të pranuara nga regjimi gjenocidal serb e që në bindjen time trupi gjykues nuk do të duhej t’ua falte besimin atyre”, shprehet avokati.

Në rast të një aktgjykimi të formës së prerë pafajësie, Bajraktari thotë se të akuzuarit mund të kërkojnë kompensim për periudhën e kaluar në paraburgim dhe pasojat e tjera të procesit. Sipas tij, përgjegjësia financiare në këtë rast i takon shtetit të Kosovës, bazuar në kuadrin ligjor të miratuar bashkë me themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Është barrë e institucioneve, përkatësisht e shtetit t’i kompensojë për të gjitha ato që i kanë përjetuar sa i përket kufizimit të lirisë së lëvizjes”, ka deklaruar ai.