Reperja e njohur amerikane, Cardi B, i ka dorëzuar në gjykatë dokumentet për shkurorëzim nga bashkëshorti, Offset, pas tri vjetëve martesë.
Ylli i hitit “WAP” e cila shquhet për këngët të cilat e festojnë seksin, paratë dhe fuqizimin e gruas, si dhe për tekstet provokative të këngëve, i ka dorëzuar dokumentet e shkurorëzimit në Gjykatën Supreme të Qarkut Fulton në shtetin e Georgias dhe seanca e parë dëgjimore rreth rastit është caktuar për datën 4 nëntor.
Zëdhënësit e artistëve nuk kanë pranuar ende të komentojnë rreth kësaj çështje, transmeton Koha.
Cardi B, emri i vërtetë i së cilës është Belcalis Marlenis Almánzar dhe muzikanti i grupit “Migos”, Offset, emri i vërtetë i së cilit është Kiari Kendrell Cephus, u martuan në fshehtësi në vitin 2017. Një vit më vonë ata u bënë prindër të një vajzë të quajtur Kulture. Por, nga fillimi lidhja e tyre ka qenë jo stabile, e shoqëruar me ndarje të shkurtra dhe thashetheme për tradhti të mundshme nga reperi Offset. Në vitin 2018, Cardi B tha se çifti kishte vendosur të ndahet por vetëm pas disa javësh ata përfunduan duke u bashkuar sërish.
Reperja dhe këngëtarja e lindur në New York, Cardi B, e cila në të kaluarën kishte qenë valltare ekzotike, u bë e famshme në vitin 2017 me lansimin e këngës “Bodak Yellow” dhe hiteve tjera të suksesshme si, “I Like it” dhe “Bartier Cardi”.
Ndërsa kërkesa për shkurorëzim nga reperja e njohur, vjen në një kohë kulminante të karrierës së saj muzikore. Hiti i fundit i Cardit me rep artisten Megan Thee Stallion, “WAP”, aktualisht po e kryeson toplistën e 100 këngëve më të mira “Billboard”, për të tretën javë rresht.