Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Treshja e Kosovës zgjeron kufijtë e paqes në Irlandë

“Teknologjitë e paqes:

“Teknologjitë e paqes: Arti dhe tranzicioni në Evropën moderne” e shqyrton paqen jo si një gjendje të pandryshueshme, por si një proces dinamik dhe të vazhdueshëm, si dhe si një inteligjencë kolektive që duhet të negociohet, të imagjinohet dhe të ruhet vazhdimisht

Artistë të shquar nga vende të ndryshme të botës janë bashkuar në Muzeun Irlandez të Artit Modern në Dublin për të shtyrë kufijtë e paqes që s’është vetëm mungesë lufte, por një “perpetum mobile”. “Teknologjitë e paqes: Arti dhe tranzicioni në Evropën moderne”, është titulli i ekspozitës që shtron pyetje komplekse, e atyre u përgjigjen edhe tre artistë nga Kosova: Petrit Halilaj, Driton Selmani dhe Alban Muja

“Cila është trashëgimia e paqes?” vjen si njëra prej pyetjeve thelbësore që e shtron ekspozita “Technologies of Peace: Art and Transition in Contemporary Europe (1989–2026)” (“Teknologjitë e paqes: Arti dhe tranzicioni në Evropën moderne”) në Muzeun Irlandez të Artit Modern në Dublin. Kësaj pyetjeje, me veprat e tyre, i përgjigjen edhe tre artistë nga Kosova, bashkë me ata të Greqisë, Polonisë, Rumanisë, Spanjës, Qipros, Portugalisë, Sllovenisë, Bosnjë-Hercegovinës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kroacisë. Ekspozita po ashtu përfshin edhe vepra të artistëve të tjerë që janë pjesë e koleksionit të Muzeut, përfshirë artisten serbe me nam ndërkombëtar, Marina Abramoviq. Sipas konceptit kuratorial, ekspozita e shqyrton paqen jo si një gjendje të pandryshueshme apo një pikë përfundimtare, por si një proces aktiv. Në atë frymë janë edhe veprat e Petrit Halilajt, Alban Mujës dhe Driton Selmanit.

Në ekspozitën e hapur këto ditë në Dublin dhe që do të jetë në dispozicion të publikut deri në fillim të majit të vitit që vjen, Petrit Halilaj merr pjesë me veprën “Do you realise there is a rainbow even if it’s night?! (pink)”, Driton Selmani me “Tell Me Where I Am From” dhe Alban Muja me filmin “Mua besoj më shpëtoi portreti”.

Petrit Halilaj në ekspozitën “Technologies of Peace: Art and Transition in Contemporary Europe (1989–2026)” merr pjesë me veprën “Do you realise there is a rainbow even if it’s night?! (pink)”

Vepra e Halilajt daton më 2017 dhe i përket ciklit me të njëjtin titull. Janë tenja të punuara me material tekstili që i kishte ekspozuar edhe në institucionin prestigjioz britanik “Tate Modern” më 2024. Për Dublin ka zgjedhur atë ngjyrë rozë. Halilaj flet shumë për identitetin nëpërmjet ciklit, e po ashtu edhe kësaj vepre.

Ai ka thënë se pjesëmarrja në këtë ekspozitë në Dublin i intereson pikërisht sepse ekspozita nuk e trajton paqen si një gjendje të përfunduar, por si një proces që kërkon kujdes, negocim, kujtesë dhe imagjinatë.

“Për mua kjo është veçanërisht e afërt me mënyrën se si e kam përjetuar dhe punuar me kujtesën e luftës në Kosovë. Arti nuk mund ta zëvendësojë procesin politik të paqes, por mund të krijojë e zgjerojë hapësirën ku mund të mendojmë për atë që mbetet pas konfliktit: humbjen, zhvendosjen, shtëpinë, kujtesën, marrëdhëniet dhe mënyrën se si e imagjinojmë të ardhmen”, ka thënë ai. Ka treguar se i intereson që në këtë ekspozitë, përvoja e Kosovës të mos shihet vetëm si histori lufte, por si një histori e vazhdueshme e rindërtimit dhe e përpjekjes për të krijuar forma të reja të bashkëjetesës.

“Fakti që ekspozita vendos përballë përvojën e Kosovës me historinë e Irlandës dhe me përvoja të tjera evropiane më është dukur veçanërisht i rëndësishëm. Ka dallime të mëdha mes këtyre historive, por edhe pyetje të përbashkëta: çfarë bëjmë me kujtesën, si ndërtohet besimi dhe si mund të imagjinojmë një të ardhme pas dhunës. Kjo lidhet edhe me punën me ‘Hajde’ edhe me hapësirën e re në Runik, edhe me hapësirat e tjera. Lidhet me mënyrën qysh e mendoj rolin e artit në shoqëri. Të paktën një pjesë të saj”, ka thënë Halilaj, i cili aktualisht është duke finalizuar një projekt të madh.

Driton Selmani pyet me veprën “Tell Me Where I Am From”

“Tell Me Where I Am From?” e Driton Selmanit daton më 2012. Është një “pikturë” ku është qepur harta e botës dhe aty Kosova vjen në një pozicion të çuditshëm gjeografik. Bile, si ide nisi jo larg Dublinit, në Britani.

“Vepra ka nisur gjatë rezidencës sime në Britani, kur e kuptova se Kosova mungonte në disa sisteme krejt të zakonshme: nuk mund ta zgjidhja si destinacion, as ta shënoja si vendin prej nga vij. U kërkova njerëzve përreth meje ta vizatonin Kosovën nga kujtesa. Secili e vendosi diku tjetër, me një formë tjetër. Mandej, nëna ime e ktheu njërën prej atyre përpjekjeve në qëndisje. Ajo punë e ngadalshme, me dorë, nuk e ‘ndreqi’ hartën. Në të, Kosova përfundon duke u shkrirë me detin”, ka thënë Selmani. Ka shpjeguar se Stuart Hall flet për reprezentimin si mënyrë se si krijohet kuptimi, jo veç si pasqyrim i botës.

“Për mua, kjo u bë shumë konkrete: kur vendi yt mungon në sistem, nuk mungon veç emri i tij. Mungon edhe mundësia për të treguar saktë se nga vjen. Distopia e ekzistencës këtu e ka formën e një formulari: ti je aty, vendi yt është aty, por sistemi nuk ka vend për asnjërin”, ka thënë ai. Ka vazhduar duke shpjeguar se edhe sot, pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën. Sipas tij, në kontekstin e “Technologies of Peace”, pyetja e veprës është: “Çfarë paqeje mundesh me ndërtu, nëse ekzistenca jote ende varet prej njohjes së dikujt tjetër?”. Selmani ka thënë se, megjithëse vepra është punuar në vitin 2012, pyetja e saj ende s’ka skaduar.

“Me e paraqit në një ekspozitë për paqen do të thotë me e sjell aty një përvojë që shpesh lihet jashtë asaj fjale: përvojën e njeriut që duhet vazhdimisht me e dëshmu vendin e vet në botë”, ka thënë ai.

“Mua besoj më shpëtoi portreti” (I Believe the Portrait Saved Me) është filmi i Alban Mujës, që ka bërë xhiro nëpër festivale të ndryshme, duke nisur nga premiera botërore në Berlinale. Filmi përmban rrëfimin e të atit, mësimdhënës i artit, i cili gjatë luftës në Kosovë, peng në duart e policisë serbe, detyrohet që të paraqesë në dërrasën e zezë të një shkolle portretin e oficerit pengmarrës, me kushtin që, nëse e paraqet mirë, do t’i shpëtonte jeta.

Muja ka thënë se, pasi deri tash filmi është prezantuar kryesisht në skenën e kinematografisë, është mirë të shihet edhe në kontekstin e artit.

“Sidomos në Irlandë, ku nuk është dhënë as në ndonjë festival filmi. Plus, kur i shtohet edhe çka trajton ekspozita, përkatësisht filmi, besoj se edhe e bën më të rëndësishme pjesëmarrjen”, ka thënë ai.

Ekspozita, me kuratorë Mary Cremin dhe Johanne Mullan, të asistuara nga Georgie Thompson dhe Sara Muthi, eksploron mënyrën se si artistët u janë përgjigjur transformimeve të thella politike, shoqërore dhe kulturore që shfaqen pas konflikteve. Sipas konceptit kuratorial, duke bashkuar praktika artistike nga Irlanda dhe nga vende të ndryshme të Evropës, ekspozita e shqyrton paqen jo si një gjendje të pandryshueshme, por si një proces dinamik dhe të vazhdueshëm, dhe si një inteligjencë kolektive që duhet të negociohet, të imagjinohet dhe të ruhet vazhdimisht përmes dialogut, përfaqësimit dhe angazhimit qytetar.

Skenë nga filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” me të cilën Alban Muja prezantohet në Muzeun Irlandez të Artit Modern në Dublin

“Ekspozita përqendrohet në periudhën nga viti 1989 deri në ditët e sotme. E shënjuar nga ndryshime të rëndësishme gjeopolitike në të gjithë Evropën, kjo epokë ka dëshmuar kalime komplekse nga kolonializmi, konflikti, ndarjet politike dhe autoritarizmi drejt demokracisë, stabilitetit dhe bashkëjetesës (nganjëherë të brishtë)”, shkruhet në koncept. Aty bashkohen, midis të tjerëve, edhe veprat e Marina Abramoviq, Goshka Macuga, Małgorzata Mirga-Tas, Claudia Pagès Rabal, Christodoulos Panayiotou e Indrė Šerpytytė. Bashkë me Halilajn, kjo është shtatëshja nëpërmjet së cilës promovohet më së shumti ekspozita. Nga rajoni, aty bën pjesë edhe emri i njohur, Shejla Kameriq.

“Duke vendosur përvojën e Irlandës përkrah përvojave të konteksteve të tjera evropiane, ‘Technologies of Peace’ synon të nxjerrë në pah si historitë e përbashkëta të konfliktit, ashtu edhe realitetet e veçanta lokale, duke treguar se si shoqëri të ndryshme janë përpjekur të përballen me trashëgimitë e dhunës përmes lëvizjes drejt pajtimit dhe ndërtimit të së ardhmes më gjithëpërfshirëse”, shkruhet në koncept. Ky projekt, sipas Muzeut, udhëhiqet nga bindja se paqja nuk është thjesht mungesa e luftës dhe synon t’i zgjerojë kuptimet mbi paqen duke marrë në konsideratë dimensionet shoqërore, kulturore dhe emocionale që qëndrojnë në themel të jetës demokratike.

“Artistët kontribuojnë në këtë bisedë duke krijuar hapësira për reflektim, dialog, kujtesë dhe imagjinatë kolektive, duke u mundësuar audiencave të përballen me histori që shpesh janë të vështira, të kontestuara ose të pazgjidhura”, shkruhet në koncept. Treshja nga Kosova i bashkohet projektit me historitë e tyre, sa personale, aq edhe kolektive.