Në mbarë Gjermaninë janë mbajtur protesta të nxënësve kundër mundësisë së rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Një nga organizatorët e protestave, Bela Breitner, nga grupi “School Strike Against Compulsory Military Service”, ka thënë se qeveria federale është “serioze për rikthimin gradual të shërbimit të detyrueshëm ushtarak”.
Në njërën prej protestave në Hamburg, protestuesit valëvitën flamuj dhe mbanin pankarta me mbishkrimin: “Ne nuk do të marrim pjesë në luftërat tuaja”.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka bërë forcimin e ushtrisë gjermane një nga prioritetet e tij pas pushtimit rus të Ukrainës.
Në janar hyri në fuqi një ligj i ri për shërbimin ushtarak vullnetar, me synimin për të rritur numrin e ushtarëve përmes rekrutimit të vullnetarëve.
Megjithatë, nëse situata e sigurisë përkeqësohet ose nëse numri i vullnetarëve është i pamjaftueshëm, Bundestagu mund të shqyrtojë një formë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Sipas ligjit të ri, të gjithë 18-vjeçarëve në Gjermani u dërgohet një pyetësor për të kuptuar nëse janë të interesuar dhe të gatshëm t’i bashkohen forcave të armatosura.
Një nga protestuesit, 16-vjeçari Elias Bernhard nga Hamburgu, ka thënë se përgjigjet në këta pyetësorë tregojnë se të rinjtë nuk duan t’i bashkohen ushtrisë gjermane.