Rasti i Granit Xhakës ka marrë një tjetër kthesë. Kapiteni i Përfaqësueses së Zvicrës dyshohet se ka përdorur certifikatën e falsifikuar të vaksinimit kundër COVID-19 për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2022.
Sipas raportimit të gazetës zvicerane Tages-Anzeiger, deri tash ishte supozuar se mesfushori nuk e kishte përdorur asnjëherë këtë certifikatë, por udhëtimi i tij në SHBA gjatë verës së vitit 2022 ka ngritur dyshime të reja.
Në atë kohë, SHBA-ja kërkonte që udhëtarët e huaj që hynin në vend me rrugë ajrore të dëshmonin se ishin të vaksinuar kundër COVID-19. Kërkesa për paraqitjen e testit negativ para nisjes ishte hequr më 12 qershor 2022, por kufizimet për udhëtarët e pavaksinuar mbetën në fuqi deri në maj të vitit 2023.
Në korrik të vitit 2022, Arsenali zhvilloi turne parasezonal në SHBA, ku ishte pjesë edhe Xhaka.
Në atë periudhë, disa futbollistë të tjerë të Premier Leagues nuk udhëtuan me ekipet e tyre drejt SHBA-së për shkak të statusit të vaksinimit. Chelsea, për shembull, la në Angli N’Golo Kanten dhe Ruben Loftus-Cheek, ndërsa Manchester City udhëtoi pa Phil Foden, John Stones dhe İlkay Gundogan.
Fillimisht, Xhaka kishte mohuar se ka marrë certifikatën e falsifikuar, por më vonë pranoi përmes një deklarate në Instagram se e kishte bërë këtë. Megjithatë, në atë kohë nuk ishte bërë e ditur nëse ai e kishte përdorur certifikatën.