Rajon

Vuçiq: Evropa më respekton më shumë mua se çdo lider tjetër të rajonit

Aleksandar Vuciq

Foto: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai respektohet më shumë nga Evropa se çdo lider tjetër në rajon. Ai ka thënë se në Evropë ai respektohet edhe më shumë se liderët që thonë se kanë përparuar më shumë në rrugën evropiane.

Vuçiqi ka shtuar se për dallim prej shteteve të tjera, ata nuk e kanë çështjen me Kosovën dhe qasjen që Serbia e ka me Rusinë. Ai ka thënë se respektohet nga evropianët edhe pse “nganjëherë nuk e ka të qartë se çka bëjnë”.

“Ata më respektojnë shumë dhe prandaj po shtyjmë përpara agjendën evropiane dhe po bëjmë gjithçka që është e mundshme. Por e di se ka kufizime të caktuara, i di vështirësitë me të cilat përballemi, që janë të natyrës shumë objektive, dhe këto lidhen me pavarësinë e Kosovës, të cilën unë nuk dua ta njoh, dhe për prishjen e raporteve tradicionale me Republikën Popullore të Kinës dhe Federatën Ruse, në të cilën unë s’dua të jem pjesë”, ka thënë ai për “TV Pink”.

Duke folur për Kosovën, Vuçiqi ka thënë se populli serb në Kosovë “e di se sa shumë i mbështet”.

Ai është zotuar se “edhe nëse mbyllen të gjitha dyqanet, edhe institucionet, prapë do të gjenden rrugë për t’u dhënë paga e përfitime të tjera”.

Vuçiqi mbetet një prej liderëve të paktë që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ishte pjesë e shënimit të “Ditës së Fitores” që u mbajt në Moskë javë më parë. Për këtë vizitë ai u kritikua nga udhëheqës evropianë, ndërsa përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pati thënë se shtete anëtare “s’e pranojnë lehtë këtë”.