Arbëri

Vuçiq: I di detajet që Prishtina, Zagrebi e Tirana i mendojnë si sekrete

vuciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova, Shqipëria e Kroacia janë befasuar se si ai dhe Serbia i dinë detajet për ato që këto palë i mendojnë si sekrete.

Në një deklaratë për media të premten, Vuçiqi ka folur për një takim që kanë mbajtur zyrtarë nga Kosova, Shqipëria e Zagrebi, në kuadër të aleancës ushtarake që e zyrtarizuan vitin e shkuar.

Fillimisht ai ka thënë se Serbia ka njohuri për disa takime që këto shtet kanë pasur e sipas tij, njoftimet kanë ardhur tek katër ditë më vonë.

“Ata u përpoqën t’i mbajnë si sekret dhe më pas u befasuan se si ne i dimë detajet nga aty”, ka thënë ai para mediave nga një ceremoni për inaugurimin e një shkolle.

Më pas ai ka thënë se është i shqetësuar për këtë marrëveshje.

“Jam shumë, shumë, shumë i shqetësuar, si president i Serbisë, për aleancën ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Mos më keqkuptoni – kjo nuk është aleancë ushtarako-teknike, për bashkëpunim ushtarako-teknik, ashtu që ata të mund të blejnë nga njëra-tjetra. Për këtë do të thosha përpos me Prishtinën, nuk ka problem. Por kjo është aleancë ushtarake. Një aleancë ushtarake krijohet për mbrojtje dhe qëllime ofensive ndaj territoreve të caktuara. Ajo aleancë ushtarake mund të rritet në një aleancë ofensive një ditë”, ka thënë ai, transmeton Kossev.

Më 3 shkurt, tri shtetet mbajtën një takim në Kroaci në nivel të drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve. Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës së nënshkruar vitin e shkuar. Kjo deklaratë përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.