Arbëri

Vuçiq për aleancën Kosovë-Shqipëri-Kroaci: Ia doli të na shqetësojë

Aleksandar Vuciq

Foto: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është marrë sërish me aleancën ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci.

Në një deklaratë për mediat në Munih, Vuçiqi ka thënë se e ka parë takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka zhvilluar me homologun kroat, Andrej Plenkoviq. Ai ka thënë se qëllimi i tyre “është të shqetësojnë Serbinë”.

“E kam pa se edhe tre ministrat e brendshëm, Ejup Maqedonci, Piro Vengu, Ivan Anushiq, u takuan aty. Ata duan të na tregojnë se çfarë po bëjnë, se janë shumë të fortë. I uroj për këtë fuqi. Ia kanë dalë. Nëse qëllimi i tyre ishte të na shqetësojnë, ia kanë dalë. Na kanë shqetësuar shumë, dhe ne do të marrim hapa në përputhje me rrethanat”, ka deklaruar ai.

Edhe pse tri shtetet e kësaj aleance e kanë bërë të qartë se ajo nuk është kërcënim për askënd, Vuçiqi në vazhdimësi e ka cilësuar si “rrezik për Serbinë”.

Edhe një ditë më parë, Vuçiq u shpreh se Serbia do t’i rritë investimet në mbrojtje “shkaku i kësaj aleance” të arritur vitin e shkuar.

Zëvendëssekretarja e përgjithshme të NATO-s, Radmilla Shekerinska, ka vlerësuar se aleanca e tri shteteve nuk bie ndesh me Aleancën Veriatlantike, meqë vendet anëtare nuk parandalohen që të lidhin aleanca shtesë edhe me palë të treta.