Të paktën 3 ligjvënës janë lënduar të martën, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, si pasojë e skenave kaotike në parlamentin e Serbisë, gjatë të cilave u hodhën bomba tymi dhe flakë.
Ligjvënësit ishte planifikuar të votonin një ligj që do të rriste fondet për arsimin universitar, por partitë e opozitës këmbëngulën se seanca ishte e paligjshme dhe fillimisht duhet të konfirmonin dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq dhe qeverisë së tij, raporton AP.
Kaosi parlamentar ka nisur rreth një orë pasi ka filluar seanca, teksa opozita mbante një pankartë ku shkruhej "Serbia u ngrit që regjimi të bjerë!".
Pamjet e publikuara nga salla e kuvendit treguan fillimisht një përplasje mes ligjvënësve dhe më pas flakët dhe bombat tymi duke u hedhur. Mediat serbe kanë raportuar se janë hedhur edhe vezë dhe shishe uji.
Zyrtarët më vonë kanë thënë se tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e trazirave.
Kryetarja e parlamentit, Ana Brnabiq ka akuzuar opozitën si një "bandë terroriste".
Ajo ka thënë se njëri nga deputetët e lënduar është në gjendje të rëndë.
Edhe
Përplasje fizike e tym në Kuvendin e Serbisë
Incidenti pasqyron një krizë të thellë politike në vendin ballkanik, ku protestat mujore kundër korrupsionit kanë tronditur qeverinë populiste.
Vuçeviq ka dhënë dorëheqjen nga posti në janar pasi autoritetet u përballën me protesta për shembjen në nëntor të një tende betoni në veri të Serbisë, që ka lënë të vdekur 15 njerëz, dhe për të cilin kritikët fajësuan korrupsionin e shfrenuar.
Parlamenti duhet të konfirmojë dorëheqjen e kryeministrit që ajo të hyjë në fuqi.