Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve në Serbi për t’i dhënë nderime shtetërore ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte. Mlladiq vdiq në burgun në Hagë më 27 gusht në moshën 84-vjeçare. Ai po vuante atje burgim të përjetshëm për krime lufte në Bosnjë, përfshirë Srebrenicë. Ai njihej ndryshe si “Kasapi i Bosnjës”.
Në një postim në rrjetin social X, Roth ka kritikuar Serbinë për glorifikimin e kriminelit të luftës.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të shihja një kriminel lufte të dënuar, njeriun përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës, të merrte nderime shtetërore në Beograd. Kjo tregon se sa larg është Serbia nga pajtimi për të cilin Ballkani Perëndimor ka kaq shumë nevojë”, shkroi Roth.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për serbët që, sipas tij, kanë dalë publikisht kundër këtij veprimi.
Trupi i Mlladiqit u prit me nderime më të larta ushtarake më 3 shtator.
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi, duke e lidhur vendimin me reagimet pas glorifikimeve që ky shtet ia bëri kriminelit të vdekur të luftës, Ratko Mlladiq.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Kos ka rikujtuar se Mlladiqi është dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ajo ka thënë se kthimi i mbetjeve mortore të Mlladiqit në Beograd i rikujton Evropës periudhat më të errëta të historisë së saj të afërt.
Kos ka kritikuar veçanërisht glorifikimin e figurës së Mlladiqit, duke e cilësuar si të papajtueshëm me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas saj, procesi i integrimit evropian kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të sinqertë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës.
“Vlerat që qëndrojnë në themel të së ardhmes sonë të përbashkët nuk janë të negociueshme”, ka shkruar Kos.
E kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është e vështirë të flitet me Serbinë për përballje me të kaluarën, pendesë apo distancim nga politika që ka prodhuar krime lufte, kur ky shtet e glorifikon një kriminel lufte si Ratko Mlladiq.
Gjatë një tryeze shkencore të organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” për rolin e elitave intelektuale serbe dhe ndikimin e ideologjisë nacionaliste në zhvillimet që pasuan në ish-Jugoosllavi, Kurti ka komentuar për pritjen me nderime të larta që ia bëri Serbia trupit të Mlladiqit që vdiq në Hagë, si i dënuar për gjenocid në Bosnjë.
“Ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar në Bosnje, tash i njohur si “Sarajevo Safari”, Aleksandar Vuçiq me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë. Nga ai që përveç tjerash tha se për një serb të vrarë do të vriten 100 muslimanë boshnjakë, vetëm një javë pas Masakrës së Srebrenicës. Ky është edhe një shembull i qartë i mënyrës së si në Serbi glorifikohet figura e njërit prej përgjegjësve kryesorë për krimet më të rënda të luftës në Bosnje. Kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluar, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime’’, ka thënë ai.
I never thought I’d see a convicted war criminal, the man responsible for the genocide of Srebrenica, receive state honours in Belgrade. This shows how far 🇷🇸 is from the reconciliation the Western Balkans so badly need. Thank you to all Serbs who publicly oppose this disgrace. https://t.co/zmqIhr0m79