Rajon

Milanoviq: Fyerje që agresioni në Gaza të krahasohet me Luftën Çlirimtare Kroate

Zoran Milanoviq

Zoran Milanoviq

Foto: Associated Press

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq kritikoi ashpër qeverinë e vendit të tij duke e pyetur se përse është dashur të ftohet anëtari i një qeverie e cila po kryen spastrim etnik në popullin e Gazës. Milanoviq po i referohej vizitës së ministrit të Jashtëm të Izraelit në Kroaci, Gideo Saar.

Deklaratën e Saarit ku e krahason Luftën Çlirimtare Kroate me agresionin izraelit në Gaza, Milanoviq e quajti fyerje për Kroacinë.

“Sa i gabuar është takimi me një anëtar të qeverisë izraelite tregon edhe deklarata e tij e sotme, në të cilën ai krahason Luftën Çlirimtare Kroate me agresionin izraelit në Gaza! Kjo është fyese për Kroacinë dhe për të gjitha viktimat e agresionit kundër saj, sepse Kroacia u mbrojt, në dallim nga Izraeli që po sulmon dhe po vret dhjetëra mijëra njerëz në Gaza”, thuhet në reagimin e Milanoviq në Facebook.

Tutje, Milanoviq tha se do të duhej të fillonte procesi i njohjes së shtetit palestinez në mënyrë që sipas tij, të bëhej hapi i parë në arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Por, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Kroacisë Gordan Gërliq Radman, ministri izraelit Gideo Saar, tha se “njohja e shtetit të Palestinës nuk do të kontribuonte në paqe apo siguri”, por sipas tij “do të krijonte paqëndrueshmëri në rajon”.