Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Opozita në Shqipëri kërkon shpalljen non-grata të ministres serbe, pushteti s’pranon

Komisioni i Puneve te Jashtme ne Shqiperi

Deklaratat e ministres së Serbisë Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës kanë nxitur reagime dhe përplasje politike në Tiranë. Në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, opozita kërkoi reagim zyrtar dhe masa konkrete ndaj zyrtares serbe, ndërsa pushteti tha se deklarata është dënuar tashmë përmes një reagimi të ministrit të jashtëm, Ferit Hoxha

Ilirjana Thaqi

Punimet e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, të hënën, u shoqëruan me debate dhe tensione, pasi anëtarët nga opozita kërkuan reagim zyrtar ndaj deklaratave të ministres së Serbisë, Snezhana Paunoviq.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, tha se Shqipëria duhet të mbrojë Kosovën dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i saj.

Vokshi propozoi për miratim një draft-deklaratë me 9 pika, ku ndër të tjera parashihet shpallja e ministres Paunoviq “person non-grata” në Shqipëri, ashtu siç ka bërë Kosova pas deklaratës së saj se,

“Po të ishte në vend Millosheviqit do të spastronte Kosovën etnikisht”. 

Edhe Kosova kërkon izolimin ndërkombëtar të Serbisë Arbëri Kosova kërkon izolimin ndërkombëtar të Serbisë

Vokshi kërkoi edhe miratimin e projekt-rezolutës për dënimin e gjenocidit në Kosovë, dokument që tash e disa vite është në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë. 

“Komisioni i kërkon Kuvendit miratimin e projektrezolutës së propozuar nga Partia Demokratike për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, si shprehje e unitetit përtej ndarjeve politike në mbrojtje të kujtesës kombëtare”, tha Vokshi. 

Propozimet e opozitës nuk morën miratimin e shumicës në Komision, e që janë nga partia në pushtet, ajo Socialiste e kryeministrit Edi Rama.

Kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se qëndrimi i tij për këtë çështje është i njëjtë me atë të kryeministrit dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Kryeministri ka mbajtur një qëndrim për frazën e tmerrshme të një individi që qenka edhe ministre në qeverinë e Serbisë. Po ashtu edhe ministri i Jashtëm ka mbajtur qëndrim dhe mazhoranca ka qenë e qartë për të dënuar një individ që përfaqëson një të shkuar millosheviqiane”, tha Hasani. 

Edhe Kosova i kërkon BE-së reagim e veprime kundër fashizmit serb Arbëri Kosova i kërkon BE-së reagim e veprime kundër fashizmit serb

Deklarata e Paunoviqit është dënuar nga ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndërkohë kryeministri Rama pas disa ditësh presioni për ta bërë të njëjtën gjë, përmes një postimi tha se këtë tashmë e ka bërë ministri dhe se ai nuk reagon, siç tha, sa herë flet ndonjë çyryk nga Beogradi.

Deklarata e Paunoviqit, pos në Kosovë e Shqipëri, nxiti reagime edhe në Beograd e Bruksel, nga ku disa zyrtarë kanë bërë thirrje për shkarkimin e saj, gjë që nuk ka ndodhur ende.