Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deklarata fashiste e ministres serbe dënohet nga BE-ja, Kosova dhe një pjesë e opozitës në Serbi

serbia fashiste milosevic  Snezhana Paunoviq

Foto-ilustrim

Deklarata e Paunoviqit “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998”, është dënuar në Prishtinë, në Bruksel e edhe në Serbi. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklarata nxitëse e në kundërshtim me vlerat njerëzore. Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi ka premtuar inicim të shkarkimit të saj e disa parti opozitare në Beograd, kanë kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e Paunoviqit. Ndërkohë, zv.shefi i Qeverisë në këtë vend, Ivica Daçiq e ka mbrojtur atë

Si asnjë deklaratë tjetër në vitet e fundit ka nxitur reagime ajo e Ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq.

Deklarata e saj gjatë një interviste për TV Kurir, të dielën mbrëma, “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998, është dënuar në Prishtinë, në Bruksel e edhe në Serbi.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklarata nxitëse dhe të respektojnë detyrimet nga normalizimi i raporteve me Kosovën. 

Zëdhënësja për politikë të jashtme e BE-së, Anita Hiper, gjatë një konferencë për media të martën, ka thënë se deklarata të tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor.

“Ne nuk duam të komentojmë komentet. Por jam e lumtur t’ju jap pozicionin tonë kryesor dhe parimin kyç se nuk duhet të ketë vend në Evropë për retorikë, justifikim apo avokim të pastrimit etnik”, ka thënë Hiper në një përgjigje në pyetjen e KOHË-s. 

Edhe Serbia nuk spastrohet nga fashizmi ndaj Kosovës Arbëri 4 o. më parë Serbia nuk spastrohet nga fashizmi ndaj Kosovës

“Deklaratat e tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimin, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Ato shkojnë edhe kundër obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pra, ne presim nga të gjithë liderët që të përmbahen nga çfarëdo retorike nxitëse dhe të japin kontribut për një ambient të besimit dhe stabilitetit në rajon”.

Deklaratën e ka dënuar edhe Komisionerja për Zgjerim në BE, Marta Kos.

“Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla çfarë kemi dëgjuar. Dhe nuk ka vend në Evropë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon pastrimin etnik. Unë jam personalisht e tronditur se kjo duhet të thuhet në këtë situatë. Deklarata e tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzorë, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat themele është ndërtuar BE-ja e pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të ndodhë“, ka thënë Kos.

Kos është shprehur se supozon që kjo të jetë vetëm qëndrim personal i një ministreje e jo i Qeverisë së Serbisë.

“Këto janë edhe në kundërshtim me obligimet e Serbisë nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve me Kosovën. Unë vetëm mund të supozoj se këto janë qëndrime të një ministreje dhe nuk paraqesin qëndrimin e Qeverisë së Serbisë. Presim nga liderët politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të kontribuojnë për ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë Kos.

Nga Komisioni Evropian kanë thënë se vlerësimin e fundit pozitiv që e kanë bërë për Serbinë e kanë bërë mbi kushtet specifike për grupkapitullin 3 dhe me këtë vlerësim nuk kanë thënë se “gjithçka është në rregull në Serbi”. Por pikërisht në atë vlerësim, me të cilin Komisioni Evropian ka tentuar t’i bindë shtetet e BE-së që të hapin kapituj me Serbinë, është dhënë edhe vlerësimi pozitiv për angazhimin e Serbisë në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën.

BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që të mos mohohet gjenocidi, të mos relativizohen krimet e luftës dhe të mos glorifikohen kriminelët e dënuar për krime lufte. Por, përkundër kësaj, BE-ja nuk ka ndërmarrë masa ndaj atyre personave që mohojnë gjenocidin dhe relativizojnë krimet e tilla, e që sidomos në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë janë shumë me autorë serbë.
Pos BE-së, deklarata e saj ka nxitur reagime edhe në Kosovë, e edhe në Serbi.

Kamberi: Do të inicioj shkarkimin e ministres Paunoviq. Hoti: Serbia s’është çliruar nga ideologjia gjenocidale

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një reagim për deklaratën e Paunoviqit, ka thënë se do të iniciojë procedurë për shkarkimin e saj.

Kamberi ka bërë të ditur po ashtu se nëpërmjet një shkrese zyrtare ka kërkuar reagim edhe nga të gjitha ambasadat relevante ndërkombëtare në Beograd.

“Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto obligime dhe tejkalojnë çdo standard demokratik mbi të cilin bazohet Bashkimi Evropian. Në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Republikës së Serbisë, do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres”, ka thënë Kamberi në faqen e tij në Facebook.

Paunoviq pati shprehur qëndrim racist edhe ndaj vetë deputetit Kamberi më 2002, kur i pati kërkuar Qeverisë së Serbisë arrestimin dhe depërtimin e tij nga ky vend.

Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, ka thënë se kjo deklaratë tregon se Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar ai në Facebook.

E në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, në një reagim në Facebook, kanë thënë se “përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”.

“Deklarata e Snezhana Paunoviqit, ministre në Qeverinë e Serbisë, e cila u shpreh se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte ‘spastruar etnikisht Kosovën’, rikthen në vëmendje vazhdimësinë e një diskursi që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 kanë qenë objekt i proceseve gjyqësore ndërkombëtare, ku udhëheqës të nivelit më të lartë politik, ushtarak dhe policor të regjimit të Millosheviqit u shpallën fajtorë për krime në Kosovë. Megjithatë, edhe sot, zyrtarë të lartë të shtetit serb vazhdojnë të përdorin retorikë që relativizon ose normalizon politika që prodhuan mijëra viktima, dëbime masive, dhunë seksuale dhe zhdukje me dhunë”, thuhet në reagimin e këtij institutit në Facebook.

Deklaratën e ka dënuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Një pjesë e opozitës në Serbi kërkon dorëheqjen ose shkarkimin e Paunoviqit

Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) në Serbi në një komunikatë të martën ka kërkuar dorëheqjen e ministres Paunoviq për shkak të gjuhës së urrejtjes.

"Lëvizja e Qytetarëve të Lirë kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ministres Snezhana Paunoviq për shkak të gjuhës së urrejtjes të përmbajtur në deklaratën e saj shoviniste se në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët. Shpjegimi i saj i mëvonshëm se me këtë nënkuptonte dëbimin e njerëzve në të ashtuquajturin 'shtet amë' vetëm sa konfirmon se nuk bëhet fjalë për një formulim të papërshtatshëm, por për mbështetje të vetëdijshme të dëbimit etnik. Shqetësuese janë gjithashtu deklaratat e saj në të cilat shqiptarët paraqiten në mënyrë raciste si qenie më të ulëta", thuhet në komunikatën e PSG-së. 

"Një person që arsyeton dëbimin e njerëzve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare nuk mund të jetë anëtar i Qeverisë së Republikës së Serbisë. Është veçanërisht e rrezikshme që mesazhe të tilla vijnë nga ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, e cila duhet të garantojë barazinë e të gjithë qytetarëve para institucioneve shtetërore dhe respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve".

Partia Serbia Qendra (SRCE) e ka ftuar kryeministrin e Serbisë Gjuro Macut që të deklarohet lidhur me deklaratën e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale.

"Kryeministri Macut duhet t'i përgjigjet urgjentisht opinionit publik nëse kjo deklaratë shoviniste është politikë zyrtare e Qeverisë së tij, nëse ai personalisht dhe politikisht qëndron pas këtyre fjalëve, si dhe cilat masa konkrete do të ndërmarrë ndaj ministres nëse kjo nuk është politikë e Qeverisë dhe nëse do të kërkojë menjëherë dorëheqjen e saj ose do të nisë procedurën për shkarkimin e saj në Kuvend", thuhet në komunikatën e partisë SRCE.

Në komunikatë thuhet se bëhet fjalë për një rikthim në "periudhat më të errëta të historisë së afërt", duke theksuar se është e papranueshme dhe e rrezikshme që ministrja e një dikasteri që duhet të garantojë ligjshmërinë dhe stabilitetin "të promovojë publikisht politikën e partisë së saj nga vitet nëntëdhjetë".

Po ashtu, Grupi Punues i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NKEU) për Kapitullin 35 ka dënuar deklaratën e Paunoviqit dhe i ka bërë thirrje kryeministrit Gjuro Macut që ta shkarkojë atë me procedurë urgjente.

Sipas vlerësimit të Grupit Punues, deklarata e saj përbën gjuhë të urrejtjes dhe tregon se në Serbi ende janë në pushtet ruajtësit e ideve kriminale të Slobodan Milosheviqit, të cilat çuan në vuajtje masive njerëzore, bombardimin dhe shkatërrimin e vendit.

Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës – Vojvodinasit (LSV) ka kërkuar po ashtu shkarkimin urgjent dhe reagimin e prokurorisë kundër ministres Paunoviq për deklaratën fashiste.

Nënkryetari i LSV-së, Aleksandar Olenik, ka thënë se deklarata në fjalë përbën "thirrje të drejtpërdrejtë për krime lufte, përndjekje dhe shkelje të rëndë të Kushtetutës së Serbisë".

Edhe Daçiqi i del në mbrojtje ministres serbe për deklaratën fashiste ndaj Kosovës Arbëri 4 o. më parë Daçiqi i del në mbrojtje ministres serbe për deklaratën fashiste ndaj Kosovës

"Përpjekja e ministres Paunoviq që më pas ta arsyetojë deklaratën e saj monstruoze duke pretenduar se me 'spastrim' kishte parasysh dëbimin e qytetarëve në 'shtetin amë' vetëm sa konfirmon se bëhet fjalë për fashizëm të zhveshur. Retorika e 'numërimit të gjakut' dhe e ndarjes së qytetarëve sipas përkatësisë së tyre kombëtare e kthen Serbinë në periudhën më të errët të viteve nëntëdhjetë dhe i shkakton dëm të pariparueshëm reputacionit ndërkombëtar të vendit", ka thënë Olenik.

Ndërkohë Partia Demokratike (DS) ka vlerësuar se deklarata e ministres Paunoviq se do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën është "provokim i qëllimshëm i bërë me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq".

"Ky është një provokim i qëllimshëm, i thënë me urdhër të Vučićit, me detyrën që përmes një mesazhi nxitës të hapë një debat të ri publik, të ndryshojë temën dhe të shtyjë në plan të dytë të vetmen çështje rreth së cilës tashmë është formuar një shumicë e qartë e qytetarëve të Serbisë: nëse janë për Serbinë apo për mafian", thuhet në komunikatën e DS-së. 

"Fakti që Paunoviq ka vepruar sipas urdhrit të Vuçiqit nuk do të jetë rrethanë lehtësuese për të. Ajo duhet të mbajë përgjegjësi politike, ndërsa prokuroria kompetente duhet të hetojë menjëherë përgjegjësinë e saj penale për mbështetjen publike të spastrimit etnik dhe për nxitjen ose përhapjen e mundshme të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare. Është skandaloze që sot me jetët e të tjerëve dhe me fëmijët e të tjerëve luan luftëra një person që do të mbahet mend për vjedhjen e shpenzimeve të udhëtimit, dikush për të cilin Kosova ka shërbyer si burim përfitimi politik dhe material", thuhet tutje në reagimin e kësaj partie.

Ajo, sipas mediave në Serbi, më 2022, ka përfituar paligjshëm 12 mijë euro, duke i paraqitur si shpenzime rruge, meqë si vendbanim e kishte specifikuar Pejën, qytet ku ajo ka lindur me 1975.

Paunoviq nuk tërhiqet e shefi i saj i partisë Daçiq, e mbron

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, parti në të cilën bën pjesë edhe Paunoviq, i ka cilësuar "të turpshme dhe hipokrite" dënimet ndaj saj për deklaratën se do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998 po të ishte në vend të Millosheviqit.

Ai e ka mbrojtur atë dhe qëndrimin e shprehur nga ajo, duke e lidhur me rrethana të tjera, që sipas tij, janë të sakta.

"Ajo tha se të gjithë ata që nuk e ndiejnë Serbinë si të tyren duhet të kthehen në shtetin e tyre amë, në shtetin e Shqipërisë. Çfarë lloj spastrimi etnik është ai në të cilin sot ka më pak serbë sesa shqiptarë? Si do të ishte e mundur kjo? Holokausti nuk përfundoi duke mbetur në fund më shumë hebrenj sesa kishte para Holokaustit. Do të thotë, është e ligjshme të përndiqen, të vriten serbët, të thuhet se serbët duhet të shpërngulen, të dëbohen serbët, por nuk është e ligjshme të thuhet asgjë në mbrojtje të Serbisë", ka thënë Daçiq.

Sipas tij, në Kosovë është bërë spastrim etnik ndaj serbëve në periudhën e pasluftës, por pa dhënë ndonjë fakt të besueshëm.

"Dua të them se është e turpshme që deri më sot nga politikanët vendas nuk kam dëgjuar as edhe një herë fjalë me të cilat dënohet spastrimi etnik i serbëve nga Kosova dhe Metohia. Në kushtet kur edhe sot kemi shpërngulje të detyruar të serbëve nga Kosova dhe Metohia, ndryshim të strukturës etnike, për të mos folur për presionet shumëshekullore, shpërnguljet dhe dëbimin e serbëve nga Kosova dhe Metohia, edhe sot në Serbi flitet dhe na akuzojnë për gjoja spastrim etnik në Kosovë dhe Metohi", ka deklaruar Daçiq, pasardhësi i Millosheviqit në partinë “SPS” dhe bashkëpunëtori i tij gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Edhe vetë Paunoviq ka bërë një reagim të martën, pasi një pjesë e opozitës dhe organizatave joqeveritare kanë kërkuar dorëheqjen e saj të menjëhershme për shkak të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Në deklaratën e saj me shkrim, ministrja Paunoviq ka thënë se nuk heq dorë as nga vetja dhe as nga Partia Socialiste e Serbisë.

Madje ajo është krenuar me politikën e SPS-së, e e cila gjatë viteve 90’ ka shkaktuar disa luftëra në Ballkan, përfshirë edhe në Kosovë.

"Nuk heq dorë as nga strategjitë e partisë sime, të cilat ishin zgjedhur për rrethanat e kryengritjes së armatosur në një pjesë të shtëpisë që quhet Serbi. Në të njëjtën kohë, nuk heq dorë as nga e drejta ime për të folur për gabimet që kemi bërë, si dhe për të analizuar se çfarë, ndoshta, mund të ishte bërë ndryshe", ka deklaruar Paunoviq.

Ajo e ka quajtur propagandë valën e reagimeve në Kosovë, Serbi e Bruksel.

"Mendoj se propaganda e krijuar nga deklarata ime është një rast i shkëlqyer për dialog me të gjithë ata që kanë një qëndrim ndryshe, të cilin, natyrisht, kanë të drejtë ta kenë, dhe që mendojnë se unë nuk guxoj të shpreh një qëndrim pozitiv për politikën e SPS-së të viteve nëntëdhjetë. Guxoj. Dhe e kam bërë. Sepse jam socialiste që e thotë të vërtetën nga e cila shumë njerëz kanë frikë dhe paraqet fakte që të tjerët do të donin t'i mohonin", ka thënë Paunoviq.

Disa nga krimet serbe në Kosovë gjatë luftës

Zyrtarët serbë akuzojnë shpesh autoritetet e Kosovës për dëbimin e serbëve, por pa paraqitur prova që do t'i mbështesnin këto pretendime. 

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur me forcë.

Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Mijëra trupa janë gjetur ndër vite në varreza masive në Serbi.

E sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shifra e viktimave të përdhunimeve në Kosovë gjatë luftës arrin deri në 20 mijë.

Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe dëbuan rreth 1 milion shqiptarë nga Kosova e kryen dhjetëra e dhjetëra masakra.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i ka cilësuar drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, nga marsi deri në qershor të vitit 1999.

Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.

Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, si komandant i Armatës së Tretë, është dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burgim për dëbime, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.

Së bashku me të janë dënuar edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-zëvendëskryeministri i RFJ-së, Nikolla Shainoviq.

Edhe BE për deklaratën e Paunoviqit për pastrim etnik në Kosovë: Nuk ka vend në Evropë për avokim të pastrimit etnik Arbëri 6 o. më parë BE për deklaratën e Paunoviqit për pastrim etnik në Kosovë: Nuk ka vend në Evropë për avokim të pastrimit etnik

I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit më 2006. Pasues i tij në partinë SPS pas arrestimit më 2002, është bërë Ivica Daçiq, sot nënkryetar i Qeverisë së Serbisë.

Paunoviq gjatë intervistës së saj në TV Kurir, po ashtu ka thënë se nuk do të jetë e largët koha kur Serbia do të kthehet në Kosovë. Në reagimin e prezantueses se “ndoshta vetë nuk do ta mbërrijnë, por fëmijët e tyre po”, Paunoviq ka thënë: “Do ta mbërrijmë edhe ne”.