Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se Serbia nuk ka përmbushur asnjë reformë të cilën e ka premtuar disa muaj më parë. Ajo ka kritikuar Serbinë duke hedhur dyshime se po ndjek rrugën evropiane, teksa ka kërkuar vepra e jo premtime.
Në një debat të hënën për Planin e Zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, Kos ka thënë se këtë qëndrim ua ka thënë edhe liderëve serbë edhe gjatë vizitës së fundit në Beograd.
“Nuk jam e kënaqur me atë që po shoh në Serbi... Kryeministri i ri dhe kryetarja e Kuvendit më kanë premtuar se reformat do të implementohen shpejt, por presidenti i Serbisë e pati premtuar të njëjtën te presidenti i Komisionit Evropian dhe presidenti i Këshillit Evropian në fund të marsit, por asgjë s’ndodhi... Do të shohim si do të vazhdohet”, ka thënë ajo.
Ajo ka pranuar se do ta ketë të vështirë të japë fjalë të mira për Serbinë po që se vazhdon të bëjë vizita në Moskë. Kos ka hedhur dyshime edhe nëse Serbia e meriton të përfitojë nga Fondet e Planit të Rritjes duke shtuar se “nuk është e sigurt 100 për qind” se Serbia po ndjek rrugën evropiane.
Kur bëhet fjala për Serbinë, Kos ka thënë se “do të donte të shohë aksione, e jo të dëgjojë vetëm premtime”.