Rajon

Dodiku u ofron “minerale të rralla” fuqive botërore në këmbim të njohjes së pavarësisë së Republikës Sërpskas

Milorad Dodik

Milorad Dodik

Foto: Associated Press

Presidenti i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, ka deklaruar të mërkurën se Republika Sërpska “është e pasur me minerale të rralla”, si dhe është e gatshme që t’i shkëmbejë ato me vendet si Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia e Bashkimi Evropian, në këmbim të njohjes së pavarësisë dhe sovranitetit, ka raportuar Danas.

“Na jepni lirinë, konfirmoni sovranitetin tashmë ekzistues, na garantoni Marrëveshjen e Daytonit, pavarësinë tonë politike dhe pavarësinë e Republika Sërpskas, dhe ne do të jemi partnerët e juaj në biznes”, ka thënë Dodik. “Na ofroni një kornizë që e respekton strukturën e Daytonit, kompetencat kushtetuese të entiteve”. 

Ai u është adresuar ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare të Republika Sërpskas me rastin e 30-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Daytonit.

Ai ka bërë të ditur se, sipas disa hulumtimeve gjeologjike, është “konfirmuar se në territorin e entitetit serb ndodhen burime të mineraleve të rralla sikurse litiumi, bori, stronciumi, natriumi dhe kaliumi”.

Dodiku u dënua në muajin shkurt me një vit burgim dhe ndalim të mbajtjes së pozitave politike për gjashtë vjet, për shkak të kundërshtimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnjë dhe shkelje të rendit kushtetues. 

Një gjykatë në Bosnjë i pati bërë kërkesë organizatës ndërkombëtare më të madhe policore (INTERPOL) për urdhërarrest ndërkombëtar ndaj Dodikut, mirëpo kërkesa në fjalë u refuzua.