Rajon

Dodik pas takimit me Vuçiqin: Marrëveshja e Dejtonit ka dështuar

Aleksandar Vucic - Milorad Dodik

Ish-kryetari i entitetit Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, ka thënë se Marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë “ka dështuar”, raporton "Avaz".

Dodik në një postim në “X” pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën tha se “Republika Sërpska ka të drejtë të mbrohet”. 

Dodik ka zhvilluar një vizitë në Izrael dhe Hungari, para se të takohej të hënën me Vuçiqin në Beograd. 

“E informova presidentin Vuçiq se Marrëveshja e Dejtonit ka dështuar, se Bosnja dhe Hercegovina ka atrofuar shkaku i mosgatishmërisë së politikës së Sarajevës për t’i respektuar të drejtat e Republika Sërpskas, se gjykatat janë bërë  një mjet hakmarrjeje dhe se Republika Sërpska ka të drejtën dhe detyrimin ta mbrojë veten dhe popullin serb”, ka shkruar Dodik. 

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës në nëntor të vitit të kaluar ia ka hedhur poshtë ankesat Dodikut kundër një vendimi me të cilin ia ndalonte atij pjesëmarrjen në politikë dhe njëkohësisht ia merrte mandatin si president i entitetit serb të Republika Sërpskas. Dodikut iu ndalua të mbajë poste politike për 6 vjet pasi kundërshtoi vendimet e përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt. 

Në fund të nëntorit të Sinisha Karan, një aleat i ngushtë i Dodikut, u zgjodh president i ri i Republika Sërpskas.