Rajon

Ballkani goditet nga stuhia pas temperaturave të larta

Moti

Një stuhi e fortë breshëri ka shkulur pemë dhe çati në Kroaci, teksa qindra zjarre shpërthyen në Serbinë fqinje të martën, pas një periudhe moti jashtëzakonisht të nxehtë në disa pjesë të rajonit të Ballkanit.

Një stuhi e shkurtër, por e fuqishme, goditi portin e Splitit në Detin Adriatik të Kroacisë gjatë mëngjesit, raporton AP.

Erërat e forta dhe breshëri dëmtuan çatinë e stadiumit të futbollit të qytetit dhe nxorrën një traget në port, i cili më pas ka goditur dy anije të tjera, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre.

Nuk u raportuan të lënduar nga stuhia, por zyrtarët e emergjencës raportuan dëme të mëdha në të gjithë qytetin.

Portali i lajmeve Index ka raportuar se zyrat dhe fusha e stadiumit Poljud të Splitit janë dëmtuar, ashtu sikur edhe çatia.

Kroacia dhe pjesa tjetër e Ballkanit kanë përjetuar ditëve të fundit një valë të nxehti me temperatura që arritën deri në 40 gradë celsius. 

Meteorologët kanë paralajmëruar se priten ditë më të ftohta, me temperatura që pritet të bien në rreth 20 gradë celsius në disa zona.

Ekspertët thonë se kushtet ekstreme të motit mund të lidhen me ndryshimet klimatike.

Mot jashtëzakonisht i nxehtë dhe zjarre të ashpra janë raportuar në të gjithë Evropën në fillim të korrikut.