Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Uma, talentja e re në pikturë

Piktura është njëra prej fushave të artit më të dashura për ne, përmes së cilës shprehim imagjinatën, mendimet dhe ndjenjat tona. Disa nga ne preferojmë më shumë të shohim piktura të ndryshme dhe të sodisim bukurinë e tyre, kurse disa të tjerë t’i pikturojnë vetë ato.

E në mesin e adhuruesve të pikturës është Uma Selaci. Ajo është 14-vjeçare, mirëpo talenti i saj për pikturën është vërejtur prej një moshe shumë të vogël. Natyra e saj e qetë, e bën Umën një person që nuk flet shumë. Por, te piktura ajo ka gjetur një mundësi për të shfaqur idetë dhe emocionet e saj.

Uma ka një pasion të madh për natyrën, të cilin e shpreh edhe përmes artit. Shumica e pikturave të saj paraqesin pamje të bukura të natyrës. Përmes ngjyrave, të cilat i hedh në letër dhe me anë të lëvizjes së brushës në sipërfaqe, ajo krijon vepra arti të mrekullueshme.

Talenti i saj vërehet qartë dhe kjo e bën atë një piktore shumë premtuese për të ardhmen. Gjithashtu Uma është një frymëzim për ju që të filloni të praktikoni pikturimin, sepse përmes tij ju mund të argëtoheni dhe të shfaqni çfarë keni dëshirë.