Patinazhi është vetëlëvizja dhe rrëshqitja e një personi nëpër një sipërfaqe akulli, duke përdorur patina akulli me tehe metalike. Njerëzit e praktikojnë këtë sport për arsye të ndryshme; për argëtim, stërvitje ose sporte konkurruese. Patinazhi mund të zhvillohet në trupa ujorë të ngrirë në mënyrë natyrale, si pellgje, liqene, kanale apo lumenj dhe në sipërfaqe të akullit të krijuara nga njeriu, si sheshe patinazhi në akull, të cilat mund të jenë brenda ose jashtë.
Në vendin tonë nuk është sport shumë i popullarizuar sikurse në vendet e tjera. Mirëpo, me hapjen e qendrës për patinazh, Ice Skating Prishtina, kjo ka filluar të ndryshoj.
Menaxherja e qendrës, Saranda Llapaj, tha se vërehet një interesim i dukshëm i qytetarëve, e sidomos i fëmijëve për këtë sport.
Përveç mundësisë për ta praktikuar vetëm si argëtim, kjo qendër ofron mësime të patinazhit me trajner profesional.
Patinazhi sjell përfitime të ndryshme, duke filluar nga përvetësimi i aftësive të koordinimit të pjesëve të trupit, mbajtjes së ekuilibrit dhe ndërtimit të muskujve. Këtë e tha edhe trajnerja Anila Berisha.
Nuk janë vetëm anët pozitive të aspektit shëndetësor ato që e bëjnë patinazhin sport të popullarizuar. Arsye tjetër që fëmijët e praktikojnë është kënaqësia të cilën e sjell ai. Lëvizjet e veçanta mbi akull, ecja me patina dhe praktikimi i lëvizjeve të ndryshme e bën patinazhin një sport shumë atraktiv, i cili nxit dëshirën e madhe të fëmijëve për ta provuar atë. Prej momentit të parë që janë në kontakt me të, fëmijët ndihen të tërhequr ta provojnë, e pastaj disa prej tyre vendosin edhe ta praktikojnë më shumë duke perfeksionuar lëvizjet e tyre me ndihmën e trajnerëve profesional.
Edhe
Fëmijët e “Love and dance Prishtina”, të pasionuar pas vallëzimit
Këtë e dëshmuan edhe fëmijët, të cilët janë adhurues të patinazhit. Ata madje nuk po gjenin fjalët adekuate të përshkruanin këtë sport, sepse kënaqësia dhe gëzimi që fëmijët e përjetojnë është e vështirë të përshkruhet me fjalë.
Pra, fëmijët janë shumë të lumtur që tani ekziston një qendër si Ice Skating Prishtina, e cila po u ofron mundësi të provojnë një sport të ri, të mësojnë atë e pse jo ta praktikojnë dhe një ditë të përfaqësojnë vendin tonë në lojërat olimpike për patinazh. Kurse ju fëmijë, nëse nuk e keni provuar akoma sportin e patinazhit, mund të shkoni ta përjetoni një eksperiencë shumë të bukur.