Pjesa më e bukur e dimrit janë aktivitetet e shumta të kësaj stine, që mund të zhvillohen në mjedisin e jashtëm. Bora dhe temperaturat e ulëta mundësojnë zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme dimërore.
Rrëshqitja në borë, skijimi, rrëshqitja me snowboard dhe patinazhi, mund të zhvillohen në mjedisin e jashtëm vetëm gjatë stinës së dimrit. Prandaj është shumë e rëndësishme që kjo kohë të kalohet sa më shumë në natyrë duke praktikuar aktivitetet tona të preferuara.
Është kënaqësi e madhe t’ju shohim duke kaluar kohë kaq të bukur dhe duke e shfrytëzuar atë me lojërat tuaja më të dashura. Lumturia që përjetoni shihet në fytyrat e mbushura plot gëzim. Gjithashtu dëshira dhe entuziazmi për të provuar sportet dimërore vërehen dukshëm nga interesimi dhe vendosmëria që keni për t’i mësuar ato.
Loja në natyrë është thelbësore për mirëqenien tuaj. Për këtë arsye mos hezitoni të dilni jashtë, pavarësisht se cili është aktiviteti që dëshironi të praktikoni. Me rëndësi është që ju të kënaqeni duke luajtur. Ashtu siç po bënin fëmijët në malet e Brezovicës. Disa me ski, disa me snowboard, disa me rrëshqitëse e disa të tjerë vetëm duke ecur dhe luajtur me borë. Mirëpo, që të gjithë duke u kënaqur dhe shijuar stinën e dimrit në çdo moment.