Të gjithë e dinë se dimri është stina më e errët dhe e ftohtë e vitit, prandaj mund ta gjeni vetën duke qëndruar në ambiente të ngrohta shtëpie. Bazuar në teorinë e pesë elementeve në mjekësinë kineze, dimri është stina e lidhur me ujin, çka do të thotë, duhet t’i merrni gjërat shtruar dhe ta ruani energjinë, të përqendroheni në pushim dhe reflektim.
Gjersa kjo është e nevojshme dhe e vërtetë, nuk do të thotë se është një justifikim që ju të qëndroni gjithmonë ulur dhe të jeni pasiv. Trupi kërkon nxehtësi dhe lëvizje, prandaj kjo është arsyeja pse janë listuar më poshtë disa mënyra për të bërë më shumë stërvitje këtë dimër. Ato do ta mbajnë energjinë tuaj në nivelet e duhura dhe do t’ju ndihmojnë të jeni të gatshëm për stinën e ardhshme, pranverën.
Bëni shëtitje nëpër lagje
Ka një arsye pse shpesh e dëgjoni frazën “natyra të shëron”. Është e vërtetë, asgjë nuk ndihmon me ngritjen e humorit sikurse dalja në ambiente të hapura. Dihet se temperaturat mund të jenë sfiduese por, mblidheni veten dhe dilni për një shëtitje të shkurtër nëpër lagje. Kështu arrini ta plotësoni nevojën e lëvizjeve fizike ditore dhe e ndihmoni shëndetin mendor.
Bëni “stërvitje të vogla’’ brenda një ore
Kjo mënyrë e vjetër por e përshtatshme e adaptimit i ka ndihmuar shumë njerëz gjatë karantinës. Është aq e thjeshtë sa tingëllon. Vetëm zgjidhni ushtrimet për t’i bërë gjatë ditës.
Përdorni shkallët
Gjithmonë zgjidhni opsionin për të përdorur shkallët dhe jo liftin. Kjo ndihmon për të kontrolluar rrahjet e zemrës dhe të bëni lëvizje të këmbëve. Gjithashtu, do t’i përmbushni hapat shtesë që keni synuar për çdo ditë.
Ecni nëpër park
Parku është gjithnjë një ide e mirë, sidomos nëse keni fëmijë ose posedoni kafshë shtëpiake, që zakonisht kanë nevojë të harxhojnë energji. Shëtitja në park me fëmijët apo qenin tuaj, përveçse është një mënyrë e dobishme për ta përmbushur aktivitetin fizik, është po ashtu një mënyrë e lehtë për t’u socializuar me familjarët dhe shoqërinë, pa u munduar shumë.
Parkoni veturën sa më larg
Një tjetër mundësi e shkëlqyer për t’i bërë disa hapa shtesë, është që ta parkoni makinën tuaj sa më larg. Edhe pse e dimë se ndjenja më e mirë është kur gjejmë parking sa më afër shtëpisë, rezistoni asaj dëshire dhe bëni favor trupit tuaj duke e parkuar atë sa më largo se edhe në fund të rrugës.
Shkoni në skijim
Nëse nuk ju pengon i ftohti, skijimi është sporti më sfidues dhe argëtues në të njëjtën kohë, i cili i vë në funksion të gjithë muskujt e trupit. Dobia më e mirë e këtij sporti është që jo vetëm se bëni ushtrime, por gjithashtu mund të jetë shumë medituese, sepse ju kaloni kohë duke u fokusuar vetëm në trupin tuaj dhe në natyrën e bukur që e keni përballë.