Një studim i fundit në Universitetin e Kalifornisë ka zbuluar se një proteinë e quajtur PER2 – e cila ndihmon në rregullimin e metabolizmin të yndyrës dhe ritmet e brendshme të trupit – ndryshon sjelljen tonë në varësi të llojit të yndyrave që konsumojmë.
Në studim, minjtë u ushqyen me shumë yndyra të ngopura dhe të hidrogjenizuara. Këto lloj yndyrash ua prishën aftësinë për të “kuptuar” që ditët po shkurtoheshin dhe, si pasojë, i bënin të hanin më shumë.
Për njerëzit, kjo do të thotë se shtimi në peshë gjatë dimrit nuk vjen vetëm nga zakonet sezonale apo ushqimet e ngrohta, por edhe nga një reagim biologjik i trashëguar, i cili na shtyn të ruajmë energji kur ditët bëhen më të shkurtra.
Më pak dritë dielli
Kur ka më pak rreze dielli, truri prodhon më pak serotonin – një substancë që na ndihmon të ndihemi të qetë dhe të lumtur. Për të rritur nivelin e serotoninës, trupi fillon të dëshirojë karbohidrate, sepse ato ndihmojnë që triptofani të hyjë në tru, ku më pas shndërrohet në serotonin.
“Mot i ftohtë, ditë më të shkurtra dhe ndryshime në kiminë e trurit bashkëveprojnë duke i bërë ushqimet e pasura me karbohidrate veçanërisht tërheqëse në dimër. Mungesa e dritës së diellit ndikon në mënyrën se si hamë dhe çfarë hamë. Prandaj karbohidratet vërtet ofrojnë ngushëllim gjatë muajve të errët”, ka thënë ekspertja e shëndetit metabolik, Michal Mor, për The Telegraph.
Temperatura më të ulëta
Trupi i njeriut shpenzon shumë energji për t’u ngrohur kur bie temperatura. Ky proces (termorregullimi) ndodh duke djegur glukozë ose rezervat e yndyrës. Kur aktivizohet, trupi fillon të mbrojë dhe të plotësojë këto rezerva.
“Nëse kaloni shumë kohë në të ftohtë, sidomos në fund të vjeshtës, aktivizohet një reagim që ju bën të përqendroheni më shumë te ushqimi. Në mjedisin e sotëm plot ushqime, është shumë e lehtë të hani më shumë se sa ju nevojitet, duke anuluar efektin e të ftohtit”, u shpreh profesori Andrew Higginson, biolog evolucionar në Universitetin e Exeterit.
Yndyra = mbijetesë
Një nga arsyet kryesore pse shtojmë peshë gjatë dimrit – dhe pse vështirë humbim – lidhet me avantazhin e madh evolucionar të grumbullimit të yndyrës në klimë të ftohtë.
“Yndyra është në thelb sigurim ndaj mungesës së ushqimit. Grumbullimi i yndyrës në vjeshtë, kur ka bollëk frutash dhe arrash, është një strategji e thellë evolutive mbijetese për dimrin”, u shpreh Higginson.
Ulja e aktivitetit fizik
Profesori Stuart Flint, psikolog i obezitetit në Universitetin e Leeds, shpjegon se në këtë kohë njerëzit ecin më pak dhe janë më pak aktivë fizikisht.
“Këto ndryshime ndikojnë në humor, e cila më pas ndikon në sjelljen ushqimore. Me fjalë të tjera, shpesh kërkojmë çokollatë për të ‘shkarkuar’ emocione”, ka thënë ai.
Ndryshimet në gjumë
Më pak dritë dielli rrit nivelin e melatoninës – substancë që përgatit trupin për gjumë. Kjo mund të çojë në ritme të çrregulluara gjumi. Gjumi i keq ose i pamjaftueshëm prek hormonet, metabolizmin, rregullimin e oreksit dhe ekuilibrin e energjisë – të gjitha këto mund të nxisin shtimin e yndyrës.
Mungesa e vitaminës D
Më pak rreze dielli do të thotë më pak vitaminë D – dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me rrezikun e shtimit në peshë. Vitamina D ndikon në ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe metabolizmin e glukozës.
Mungesa e saj mund të nxisë rezistencën ndaj insulinës, çka çon në rritje të sheqerit në gjak dhe më shumë depozitim të yndyrës. Ajo prek edhe hormonin e ngopjes (leptinën) dhe hormonin e urisë (ghrelinin).
Nivelet e ulëta të vitaminës D dobësojnë sinjalin “jam ngopur”, duke rritur ndjenjën e urisë. Ajo mund të rrisë edhe kortizolin, hormon stresi i lidhur me yndyrën viscerale. Për më tepër, vitamina D ndihmon në rregullimin e gjeneve që përfshihen në metabolizimin dhe djegien e yndyrës.