Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

“Bonevet Mitrovica” shënon 1-vjetorin e themelimit

Janë bërë 1 vit qëkur qytetit të Mitrovicës i është shtuar një hapësirë e re mësimore për fëmijët dhe të rinjtë që t’i zbulojnë aftësitë e tyre dhe t’i zhvillojnë ato me pasion dhe dashuri. Bëhet fjalë për institucionin “BONEVET”, që po shënon njëvjetorin e themelimit në Mitrovicë.

Gjatë tërë kësaj kohe BONEVET Mitrovica ka ofruar programe edukative inovative dhe tërheqëse në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, artit dhe matematikës për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e interesuar.

Për këtë arsye, BONEVET Mitrovica ka organizuar një panair për të prezantuar disa nga projektet dhe programet që kanë zhvilluar gjatë tërë vitit. Panairi nisi me fjalime nga drejtoresha e BONEVET Mitrovica, Eglantinë Avdiu dhe bashkëpunëtorët e institucionit. Duke vazhduar më pas me një lojë shpërblyese mjaft interesante për të pranishmit, të cilët do të fitonin si dhurata disa nga projektet e realizuara nga nxënësit e BONEVET.

Mirëpo, ata që po i gëzoheshin më së shumti këtij organizimi ishin fëmijët, të cilët gjatë tërë vitit kanë pasur mundësi të ndjekin klasa të ndryshme si LEGO, Scartch Junior, Origami, mTiny, littleBits dhe klasa të tjera. Përmes tyre fëmijët fitojnë aftësi të ndryshme si përdorimi mësimor i pajisjeve digjitale, zhvillimi i koncentrimit dhe të menduarit logjik, zgjerimi i aftësive kreative dhe imagjinatës dhe shumë aftësive të tjera të rëndësishme për ta.

Përmes panairit fëmijët kishin mundësi të shpalosnin ato që ata kishin mësuar dhe punuar gjatë kohës së tyre në “BONEVET Mitrovica”. Me shumë entuziazëm secili prej tyre prezantonte punën e tij dhe shpjegonte mënyrën e realizimit të këtyre projekteve.

I gjithë panairi shoqërohej me muzikë nga bendi lokal “Shrimps”, i cili i dhuroi një atmosferë shumë të këndshme këtij organizimi. Mirëpo, këtu nuk mbarojnë mundësitë për zhvillim që ofron “BONEVET Mitrovica”. Ata gjithashtu kanë një punëtori, ku më shumë rreth funksionit të saj dhe punës që mund të realizohet në të, na tregoi Arjanit Hasani.

Edhe Meridian Express nënshkruan marrëveshje për partneritet strategjik me BONEVET Prishtina! Reklama Meridian Express nënshkruan marrëveshje për partneritet strategjik me BONEVET Prishtina!

Përmes këtij panairi, prindërit e fëmijëve dhe të gjithë të pranishmit patën mundësi që nga afër të shihnin punën e palodhshme të fëmijëve dhe edukatorëve. I gjithë ky organizim shfaqte vullnetin e vazhdueshëm të tyre për të përmbushur synimet e këtij institucioni për të cilat na tregoi më shumë drejtoresha e “BONEVET Mitrovica”, Eglantinë Avdiu.