Kulturë

Thirrja për detoks si metaforë me muzikë e aktivitete vetëdijesuese

Thirrja për detoks si metaforë me muzikë e aktivitete vetëdijesuese

Të enjten i fundit është ngjitur në skenë Armend Rexhepagiqi, i cili ka sjellë mes tjerash edhe këngët e albumit të ri “Dashni e vjetër”. Me “Dashurinë ku e kam” e ka nisur performancën si himn i tij që ia dhuron publikut. Ndihej edhe jehona e dashurisë për këngën e tij. Është dëshmuar prej harmonisë së publikut në këngë me kantautorin

Sivjet, edicioni jubilar ka nisur të mërkurën e do të vazhdojë deri të dielën me aktivitete laramane të cilat përfshijnë muzikë, shfaqje filmash, ekspozita, biseda e diskutime, aktivitete sportive e programe për fëmijë. Me anë të këtyre, synohet të krijohet njëfarë vetëdijesimi për helmimin jo vetëm të lumenjve e të tokës, por edhe helmin që e sëmur mendjen dhe e lodh shpirtin përmes situatave politike në botë a efektet e periudhës digjitale

Parku i qytetit në Mitrovicë të Jugut gjatë këtij sezoni veror nuk ka pasur thuajse asnjë pëllëmbë toke të pashkelur, për arsye festive. E pashkelshme është edhe ideja me të cilën është nisur aktiviteti i radhës aty. Prej së mërkurës, zemra e qytetit më të madh në veri të Kosovës është zaptuar nga të rinjtë e nga të gjithë ata që ende mbajnë frymën me kujdes dhe e lëshojnë ngadalë, si për të qenë tepër të vetëdijshëm për problemet mjedisore që i shkakton faktori kryesor i problemeve në planet. Me temën “Toxicity”, edicioni i 15-të i festivalit “Green Fest” zbërthen jo vetëm helmimin e natyrës, por edhe atë që vjen si rrjedhojë e zhvillimeve globale. Festivali u kundërpërgjigjet si detoks me art.

Sivjet, edicioni jubilar ka nisur të mërkurën e do të vazhdojë deri të dielën me aktivitete laramane të cilat përfshijnë muzikë, shfaqje filmash, ekspozita, biseda e diskutime, aktivitete sportive e programe për fëmijë. Me anë të këtyre, synohet të krijohet njëfarë vetëdijesimi për helmimin jo vetëm të lumenjve e të tokës, por edhe helmin që e sëmur mendjen dhe e lodh shpirtin përmes situatave politike në botë a efektet e periudhës digjitale.

Lulzim Hoti, drejtor i organizatës “7 Arte” që e organizon festivalin, ka thënë se ky edicion vjen me një program si kundërpërgjigje me art ndaj temës.

“E kemi prekë një temë goxha të madhe, një temë që është tabu ndoshta me u përmendë, por Mitrovica dhe jo veç ajo, edhe Obiliqi e disa vende të tjera ndikojnë shumë në cilësinë e ajrit, në cilësinë e mjedisit, në cilësinë e ujit, të tokës dhe në këtë formë, potencialet për me u helmu e për me fitu sëmundje helmuese janë të mëdha, andaj ne jemi fokusu pikërisht në këtë problematikë që është helmimi, do të thotë toksiciteti, kështu që çka po ofrojmë ne përmes artit, kulturës e aktiviteteve vetëdijesuese sportive dhe rekreative, po synojmë me u detoksu, kjo është metafora jonë”, ka thënë ai për KOHËN teksa ka treguar se si çdo festival, edhe festivali “GreenFest”, duke e ditur që ka udhëtuar 15 vjet me sfida “shumëfish më të mëdha se krejt festivalet e Ballkanit dhe të Evropës”, duke e ditur që Mitrovica në specifikat e veta ndër vite na ka sfiduar çdo herë e më shumë, këtë herë ka qenë më i lehtë organizimi i festivalit.

Mëngjesi i ditës së parë të këtij edicioni ka tubuar njerëz të profileve të ndryshme në një punëtori të mbajtur në “7 Arte Academy” për të diskutuar temën e gazetarisë mjedisore. Në mbrëmje edhe është bërë ceremonia e hapjes së festivalit në parkun e qytetit në Mitrovicë.

Për gazetarinë mjedisore është folur edhe të enjten në ditën e dytë, e përveç saj janë mbajtur edhe aktivitete të tjera si punëtoria e terrariumit në kuadër të programit për fëmijë të këtij edicioni. Janë organizuar edhe “pilates” në hapësirat e hapura të parkut të qytetit. Bisedat me tematikën e sivjetme kanë filluar menjëherë në “7 Arte” në Mitrovicë, për të diskutuar për metalet e rënda me potencial toksik, e mbrëmja e ka gjetur parkun e qytetit përplot me adhurues të muzikës.

Armend Rexhepagiqi ka qenë ylli i premtuar i mbrëmjes, e krahas tij edhe artistë të tjerë. Me të rënë muzgu, ka nisur të performojë grupi i rockut “Hawolf”, në krye me Granit Havollin. Ata kanë kënduar këngë si “Bukë e krypë” dhe “Eci dathë”, derisa me tinguj rock kanë mbajtur aktive turmën e të rinjve të qytetit. Pas tyre ka dalë në skenën e improvizuar artisti Arbër Salihu, i njohur si “La Fazani”. Përcjellë nga tinguj të krijuar me sintezator e bashkë me saksofon, ai ka kënduar këngët e tij më të njohura. “Hajde me shuplakë”, “Nervoz”, e “Ruga A, B, dhe C” kanë çuar audiencën në kërcim e në duartrokitje. Edhe këngën “Oj Kosovë”, me të cilën e kishte fituar edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTK e ka kënduar duke i lënë hapësirë edhe publikut në bashkëkëndim.

I fundit e ka nisur performancën Armend Rexhepagiqi, i cili ka sjellë mes tjerash edhe këngët e albumit të ri “Dashni e vjetër”. Me “Dashurinë ku e kam” e ka nisur performancën si himn i tij që ia dhuron publikut. Ndihej edhe jehona e dashurisë për këngën e tij. Është dëshmuar prej harmonisë së publikut në këngë me kantautorin. Për atmosferën e Mitrovicës ka thënë se kishte dëgjuar prej atyre që kanë pasur rastin të performojnë aty dhe është treguar shumë falënderues e i lumtur ndaj mundësisë për të kënduar aty. Ka treguar edhe lidhjen e tij me qytetin.

“Mitrovica është vendi i zemrës sime, është vendi i prejardhjes së nënës sime, është vendi ku i kam miqtë më të mirë”, ka thënë Rexhepagiqi në skenë dhe publiku mitrovicas ka shpërthyer me brohoritje e duartrokitje.

Në këtë koncert ka përfshirë këngë si “A don hala”, “Tavolina e mërzisë”, “Shkel”, “Kutia e zezë”, “Nuk o dashni”, “Bileta” dhe “Edhe një herë”, teksa publiku ka lëvizur me ritmet e ngadalta të këtyre melodive.

“Mjaft me këto këngët e ngadalta, a jeni gati për diçka më të hareshme”, ka thënë ai para se të fillojë ta këndojë me energji këngën “Dudije”. Pas këngës “Harrova”, ai është ndalur tek kënga “Prej Prishtine për ditëlindje”, fjalët e së cilës i ka alternuar me emrin e qytetit në të cilin ka interpretuar. Ka ftuar publikun lokal për të kënduar tok me të për ta përmbyllur mbrëmjen, por siç ngjan me artistë të mëdhenj, publiku kërkon gjithnjë më shumë prej tyre. Kështu, ai e ka zgjatur repertorin e tij duke e interpretuar për herë të dytë “Dashurinë ku e kam”. Të gjitha këngëve të tij u ka dhënë një dimension tjetër artisti Adrian Berisha. Ky ndërveprim është menduar si përshtatje me kryeprotagonistin e së enjtes.

Në këtë mënyrë, Mitrovica ka treguar potencialin e një qyteti kulturor, që historikisht ka qenë nën hijen e atij industrial. Për shpeshtimin e festivaleve dhe ngjarjeve ku përfshihet arti në këtë qytet, Lulzim Hoti ka thënë se nuk është për t’u çuditur.

“S’është çudi, se Mitrovica historikisht ka qenë qytet i kulturës edhe i sportit, duke u bazu në të kaluarën e saj historike, për shkak se ka qenë një qytet industrial, kjo ka qenë në njëfarë forme edhe bërthama e zhvillimit të modernizmit, e zhvillimit të... mund të them lirisht – qoftë në skenën muzikore, qoftë në industri të tjera, por është njëfarë rikthimi aty ku ka qenë, nuk është ndonjë çudi”, ka treguar ai.

Pas këndimit dhe , emocionet kanë ngelur te publiku, i cili ka treguar se sa shumë është kënaqur.

“M’u ka dukë shumë organizimi i mirë edhe shumë mirë kanë qenë këngëtarët, domethënë La Fazani edhe Armendi e kanë kallë ndejën, kështu që shihemi te Yll Limani”, ka thënë studentja Kanita Mustafa.

Edhe shoqja e saj Rina Shala ka treguar të njëjtin entuziazëm për paraqitjet.

“Sonte kemi kalu shumë mirë, ka qenë atmosfera e mirë edhe krejt artistët që kanë këndu e kanë lënë një atmosferë të paparë, si La Fazani, edhe Armend Rexhepagiqi, sot kemi kalu fantastik”, ka thënë ajo.

Me gjithë atë llojllojshmëri të paraqitjeve prej rënies së territ mbi Mitrovicë e deri në mesnatë, publiku ka pasur mundësi ta gjejë llojin e vet të muzikës.

“Mirë shumë, si çdo herë, edhe kësaj here shumë mirë, po kalojmë mirë këtu afër, ambienti i mirë, line-upi e krejt, organizatorët. Varësisht prej shijes, ka pasur laramani të artistëve, kështu që okej ka qenë në përgjithësi”, ka thënë Besart Peci, i cili është mësimdhënës në një shkollë lokale.

Ditët në vazhdim premtojnë edhe shumë aktivitete të tjera të ngjashme me ato të së enjtes. E premtja ka sjell këngëtarin Yll Limani, krahas shumë artistëve të tjerë vendorë, për ta argëtuar publikun, por pa e harruar misionin e festivalit. Edicionin e kaluar, festivali qe mbajtur prej 14 deri më 18 gusht po në parkun e qytetit. “Lum Na” kishte qenë tema që shpjegohej si “iniciativë që synon të ndërgjegjësojë publikun për ndotjen e ujit dhe lumenjve në Kosovë”.