Me “Toxicity”, edicioni i sivjetmë i “Green Festit” zbërthen jo vetëm helmimin e natyrës. “Tema, jo rastësisht e zgjedhur, është fjala për helmimin. Jo drejtpërdrejt për helmimet në aspektin shëndetësor, edhe pse synimi ynë është që të trajtojmë probleme të tilla. Por toksiciteti është edhe në aspektin e zhvillimeve që po ndodhin në niveli kombëtar apo botëror në aspektin metaforik të një gjendjeje jo të mirë, jo të favorshme, jo të mirëqenë sa duhet. Programi është në një formë si kundërpërgjigje e si detoks nëpërmjet artit”, ka thënë Lulzim Hoti, drejtor i Festivalit
Midis festivaleve që kryesisht u dedikohen disiplinave e mediumeve artistike, “Green Fest” ka tjetër mision. Mëton ta kthejë Mitrovicën në qytet të gjelbër. Për pesë ditë, edhe sivjet i bën ambientet e hapura si hapësira artistike me ngjarje që ndërlidhen me temat mjedisore. Me “Toxicity” zbërthen jo vetëm helmimin e natyrës, por edhe atë që vjen si rrjedhojë e zhvillimeve globale. Festivali u kundërpërgjigjet si detoks me art.
Aventura e sivjetme e festivalit, e 15-ta me radhë që mbahet prej 13 deri më 17 gusht, përfshin muzikë, film, ekspozita, biseda, sport, program për fëmijë dhe jo vetëm. Tema i referohet helmimit jo vetëm për lumenjtë e tokën e helmuar. Por, edhe toksiken që i vjen njeriut si helmim i mendjes e lodhje e shpirtit nga situatat politike në botë a efektet e epokës digjitale.
Lulzim Hoti, drejtor i organizatës “7 Arte” që e organizon Festivalin, ka thënë se programi i këtij edicioni është si kundërpërgjigje me art ndaj temës.
“Tema, jo rastësisht e zgjedhur, është fjala për helmimin. Jo drejtpërdrejt për helmimet në aspektin shëndetësor, edhe pse synimi ynë është që të trajtojmë probleme të tilla. Por toksiciteti është edhe në aspektin e zhvillimeve që po ndodhin në niveli kombëtar apo botëror në aspektin metaforik të një gjendjeje jo të mirë, jo të favorshme, jo të mirëqenë sa duhet. Programi është në një formë si kundërpërgjigje e si detoks nëpërmjet artit”, ka thënë ai për KOHËN.
Me “Toxicity” e sfidon normalitetin e helmuar duke e bërë atë të dukshëm. Hoti merr për bazë hapësira konkrete në praninë e të cilave qytetarët jetojnë dhe mund të ndikohen pa qenë të vetëdijshëm.
“Tema lidhet edhe me ndotjen e mjedisit në zonat e Mitrovicës. Me theks të veçantë në ato zona që kanë pasur ndikim të madh në industri, ato që njihen si deponi me mbetje minerare ose kimikate me potencial toksik, e të cilat ekzistojnë në tokën e Mitrovicës dhe të rrethinës. Rrallëherë merren masa preventive e informuese që qytetarët të mbrohen për rreziqet e mundshme”, ka thënë ai duke përmendur efektet e këtyre deponive.
“Po e zëmë, nëse një ditë fryn erë e madhe, qyteti mbulohet nga një pluhur i cili drejtpërdrejt vjen nga këto deponi, e që në raste të tilla do të ishte e mirë të njoftoheshin qytetarët të qëndronin brenda hapësirave ngase mund të rrezikohen nga ky lloj pluhuri”, ka thënë Hoti më tej.
Synimet e festivalit janë të qarta dhe pa pretendime madhore.
“Ne si organizatë nuk jemi duke synuar ta zgjedhim këtë problem, por të paktën po provojmë ta nxisim një debat, të ngremë një çështje që ekziston dhe të shohim se si mund të gjejmë metoda më atraktive për ta përmirësuar apo reduktuar dëmin që shkaktohet nga këto mbetje”, ka thënë drejtori i festivalit.
Përpjekjet për ndërgjegjësimin mbi temat mjedisore janë misioni i Festivalit. Si zakonisht, shumica e ngjarjeve zënë vend në Parkun e Qytetit.
“Edhe sivjet pjesa festive e Festivalit organizohet në Parkun e Qytetit, ndërsa aktivitetet rekreative sportive janë ose tek liqeni, ose në zonat e tjera të parkut, kryesisht pjesa që ka të bëjë më shumë me programin edukativ dhe të tjera. Pjesa artistike ku është paraparë të shfaqen filma dokumentarë do të jetë si një lloj kinemaje e hapur në Parkun e Qytetit. Ekspozitat gjithashtu do të jenë në ambient të hapur, sikur edhe netët muzikore që do të jenë për tri net me rend”, ka bërë të ditur Hoti.
Hiking, çiklizëm, joga dhe pilates, janë prej aktiviteteve sportive që organizohen. E në kuadër të “GreenTalks” për katër ditë do të trajtohen problematikat mjedisore të bazuara në gjetje shkencore. Hoti ka bërë të ditur se prej temave të këtij programi të Festivalit janë potenciali dhe rreziku nga mbetjet industriale në hapësirat e Mitrovicës, e kaluara e Trepçës, trashëgimia e saj dhe dëmet që i janë shkaktuar mjedisit dhe deri tek e ardhmja e mbetjeve.
Programi i plotë i Festivalit pritet të publikohet. Por, ka zbuluar agjendën e ceremonisë së hapjes.
“Në hapje të Festivalit janë fjalimet hapëse, shpalosja e programit, një pikë performuese nga një pikë e Baletit të Kosovës që do të trajtojnë një temë me koreografi që lidhet me toksicitetin, një ekspozitë me fotografi të deponive dhe gjendjes mjedisore në Mitrovicë, si dhe muzikë”, ka treguar Hoti.
Për mbylljen ka thënë se ky moment do të shënohet me shfaqjen e një filmi dokumentar nga Bosnja që trajton problemin e ndotjes nga industria në qytetin Zenicë.
“Shpresojmë që këtë film ta shfaqim në pjesën veriore të Mitrovicës, ku tashmë veçse jemi duke planifikuar se si ta shfaqim në një ambient të hapur publik”, ka shpjeguar Hoti.
Duke u ndërlidhur me temën e sivjetme, ka thënë se arti vjen edhe si shërim për njeriun.
“Kohët e fundit, sidomos në shtetet perëndimore, mjekët në vend që të japin recetë me medikamente, kohëve të fundit u thonë të shohin një shfaqje teatrale, një operë, ekspozitë, ngase vetë mjekësia ka konstatuar që arti është një terapi e veçantë, jo për t’u shëruar, por për të pasur një lehtësim emocional psikologjik shumë më të shpejtë e më efikas sesa me medikamente. Kësisoj, ajo çfarë ne synojmë është që të sjellim program sa më interesant, artistik, në mënyrë që njerëzit të kenë kohë të mirë”, ka thënë ai.
Ka theksuar se për një javë nuk priten ndryshime, porse synohet përmirësimi i gjendjes shpirtërore.
“Nuk synojmë të ketë ndryshime të mëdha për një javë, por t’i nxisim njerëzit që me këto aktivitete të fillojë detoksifikimi e përmirësimi i gjendjes shpirtërore e shëndetësore në aspektin më të gjerë të fjalës”, është shprehur Lulzim Hoti, drejtor i “Green Festival”.
Edicionin e kaluar Festivali u mbajt prej 14 deri më 18 gusht në Parkun e Qytetit të Mitrovicës. “Lum Na” qe tema që shpjegohej si “iniciativë që synon të ndërgjegjësojë publikun për ndotjen e ujit dhe lumenjve në Kosovë”.