Mitrovica e Veriut do të bëhet edhe me një shkollë, që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Gurthemeli është vënë në lagjen Kodra e Minatorëve dhe projekti parashihet të përfundojë për 15 muaj
Lagjes “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicë të Veriut do t’i shtohet një objekt i ri shkollor. Në komunën me shumicë serbe, shkolla ndër të paktat që punon sipas sistemit kushtetues të Kosovës, do të ketë kapacitet për 350 nxënës.
Pak kohë përpara se ta lë karrigen për kryetarin serb që fitoi në zgjedhjet lokale, kryetari aktual Eden Atiq ka folur për projektin, të cilit të martën i është vënë gurthemeli.
“Një projekt i Qeverise Kurti, Ministrisë së Arsimit. Sapo e përfunduam inaugurimin e projektit të shkollës fillore. Kjo është shkolla e dytë, pas asaj në lagjen e Boshnjakeve, në inaugurimin që e bëmë me 3 tetor. Ky projekt pritet të përfundohet brenda 15 muajve. Shkollë me kapacitet 350 nxënës. Faleminderit Qeverisë, Ministrisë”, ka thënë Atiq.
Në veri, nxënësit shqiptarë kanë vijuar mësimet deri vonë në objekte kontejner.
Projekte të reja në këtë pjesë të vendit ka premtuar një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit.
“Kostoja e këtij projekti është 2.3 milionë euro. Edhe kryetari e ceku se është objekti i tretë infrastrukturor në komunën e Mitrovicës së Veriut, pas shkollës dhe çerdhes në Lagjen e Boshnjakëve.
E sot e inauguruam edhe këtë objekt, edhe do të vazhdojmë edhe me investime të tjera”, ka thënë Muhedin Nushi, këshilltar i lartë në MASHT.
Veriu është shpopulluar nga shqiptarët, menjëherë pas lufte.
Por, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se veprimet që janë ndërmarrë në këtë pjesë në funksion të shtrirjes së rendit ligjor e kushtetues, do të shoqërohen edhe me investime.
“Rinia jone jo vetëm të ketë kushte për mësim, por të kenë edhe një perspektivë, në një ambient të sigurte për të gjithë. Unë jam jashtëzakonisht i lumtur, qe po vazhdojmë me këto lloj projektesh në këtë zonë, e cila deri vonë është njohur si zonë problematike, e tash është kthyer në një zonë prosperuese për të gjithë banoret”, ka thënë Sveçla.
Shkolla në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicë të Veriut pritet të përfundojë brenda 15 muajve.
Në këtë komunë dhe në të tjerat me shumicë serbe, funksionojnë kryesisht shkolla konform sistemit të Serbisë e edhe në masë financohen nga ky shtet.
VIDEO: