Kjo është Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Përparimi” në Prishtinë, vendi në të cilën 117 fëmijë me aftësi të kufizuara, intelektuale e të shumëfishta marrin shërbim edukativo-arsimor.
Si çdo institucion tjetër arsimor në vend, edhe “Përparimi” mirëpret nxënës që nga klasa e parë e deri në përfundim të shkollës së mesme nga e cila profilizohen në drejtimin e hortikulturës dhe bujqësisë.
“Qendra burimore është institucion edukativo-arsimor që iu dedikohet nxënësve me nevoja të veçanta, intelektuale dhe të shumëfishta, përveç shërbimeve edukative po ashtu kemi shërbime mbështetëse me ekipin e mësuesve për nxënësit që janë të integruar në shkolla të rregullta duke i ndihmuar mësimdhënësi dhe stafi i këtyre shkollave me hartimin e planit individual, pastaj materiale të ndryshme. Brenda qendrës kemi 117 nxënës nga klasa 1 deri në klasën e 12-të, janë të përfshirë nxënësit në 3 nivele, shkolla e mesme e lartë janë nxënës që vijojnë në drejtimin e hortikulturës dhe bujqësisë dhe fëmijët përgatitën në këtë profesion, e klasa 1-5 nxënësit mësojnë përmes programit fusha të aktiviteteve”, U.D. drejtoreshë e Qendrës Burimore “Përparimi”, Drita Dushi Parduzi.
Në këtë shkollë në ciklin e ulët kryesisht janë nxënës nga Prishtina, e në të mesmen u hapen dyert edhe atyre të Ferizajt, Shtimes e Lipjanit, që sipas udhëheqësve të shkollës mezi presin të vijnë në këto ambiente, e madje janë një ndër shkollat me më së paku mungesa të nxënësve.
“Nxënësit i kemi kryesisht nga Prishtina, cikli i shkollës së mesme përfshin edhe fëmijë të komunave të tjera nga Ferizaj, Shtimja e Lipjani. Nga përvoja që kam këtu më së paku mungesa kanë këta nxënës, dëshira e madhe e tyre për socializim dhe integrim i bënë të vijnë me vullnet por edhe qasja e mësimdhënësve me pozitivitet i bënë që ata me ardhë me shumë dëshirë në shkollë”, tha Parduzi.
Secili kënd i shkollës është i dizajnuar që këtyre fëmijëve të u japë ngrohtësi shtëpie. Aty është edhe dhoma sensorike në të cilën në raste kriza emocionale apo edhe ankthe kjo hapësirë është ndihmesë e madhe në tejkalimin e kësaj situate.
“Kjo është dhoma sensorike, një ambient i strukturuar për të stimuluar aspektin shqisor të fëmijëve, kjo dhomë është relaksim dhe mjet i rëndësishëm terapeutik që shërben në përballimin e sfidave të përditshme të fëmijëve. Neve na shërben edhe në aspektin e rregullimit emocional te fëmijët kur përjetojnë ankth ose kanë kriza emocionale kjo dhomë ka efekt në relaksimin dhe rimarrjen e kontrollit nga ana e tyre”, psikologia Blerina Halilaj.
Përpos stafit arsimor, pedagogut e psikologut, shkolla aktualisht ka nevojë edhe për staf shtesë si logoped e ergoterapeut në mënyrë që rezultatet e këtyre fëmijëve të jenë më afatgjate e të shpejta.
“Fatkeqësisht na mungon stafi rehabilitues, përveç psikologut dhe pedagogut kemi mungesë të stafit tjetër siç është logopedi ergoterapeuti, nëse do të ishin ata këtu do ishte më efikase dhënia e shërbimeve tona, në krahasim me numrin e fëmijëve për mua është sfiduese me i mbulu nevojat e të gjithëve”, tha Halilaj.
Sipas udhëheqësve të shkollës, numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara po rritet, por jo edhe i stafit. Andaj edhe po bëhen trajnime falas për mësimdhënësit e shkollave të tjera të vendit që sadopak ata që kanë në klasën e tyre një fëmijë me probleme të ndryshme të dinë se si të qasen ndaj tyre.
“Qendra jonë posedon ekipin e trajnimit që ka trajner të specializuar, ekspert mësimdhënës që e bëjnë një punë të madhe kemi programin e akredituar nga këshilli shtetëror për licencimin e mësimdhënësve ky trajnim është mësimdhënia cilësore për edukim gjithëpërfshirës. Qëllimi pse jemi duke mbajtur këto trajnime me mësimdhënës të komunave dhe niveleve të ndryshme është se gjatë punës në teren kemi pa nevojën që mësimdhënësit hasin në vështirësi me qasjen e mësimdhënie me fëmijët me aftësi të kufizuara, hasin në vështirësi në planifikim të planit individual e në të nxënë e prandaj e kemi pa të nevojshme me pas këso trajnime të cilat janë falas, ata certifikohen me 54 orë”, tha Diana Ademi, koordinatore e trajnimeve.
Gjithë nxënësit që vijojnë në qendrën “Përparimi” transportin aktualisht e kanë të siguruar nga Ministria e Arsimit. Po ashtu atyre u sigurohet edhe një shujtë ditore brenda qendrës.
Si klasë e veçantë është edhe punëtoria e dorës, ku nxënësit punojnë varëse, nga shitja e së cilave sigurojnë materialet për punimet e ardhshme.