Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PIKË me Veton Surroin

Pse u përjetua rënia e Rankoviqit si rilindje e Kosovës?

pika

Surroi: Përshëndetje, në PIKË është pjesa e dytë e bisedës me dr. Milivoj Beshlin, historian nga Beogradi. Mirë se vini!

Vazhdojmë aty ku e lamë. Mbetëm te fundi i periudhës midis dy luftërave botërore, po arrijmë në fillimin e LDB-së. Jugosllavia shpërbëhet brenda një jave dhe Kosova e gjen veten në një situatë ku hyrja e italianëve perceptohet si çlirim dhe kjo krijon një marrëdhënie të re, sepse italianët sjellin hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe. Babai im vijoi shkollën shqip për herë të parë kur erdhën italianët, dhe brezi i tij, flamuri shqiptar valëvitej dhe përdorimi i gjuhës shqipe përnjëherë bëhet normalitet, dhe kjo më pas reflektohet në marrëdhëniet me luftën antifashiste.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

VIDEO:

Beshlin: Po. Duhet të kthehemi pak prapa dhe të kujtojmë atë që e kemi folur. Se politika diskriminuese e Mbretërisë së Jugosllavisë ndaj, kryesisht, popullsisë shqiptare në Kosovë në rend të parë, pa me faktin se nuk kishte shkollë, se nuk kishte mundësi për përdorimin e gjuhës.

Surroi: Nuk kishte përfaqësim politik...

Beshlin: Asnjë përfaqësim politik përveç një lloj përfaqësimi minimal dhe margjinal brenda “Xhemijetit”; se kishte diskriminim ekonomik, se shqiptarët nuk morën pjesë në reformën agrare, Përkatësisht, në fakt morën pjesë si objekt sepse iu është marrë toka.

Surroi: Dhe u është dhënë kolonëve...

Beshlin: ...iu dha kolonëve, ashtu që nga njëra anë, meqë i kërkonin dëshmitë e pronësisë, tapitë, nga periudha osmane, e ato askush nuk i kishte, pra nga njëra anë, në një pjese jashtëzakonisht agrare të shoqërisë së Jugosllavisë, konfiskohej toka, e nga ana tjetër merreshin edhe kullotat e livadhet pra, pos popullsisë bujqësore, as ajo blegtorale nuk ka mundur të mbijetojë kështu që ishte shumë e rëndë, në të gjitha anët, për mbijetesë, prandaj edhe nuk është rastësi që italianët, pas copëtimit pushtues të Jugosllavisë, që pushtuesi italian, u prit në të vërtetë, si çlirimtar.

Sa i përket Lëvizjes Antifashiste, e cila natyrisht udhëhiqet në Jugosllavi nga Partia Komuniste nën udhëheqjen e Titos, e cila e fillon të gjithë këtë luftë me përcaktime shumë të qarta antifashiste, që në fakt datojnë që nga mesi i viteve ‘30, kur partia hyri në atë fazë të frontit popullor... herën e fundit përmendëm se si evoluoi ajo në çështjen kombëtare nga vera e 1919-tës kur ishte unitare, kur besonte se ishte një komb dhe se duhej të ishte një shtet unitar deri më 1923, kur filluan të flisnin për faktin se kjo s’ishte kështu, se ata janë popuj të ndryshëm dhe aty nga 1924-ta deri në mesin e viteve ‘30, deri më 1934, nis politika separatiste e partisë, ta quajmë kështu, që përpiqej për pavarësinë e Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe për vetëvendosjen e hungarezëve të Vojvodinës dhe shqiptarëve të Kosovës, bashkimin me Shqipërinë, ashtu që kjo të ndryshojë sërish diku nga viti 1935, nga koha e vitit kur hyhet në fazën e frontit popullor, kur konsiderohej se fashizmi ishte problemi kryesor dhe se Jugosllavia duhej të mbijetonte për t’u mbrojtur nga fashizmi.

Surroi: Dhe kjo nuk është produkt i Jugosllavisë, në fakt është produkt i Kominternës, që theksonte se partitë komuniste duhet t’i kenë forcat e tyre të armatosura.

Beshlin: Po, po, dhe ajo ishte tashmë koha kur filloi Lufta Civile Spanjolle dhe kur përcaktimet antifashiste të vetë Bashkimit Sovjetik ishin shumë të qarta, të cilat nuk ishin kontestuese.

Por nga ana tjetër e partisë, PKJ-ja ka ende diçka specifike të vetën, dhe kjo është se ata gjithashtu e kuptojnë, kur hyjnë në atë fazën e frontit popullor dhe kur fillojnë ta mbrojnë ruajtjen e Jugosllavisë dhe rezistencën e saj ndaj fashizmit, shqetësimi i tyre mbetet për çështjen kombëtare dhe nevojën që shteti ta bëjë atë çështje kombëtare, që ishte çështje urgjente në Mbretërinë e Jugosllavisë, shtet i cili më në fund ra natyrisht me presionin e pushtuesve, mbërrijnë te pikëpamja se federalizmi, zgjidhja federaliste është ajo që do ta zgjidhë në të vërtetë çështjen. Prandaj, kur filloi lufta, ishin të vetëdijshëm, flasim për komunistët jugosllavë, se jo vetëm shqiptarët, por edhe shumë popuj në Jugosllavi që ishin të shtypur, të diskriminuar politikisht, ekonomikisht, identitarisht, etj., i pritën pushtuesit si një lloj çlirimtarësh, dhe për këtë arsye, ata dalin me proklamatën ku paralajmërojnë se çështja kombëtare do të zgjidhet, se do t’i jepet vëmendje jo vetëm emancipimit kombëtar megjithatë, natyrisht që në Kosovë, pas të gjitha atyre përvojave, kjo nuk pati jehonë të madhe sidomos meqë njerëzit kryesorë të partisë ishin në fakt ata me origjinë sllave, Milladin Popoviq, Dushan Mugosha etj., pra, serbë, përkatësisht malazezë.

Surroi: E në mesin e tyre edhe kolonë

Beshlin: Pikërisht, po. Pra, në thelb, atmosfera e shumicës në Kosovë ishte në fakt kolaboracioni. Kosova ishte në thelb e ndarë, pjesa më e madhe e saj ishte në atë zonë pushtimi italian, e cila përndryshe ishte, si të them, më pak represive se ajo gjermane në veri, atje në Mitrovicë, ishte gjermane dhe ajo pak që ishte brenda zonës pushtuese bullgare...

Surroi: Shtërpcë dhe Kosova Lindore. Pata folur me disa njerëz që morën pjesë në Konferencën e Bujanit, ndër ta, Fadil Hoxha, i cili ishte organizatori kryesor, dhe përshtypja e tyre deri në fund të jetës, ishte se Kosova ishte një lloj zorrë qorre edhe për Shqipërinë edhe për Jugosllavinë, për të dyja lëvizjet komuniste, për të dyja lëvizjet çlirimtare kombëtare, dhe se edhe kur i pyeta se si ngjau Bujani, thjesht kishin dëgjuar në radio se po përgatitej Jajca dhe se u mbajt Jajca, KAÇKJ-ja e madhe, dhe pastaj vendosën: “Ne nuk na kanë ftuar, Ne është dashur ta bëjmë”

Dhe kjo në fakt më shërbeu si një reflektim mbi Bujanin si një metaforë për një lëvizje që nuk është as për Shqipërinë dhe as për Jugosllavinë, por dëshiron të krijojë një lloj identiteti në historinë që ende po ndodh...

Beshlin: Po, e thatë mirë. Në fakt, konteksti i vetë konferencës së Bujanit ishte në fakt KAÇKJ-ja, po flasim për Mbledhjen e Dytë të KAÇKJ-së, i cili ishte shtet-themelues dhe që pati pasoja të gjera për zhvillimin e mëtejshëm në Jugosllavi, flasim për partizanët, komunistët, para së gjithash, që e kishin të qartë tashmë se po shkonin drejt formulës fituese, dhe drejt një lëvizjeje fitimtare antifashiste, ata u përpoqën shumë ta përgatitnin mirë KAÇKJ-në. Kur them u përpoqën kishte trajtim të pabarabartë të pjesëve të ndryshme të Jugosllavisë.

Nuk ishte kontestuese, por për shkak të mënyrës se si ishin formuar krahinat e luftës, si ishin formuar shtabet kryesore, njësitë e ardhshme federale jo vetëm që mund të hamendësoheshin, por mund të parashikoheshin shumë qartë përmes formimit të atyre krahinave të luftës. Kishte shtabe kryesore ushtarake për Serbinë, Kroacinë, Slloveninë, etj., të gjitha ato që do të jenë shtetet e ardhshme federative.

Surroi: Dhe për Vojvodinën…

Beshlin: Po, ashtu është, Vojvodina kishte shtabin e vet, e mbi të gjitha ishte komanda jugosllave, shtabi suprem kryesuar nga Tito. Gjithashtu, kishte komitete krahinore të partisë në Serbi, Kroaci, përsëri për Vojvodinën, mbi të gjitha ishte Komiteti Qendror i Jugosllavisë dhe ishin Këshillat kryesore nacionalçlirimtare, kaq ishte.

Surroi: - Pushteti civil.

Beshlin: Ashtu është, pushteti civil, pra organi përfaqësues, sepse në fakt revolucioni jugosllav, pra ne, së bashku me luftën antifashiste, kemi edhe një revolucion socialist ku formohen organe të reja qeveritare që nga viti 1941, pra Këshillat Nacionalçlirimtare (KNÇ), të ashtuquajturat organe të përkohshme qeveritare që do të marrin përsipër qeverisjen civile nga niveli lokal e lart.

Përmes këtyre tri rregullimeve institucionale, tashmë kishe një paralajmërim se si do të dukej shteti i ri federal, ishte plotësisht e qartë..., ashtu siç nuk ishte rastësi që Tito erdhi nga Zagrebi në Beograd në maj të 1941-tës, kur ishte tashmë e qartë, jo vetëm që Jugosllavia kishte kapitulluar, ushtria e saj, dhe nuk ishte një shtet formal... qeveria ishte në Londër, Tito më vonë tha në mënyrë sarkastike: “Kur pashë se si kroatët i pritën gjermanët, erdha”...

Natyrisht, kjo nuk ishte tamam kështu. Ai ishte shumë i vetëdijshëm për faktin se duhej të vinte në Serbi dhe të mbështetej kryesisht te serbët në atë rezistencë ndaj gjermanëve, për të ndërtuar mbi ndjenjat çlirimtare, madje antigjermane nga Lufta e Parë Botërore, dhe kështu gjëja tjetër kyçe, përveç lëvizjes çlirimtare, ishte se ai duhej ta bindte Serbinë, shumicën e serbëve, për sistemin federativ.

Kjo ishte shumë e vështirë në Serbi për shkak të faktit se që nga shekulli i 19-të, Serbia ishte një vend homogjen, një shtet unitar, kryekëput centralist. Gjatë gjithë ekzistencës së Mbretërisë së Jugosllavisë, mendimi politik dominues serbi rezistoi çdo federalizimi të shtetit, kur ai federalizim filloi me formimin e Banovinës (Qarkut) të Kroacisë në gusht të 1939-tës me marrëveshjen Cvetkoviq-Maçek, në Serbi pati rezistencë të fuqishme pikërisht nga Klubi Kulturor Serb. Pra, ishte e nevojshme thjesht që Serbia të joshej për federatën. Dhe gjatë luftës, jo spontanisht, por me paramendim, institucionalisht, ndërtohen këto njësi të ardhshme federative brenda Jugosllavisë. Vojvodina është përfshirë, dhe në vitin 1940, Vojvodina u caktua si njësi federative në konferencën e partisë, sepse në atë kohë flitej për shtatë njësi federative. Zharko Zrenjanin ishte ende gjallë atëherë, ai është një njeri i fortë

në krye të partisë. Ata ende nuk e dinë atëherë, pra po kalojmë në 1943-tën dhe KAÇKJ-në, ende nuk e dinë çka të bëjnë me Bosnjë e Hercegovinën, pasi, kjo ishte shumë e rëndësishme, në KAÇKJ vendosin ta krijojnë Jugosllavinë e re federative, mbi parime kombëtare.

Dhe në vetë KAÇKJ-në, ata thonë: serbët, kroatët, sllovenët, malazezët, maqedonasit e formojnë shtetin e ri jugosllav, një federatë të re. Para kësaj, nuk dinin çka të bëjnë me Bosnjë e Hercegovinën, sepse aty nuk ka komb dominues. Pastaj shkojnë me idenë e aneksimit të saj nga Serbia, pastaj aneksimin e saj nga Kroacia, pastaj e kuptojnë se do të krijojnë një Serbi të madhe ose një Kroaci të madhe nëse e bëjnë këtë, dhe pastaj shkojnë për mundësinë e autonomisë së lidhur me federatën, gjë që do të ishte pak asimetrike, dhe në fund vendosin për një zgjidhje, siç do të thosha, shumë logjike, që Bosnjë dhe Hercegovina të jetë një njësi federative e barabartë, por që parimi i saj të mos bazohet në një identitet kombëtar, por në tri identitete, dhe se baza për konstituimin e saj si shtet federal të jetë historike. Madje thoshin, më duket e tha Hasan Brkiq, “ne i zhvarrosëm themelet mesjetare të shtetit boshnjak”.

Surroi: Që në fakt ishte shtet qytetar, ndoshta republika e parë qytetare në Jugosllavi.

Beshlin: Në njëfarë mënyre, po, thjesht sepse ai legjitimitet...

Surroi: Antifashist dhe qytetar.

Beshlin:...ai legjitimitet kishte bazë të trefishtë. Natyrisht, në një koncept të tillë, nuk ka vend për Vojvodinën, që ishte logjike, dhe e thonë këtë në KAÇKJ: serbët, kroatët, sllovenët, maqedonasit formojnë shtetin e Jugosllavisë, si të tillë ata kanë të drejtë në shtetet e tyre federative, por, pastaj vjen amendamenti i Sulejman Filipoviqit ku thuhet, “përkatësisht popujt e Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, me të cilin myslimanët e Bosnjë e Hercegovinës hynë në themelet e federatës jugosllave.

Në një koncept të tillë, nuk ka vend për Vojvodinën, natyrisht, as për Kosovën. Ato nuk përmenden. Tito do ta përmendë Vojvodinën në mars të 1944-tës kur i arsyetonte vendimet e KAÇKJ-së, kur tha se qytetarët e Vojvodinës do të vendosin për të. Në rrethana të tilla, natyrisht, as Kosova nuk u përmend, Sanxhaku madje u përmend para KAÇKJ-së, që do të thotë se Sanxhaku në një çast e pati Këshillin e vet antifashist, që do të shuhej më vonë...

Kosova nuk është e përfshirë këtu fare. Nuk përmendet, nuk diskutohet për të në vetë udhëheqjen e partisë. Dhe një nga pasojat e kësaj ishte Konferenca e Bujanit, në kapërcyell të viteve 1943/44.

Surroi: A mendohej në atë kohë, në udhëheqjen jugosllave, nuk e di nëse Tito, Kardeli apo dikush tjetër e ka përmendur, porse mendonin në atë kohë se përfundimisht Kosova do të ishte pjesë e Shqipërisë dhe se kjo duhet të bëhej me një luftë antifashiste dhe iu referuan kësaj.

Por nuk ka dëshmi historike që të ketë pasur ndonjë komunikim midis udhëheqjes së Kosovës dhe udhëheqjes së Jugosllavisë. I vetmi njeri që komunikonte ishte “Tempo”, i cili i shikonte gjërat në mënyrën e vet. Dhe nga kjo anë në Shqipëri, nuk kishte komunikim me udhëheqjen shqiptare.

Beshlin: Po. Dhe ata në Bujan vendosin atë që e vendosin, madje i premtojnë popullsisë, përkatësisht nuk është, madje, as ekskluzivisht reagim ndaj KAÇKJ-së. Është një reagim ndaj kapitullimit të Italisë, ndaj faktit që Italia ishte një faktor shumë i rëndësishëm, që pushoi së ekzistuari në shtator të 1944-tës, që tash një numër i konsiderueshëm njerëzish, popullsia e Kosovës, po i bashkohet LNÇ dhe, në fakt, masat popullore duheshin bërë për vete.

Nuk ishte as përtej logjikës që kishin partizanët në pjesë të tjera të Jugosllavisë, ku premtonin gjëra të ndryshme me qëllim që të joshnin masat e gjera të njerëzve për t’u përfshirë në lëvizje. Por siç e dimë, Konferenca e Bujanit u anulua, vendimet u anuluan nga udhëheqja jugosllave...

Surroi: Nuk u anuluan, në fakt u tha se ishin të parakohshme…

Beshlin: ...të parakohshme, po, por në fakt ata i refuzuan...

Surroi: Ose e vendosën ad acta... Dhe pastaj u reflektua në një mënyrë tjetër sepse pati një çast tjetër që pati një ndikim të rëndësishëm, dhe ai ishte pas marrëveshjes midis Titos dhe Mbretit, në fakt kryeministrit të tij Shubashiq, pati një thirrje të gjithë atyre që ishin në anën tjetër, në Kroaci dhe Serbi, të bëheshin pjesë e Lëvizjes NÇ-së, atëherë tashmë Ushtrisë së Jugosllavisë ose UNÇ-së dhe bashkohen “domobranët” në Kroaci, çetnikët në Mal të Zi, Serbi, dhe në Bosnjë natyrisht, pa udhëheqësit çetnikë.

Por kjo nuk ndodh në Kosovë. Ajo thirrje thjesht nuk erdhi kurrë në Kosovë, që ata që luftuan kundër të jenë pjesë e saj. Dhe kjo pati një ndikim të rëndësishëm në fërkimet e brendshme midis shqiptarëve, dhe një çast që reflektohet tashmë në fund të viteve 1944/45 është se ekziston një perceptim midis shqiptarëve në Kosovë se njësitë e brigadës së Bokelit dhe brigadave të tjera që hyjnë në Kosovë, janë në fakt një pjesë e mirë e tyre, thjesht u shndërruan nga çetnikë në partizanë dhe erdhën në Kosovë brenda pak javësh.

Beshlin: Po, pas marrëveshjes së parë midis Titos dhe Shubashiqit në gusht të 1944-tës, Qeveria, atëherë në Londër, e publikon proklamatën se të gjithë duhej të bashkoheshin. Pason thirrja e Titos... në thelb ishin dy amnisti, ato përfshinin të gjitha njësitë kolaboracioniste, përveç, për shembull, njësitë e Lotiqit, përveç ustashëve, por edhe “domobranët”, çetnikëve, natyrisht, gjithmonë ekzistonte ajo “përveç atyre që kryen krime”.

Si rezultat, në muajin shtator, më 12 shtator 1944, Mbreti Petar II ftoi të gjitha njësitë që ishin nominalisht nën komandën e tij, që morën kurorën e tij si legjitimitet të tyre politik, të bashkoheshin me ushtrinë çlirimtare të Mareshalit Tito, dhe ai vetë thotë, “ata që nuk e bëjnë këtë”, u drejtohej kryesisht çetnikëve atëherë, “do ta mbajnë shenjën e tradhtisë dhe nuk guxojnë të më referohen”, etj. Pra, në fakt ishte një platformë shumë e gjerë mbi të cilën Lëvizja NÇ po përpiqej të...

Përndryshe, ajo që më vonë do të interpretohej si pajtim kombëtar si në Serbi ashtu edhe në Kroaci, d.m.th. më vonë do të flitej për nevojën e pajtimit kombëtar edhe pas vitit 1990, u fol shumë për të, dhe “pajtimi kombëtar” thelbësor u krye kur partizanët pranuan në radhët e tyre shumë nga ata që ishin anëtarë të njësive të ndryshme kolaboracioniste. Nuk është se pati një jehonë të veçantë në Kosovë dhe te vetë partizanët jugosllavë kur erdhën, njësitë e tyre, nuk patën një pritje të mirë në Kosovë dhe rezultati i kësaj ishte, ndër të tjera, edhe kryengritja në dimrin e vitit 1944/45, që përfshinte kryesisht Drenicën, por edhe disa pjesë të tjera të Kosovës, gjë që do të ndikojë shumë në faktin se qeveria e re jugosllave do të tregojë një dell represiv atje, por është thjesht një fakt se lufta nuk kishte mbaruar ende, etj., se ata atëherë ishin në fronte të tjera, dhe për këtë arsye, ndër të tjera, u fut Administrimi Ushtarak, në shkurt 1945 dhe një përballje mjaft vendimtare me të gjithë kryengritësit që nuk e pranuan pushtetin e ri. Dhe ky Administrim ushtarak zgjat praktikisht deri në verë, deri në qershor të 1945-tës, kur situata do të qetësohet kur të krijohen rrethana në një mënyrë politike dhe ligjore të zgjidhet statusi i Kosovës.

Ata nuk e dinin vërtet si t’ia bëjnë për një kohë të gjatë, sepse Partia Komuniste e Serbisë nuk u konstituua për një kohë të gjatë, dhe vetë Kuvendi Antifashist i Serbisë nuk ishte, sepse nuk e kishin të qartë se ku janë kufijtë e Serbisë; dhe çka do të përfshijë tash vetë Serbinë; a është Vojvodina, Kosova, Sanxhaku...

Pastaj Këshilli Antifashist i Sanxhakut u shua, u nda midis Serbisë dhe Malit të Zi, dhe pastaj në verën e vitit 1945, vendosën që, natyrisht, Kosova dhe Vojvodina do të integroheshin, në kapacitete të ndryshme, brenda shtetit federativ të Serbisë.

Dhe kështu, në muajin korrik, më 8 korrik 1945, u mblodh Kuvendi Rajonal Antifashist i Kosovës dhe aty, gjatë atyre dy ditëve, u vendos që, përkatësisht, Kuvendi duhej ta legjitimonte situatën faktike ekzistuese pas shtypjes së kryengritjes, pas vendosjes së pushtetit të ri në Kosovë, tash duhej dhënë një formë politike të gjithë kësaj. Tashmë kreu i Partisë kishte vendosur që Vojvodina do të ketë autonomi dhe se baza e autonomisë së Vojvodinës do të jetë historike, se do të jetë përbërja e saj shumëkombëshe dhe kontributi i saj në luftën antifashiste.

Meqenëse Vojvodina kishte një lëvizje relativisht të fortë antifashiste, veçanërisht në vitin e parë të luftës, kurse zgjidhja me Kosovën do të ishte që ajo të ishte një rajon (oblast), një rang më i ulët krahasuar me Vojvodinën, që ajo të ishte një rajon autonom brenda Serbisë dhe tani, natyrisht, përmes një sërë deklaratash vendimesh etj., të atij Kuvendi rajonal në korrik 1945, i legjitimuan, mirëpritën dhe mbështetën të gjitha vendimet e tjera dhe të vetë udhëheqjes së Partisë dhe ku u vendos që Kosova të ishte, të konstituohej, si rajon autonom dhe që si e tillë në atë cilësi të bëhej pjesë e shtetit federativ të Serbisë, që ishte pjesë e Jugosllavisë federative.

Surroi: Janë dy ose tri kuptime këtu. Kuptimi i parë është se bëhet, natyrisht, pas represionit të tmerrshëm vendosja e Administrimit ushtarak, do të thoshte t’i jepej ushtrisë mundësia të “pastrojë terrenin”, siç thoshin ata, dhe, dhjetëra mijëra njerëz u vranë nëpër qytete, Gjilan, Ferizaj, jo vetëm në Drenicë.

E dyta është se po vendosej një rend i ri nën presionin e armës, në fakt, ajo zonë u krijua pa i pyetur qytetarët se çka mendojnë, si u bë, por e bën pushteti që ka armën, por çështja e tretë, e cila vazhdon për 40 a 50 vjet më pas, është fakti se në Prizren u tha: “NE KEMI vendosur të bashkohemi”, dhe ky është në fakt një akt vetëvendosjeje, sepse kur vendos të bashkohesh, atëherë siç e tha një nga delegatët e Kuvendit të Kosovës më 1989: “Siç u bashkuam në Serbi, ashtu do të shkëputemi nga Serbia”, pra, Ruzhdi Bakalli, i cili kishte qenë delegat.

Është një fillim shumë i ulët i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Beshlin: Po, kur flasim për shtypjen, terrorin që po ndodh dhe shtypjen e dhunshme të kryengritjes, në fakt është një vazhdimësi që ishte... pra Administrimi ushtarak ishte....

Surroi: … pas Luftës së Parë Botërore

Beshlin: Dhe gjatë Luftërave Ballkanike, kishte një Administrim ushtarak dhe pas Luftës së Parë Botërore, dhe pastaj pati një Administrim ushtarak, siç thashë, kjo tregon qartë se në fakt...

Surroi: ...mungon ideja politike.

Beshlin: Pikërisht! Se mungon ideja politike dhe se ajo ndryshohet gjithmonë me forcë dhe në thelb e gjithë marrëdhënia, po flasim për Serbinë mbi të gjitha, por natyrisht edhe mes Jugosllavisë dhe Kosovës mbështetej mbi dhunën dhe në mungesë të idesë politike.

Përveç një periudhe që do ta trajtojmë gjatë dy dekadave, midis plenumit të Brioneve dhe mbërritjes së Millosheviqit, kur u bë një përpjekje për të arritur një lloj zgjidhjeje politike, e megjithatë edhe ajo më 1981 ishte në thelb...

Surroi: Kjo është interesante. Kjo periudhë 1945-1948 i rikthehet idesë së vjetër të republikës së shtatë, Shqipërisë. - Po. - A ishte kjo fazë e ndërmjetme për zgjidhje? A është menduar për të?

Beshlin: Mund të kishte qenë. Ata në fakt e donin. Ambiciet e Titos ishin të mëdha.

Surroi: Kjo është ambicia e Titos?

Beshlin Po! E përmendët “Tempon” dhe shtabin e tij ballkanik, tash ideja ishte që edhe Bullgaria dhe Shqipëria të bashkoheshin, dhe kjo është edhe kënga: “Shoku Tito e ka merituar që i gjithë Ballkani i tij, të bëhet pjesë e Evropës”...

Dolën me gati 800 mijë luftëtarë, ajo Ushtri Jugosllave më 1945. Është vërtet një nga forcat kryesore ushtarake në Evropë, disa thonë se ishte ushtria e katërt antifashiste në atë kohë. Pra, ata e mbajnë atë ushtri të mobilizuar kryesisht për shkak të Triestes dhe kufijve perëndimorë, etj., por dua të them se ishin prepotentë, të kurorëzuar me lavdinë botërore si fitues të luftës pas të gjitha atyre epopeve. Jugosllavia u dukej e vogël, Kishin ambicie të mëdha. Dhe Shqipëria u mor disi si e mirëqenë atje, por pastaj iu kthyen Bullgarisë.

Natyrisht, Stalini i ndali të gjitha. E dimë se konflikti me sovjetikët, ndër të tjera, filloi për shkak të asaj ideje...

Surroi:  Me bullgarët, fillimisht, me Dimitrovin.

Beshlin:  Po, me Dimitrovin, por, ndër të tjera, për shkak të çështjes nëse Bullgaria dhe nëse Shqipëria do të bëhen pjesë e federatës jugosllave. Është një koncept interesant dhe në fakt ka të bëjë edhe me Kosovën dhe Vojvodinën, dhe sipas një modeli të ngjashëm, ka pasur shpjegime të ndryshme se cili është faktori legjitimues për konstituimin e autonomisë së rajonit apo të krahinës, por në të vërtetë në njëfarë kuptimi të së drejtës shtetërore është një formulim shumë interesant ku ajo Kuvend e themelon veten në rastin e Vojvodinës si krahinë, në rastin e Kosovës si Rajoni Autonom i Kosovës dhe Metohisë.

Por ka një identitet përfaqësues- Vendos të konstituohet si një lloj autonomie dhe si e tillë vendos, si autonomi, të hyjë në përbërjen e shtetit federal të Serbisë. Është një formulim shumë interesant të cilit i janë rikthyer në të gjitha ndryshimet e mëdha kushtetuese. Dhe në të vërtetë, i gjithë sistemi kushtetues i Jugosllavisë socialiste dhe federalizmi i saj, i cili ishte shumë kompleks, nuk mund të vëzhgohet dhe interpretohet nëse tash merr dhe nxjerr diçka nga Kushtetuta e 1963-tës apo amendamentet e 1974-tës.

Surroi: Është një evolucion.

Beshlin: Pikërisht. Është një evolucion shumë kompleks i cili është një korpus dokumentesh, të cilave ata u referohen vazhdimisht dhe që nënkuptohen, dhe kjo fillon me KNÇ që nga viti 1941, dhe kjo është shumë interesante. Ky është një akt i caktuar i kushtetutshmërisë politike, kështu që do të thosha, ku juridikisht rregulloni veten por fakti është gjithashtu se, pas konstitutimit dhe pas atij vendimi për t’u bashkuar me Serbinë, pra rajoni i Kosovës e Metohisë dhe autonomia e Vojvodinës, ata kërkojnë miratim, përkatësisht konfirmimin nga kreu jugosllav, KAÇKJ-ja, Mbledhjes së tretë, në gusht 1945, ajo mbahet në Beogradin e çliruar, që shndërrohet në Kuvendin e përkohshëm popullor, dhe ajo e jep miratimin.

Surroi:  Në fakt, është Kuvendi Federativ.

Beshlin: Pra s’është vetëm raporti Serbi-Kosovë apo Serbi-Vojvodinë, por ekziston edhe një raport me udhëheqjen federative, sepse Kuvendi federativ, organi përfaqësues jugosllav, jep garanci për këtë dhe pas kësaj, në shtator, Kuvendi i Serbisë, pra kryesia e saj, vendos ta krijojë, në territorin e saj, “Oblastin” autonom të Kosovës dhe Metohisë dhe Krahinën Autonome të Vojvodinës.

Gjë që përsëri ishte në kundërshtim me faktin se Vojvodina dhe Kosova e konstituojnë veten, bashkohen, kërkojnë miratimin e kreut federativ, Kuvendi i përkohshëm Popullor, pra Mbledhja e tretë e KAÇKJ-së ua lejon atyre ta bëjnë këtë... kjo e gjitha ndodh në gusht dhe vetëm në shtator, Kuvendi Popullor i Serbisë, pra kryesia e saj, vendos që në territorin e saj...

Më pas u shfaq kontroversa në debatet e mëvonshme kushtetuese, kush i konstituoi dhe kush ishin bartësit e këtyre dy autonomive? A e konstituojnë veten? Njëmend atëherë nuk flasin për vetëvendosje, etj. Kjo e drejtë padyshim u përket kombeve, që i kanë shtetet e tyre federative, të cilat u përmendën në KAÇKJ, në Mbledhjen e Dytë më 1943, por çështja kontestuese mbetet: se kush i konstituoi autonomitë, nëse ato e konstituuan veten me garancinë e kreut federativ, apo nëse këtë e bëri Kuvendi i Serbisë, me të drejtën, pra, për të disponuar me ato autonomi. Nëse ajo i themeloi ato, atëherë ajo mund t’i shuajë ato.

Më vonë, pikëpamja mbizotëruese ishte e para, pra se autonomitë e konstituuan veten me garancinë e udhëheqjes federative, etj., ashtu siç nuk është rastësi që pas Titos, kur udhëheqja e dobësuar federative dhe kur nuk e kishte më atë legjitimitet politik, në fakt edhe kur Millosheviqi rrëzoi me dhunë autonominë e krahinave, udhëheqja federative heshti.

Dhe kjo ishte në fakt disfata e saj. Ishte disfata e Jugosllavisë.

Surroi: Janë disa kontroversa. E para është se kjo është hera e parë që territori i Kosovës u konstituua në të vërtetë, sepse Kosova nuk ka ekzistuar kurrë si territor. Në Jugosllavinë e parë, ishin Banovina dhe pjesë të banovinave, dhe kjo është hera e parë që Kosova ka territorin e vet. E dyta, ndodh një parakalim, ndodh hyrja e UJ në Kosovë, kundër kryengritjes, por shkojnë edhe dhjetëra mijëra ushtarë në UJ nga Kosova në Frontin e Sremit. Dhe ky parakalim e shpërfaq atë galimatias, ushtarak edhe ligjor, që do ta zvarrisë Kosovën në një krizë për disa vite, në fakt për disa dekada. Sepse ka pasur ide, menjëherë pas luftës, disa nga pjesëmarrësit që folën për këtë, pata folur me ta, ideja fillestare, luhej me idenë që Kosova të ndahet siç ishte e ndarë në Banovinë, që një pjesë t’i përkiste Malit të Zi, një pjesë Serbisë, një pjesë Maqedonisë, dhe që të jetë një lloj zgjidhjeje që Kosova të mos ekzistonte. Kjo ishte e vetmja zgjidhje që e themeloi Kosovën si territor.

Beshlin: Po! Kjo me kufijtë, kufijtë e brendshëm jugosllavë, dhe ishte shumë interesante që nga fillimi, sepse më vonë na u duk disi e natyrshme, ngase të gjithë e dinim se cilat republika dhe krahina ishin, madje kishim një hartë të qartë mendore në kokat tona, jo vetëm se si dukej Jugosllavia, por edhe ku kufijtë e republikave dhe krahinave tregoheshin gjithmonë veçmas në secilën hartë.

Por, më 1945, nuk kishte diçka të tillë. Mbretëria e Jugosllavisë u nda në 9 banovina, pastaj më 1939 u formua Banovina Kroate nga banovinat e Savës dhe Primorjes, por përfshinte edhe ato 6 qarqe të Bosnjë e Hercegovinës. Dhe nuk kishte ide se si do të dukej Banovina Serbe që duhej të formohej e që do të formohej po të mos ishte lufta. Banovina Sllovene supozohej përafërsisht se çka do të nënkuptonte. Këta do të ishin kufijtë historikë të Sllovenisë.

Por askush nuk e nënkuptonte, flas për vitet 1939/1940, kur Qeveria jugosllave, ajo e Mbretërisë, flet për Banovinën Serbe, por askush nuk e përfshin Vojvodinën në atë kohë si, padyshim, pjesë të asaj Banovine Serbe, sepse është thjesht Maçeku kërkoi të shkohej nga Subotica teposhtë, në mënyrë që të ndahej.

Kështu që kur e formojnë, edhe në KAÇKJ, kur bëhet e qartë se cilat do të jenë shtetet federative ende nuk ishin të sigurt për kufijtë e tyre dhe nga do të shkojnë. Në veçanti, ishin kontestuese kufijtë e Serbisë: po çka ndodh me Vojvodinën; Kosovën, Sanxhaku, etj.

Surroi: Por ndërkohë ky fillim i keq vazhdon me Administrimin Ushtarak në Kosovë. Vazhdon me aksionin e mbledhjes së armëve në vitet 1953/1954; shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi.

Ndihet se Jugosllavia e re i ka disa përparësi, po hapen shkolla, shkollat e para në gjuhën shqipe, por ai mentalitet i administrimit me forcë nuk ndryshon.

Beshlin: Po!. Në15 vitet e para në shtetin e ri, kur bëhet fjalë për Kosovën, keni të drejtë, natyrisht që ka disa zhvillime thelbësore siç janë përdorimi i gjuhës, shtypi, shkrim-leximi, shkollat në gjuhën shqipe, etj., por në thelb ende ekziston një mosbesim i madh ndaj Kosovës, ndaj popullsisë shumicë shqiptare në Kosovë, dhe represioni...

Surroi: ...madje edhe ndaj udhëheqësve, udhëheqësve shqiptarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare

Beshlin: Pikërisht. Dhe kulmi i kësaj është natyrisht procesi i Prizrenit, kulmi i tij në vitet 1954-1955, që ishte mbledhja e armëve etj., pati edhe shpërngulje.

Surroi: Procesi i Prizrenit në fakt duhej ta kishte kapur Fadil Hoxhën.

Beshlin: Pikërisht. Dhe ndër të tjera, kur flasim për shpërnguljen, vlerësimet janë diku se rreth 240 mijë emigruan në Turqi, kryesisht në Turqi, jo ekskluzivisht, por që ishte përsëri një numër dukshëm më i madh se numri që u dëbua gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë, kur rreth 100 a 120 mijë popullatë turke dhe tjetër myslimane u dëbuan nga Kosova. Këtu janë dëbuar dy herë më shumë njerëz.

S’ishte spastrim etnik klasik, siç do ta parafytyronim sot, por ishte nxitje, dhe ata vetë, e kam gjetur gjeta në disa dokumente, me një çast atëherë pyetën veten: “A mos po e inkurajojmë shumë këtë shpërngulje? Në mos duken këto masa diskriminuese?”

Surroi:  Në cilat dokumente? Partiake?

Beshlin: Po në dokumentet partiake, por gjithsesi, kulmi i kësaj ishte Procesi i Prizrenit. Në fakt do të mësojmë për përmasat e Procesit të Prizrenit, për përmasat e represionit në Kosovë, i cili arriti kulmin diku në mesin e viteve 1950, që është mjaft interesante, sepse në atë kohë represioni po binte në pjesën tjetër të vendit.

Ishte një valë represive në Jugosllavi kudo pas vitit 1945, me vendosjen e pushtetit të ri. Më e madhja ishte në Kosovë, e thamë këtë, por gjendej gjithandej Pushteti i ri u vendos ende me forcë dhe ishte e nevojshme të institucionalizohej një revolucion.

Surroi: Pastaj është Informbyroja.

Beshlin: Vijon viti 1948, IB-ja, ku përsëri ka valë të re represioni ndaj anëtarëve të IB-së, dhe ku paranoja bazohet me të drejtë, në frikën e agresionit sovjetik, Stalinit, etj.,

Dhe pastaj kemi vitin 1953, vdekjen e Stalinit, afrimin me sovjetikët.

Surroi:  Hrushçovi

Beshlin: Hrushçovi vjen në Beograd më 1955; “Deklarata e Beogradit” më 1956, “Deklarata e Moskës...” në njëfarë mënyre tensioni po ulet, por në të njëjtën kohë në Kosovë, në fakt nuk është kështu.

Surroi: A është vendim politik, apo shkon me inerci?

Beshlin: Nuk di për ndonjë vendim politik ku dikush ka thënë se kjo do të jetë kështu, por do të flasim për atë që më vonë, ajo që iu vu, me të drejtë, në barrë Aleksandar Rankoviqit, i cili megjithatë është një njeri kyç në aparatin e sigurisë dhe që kontrollon aparatin policor.

Surroi: Duke nisur me OZNËN e tutje.

Beshlin Ashtu është, sigurinë publike dhe shtetërore. Kjo i vihet në barrë atij, e për këtë flasim te Plenumi i Brioneve por është e pamundur që Partia, dhe udhëheqja e shtetit të mos ketë ditur për këtë.

Surroi: Tito duhej ta dinte këtë.

Beshlin: Jam i bindur për këtë, se absolutisht duhej të dihej dhe se nuk u bë thjesht... tash mënyra se si Rankoviqi ia paraqiti këtë Titos, këtë nuk e di atë nuk kam mundur ta hetoj nga dokumentet, por që udhëheqja e partisë dhe e shtetit duhet të ketë qenë në dijeni për represionin... se a i ka ditur përmasat, karakterin diskriminues vetëm ndaj një pjese të popullsisë në Kosovë, nuk e di, por them se do ta mësojmë përmasat vetëm pas Plenumit të Brioneve.

Në vitet 1953/1954 u riciklua diçka që Çubrilloviqi e kishte paralajmëruar në vitet 1938/39. Ideja e tyre nuk është që njëmend të kryejnë spastrim klasik etnik, por në fakt është përhapje e paranojës se shqiptarët janë element jobesnik ndaj shtetit, se janë kundërrevolucionarë, etj.

Surroi: Dhe se mund të flasësh me ta vetëm me forcë.

Beshlin: Se gjërat mund të zgjidhen vetëm me forcë. Është e mundur që edhe udhëheqja e partisë të mos e dinte plotësisht përmasën e represionit. Sepse mënyra se si reaguan të gjithë kur çështja u hap pas Plenumit të Brioneve mund të dëshmojë për faktin se ata mund të mos e kenë ditur plotësisht, por se Kosova ishte trevë a njësi nën mbikëqyrje të veçantë, nuk ka dyshim se të gjithë e dinin dhe e miratuan këtë.

Dhe pastaj është Plenumi i Brioneve.

Surroi: Por para Plenumit të Brioneve, ndodhën ndryshime kushtetuese më 1963...

Beshlin: Pikërisht, më 1963, në fakt, u hartua Kushtetuta e re. Në fund të viteve ‘50, Jugosllavia po hynte tashmë në një krizë, përkatësisht, u mbështetën për mur, në zhvillimin politik dhe ekonomik.

Së pari, u përballën me një problem ekonomik sepse modeli i mëparshëm i zhvillimit, i cili bazohej në kontrollin shtetëror, në entuziazmin e konsiderueshëm që ndodh Aksioneve vullnetare punuese, punës pa pagesë e të rinjve, është në rënie.

Surroi: Dhe gabime të mëdha si shpengimi, që goditën Vojvodinën, Kroacinë...

Beshlin: Natyrisht, kjo është e vërtetë, me sa kjo është e vërtetë, me sanksionet që u vendosën në fund të viteve ‘50 nga partneri kryesor i tregtisë së jashtme, Gjermanisë Perëndimore, kur Jugosllavia e njohu Gjermaninë Lindore, e gjithë kjo shkaktoi krizë të konsiderueshme ekonomike në vend. Duheshin bërë reforma.

Para së gjithash, duhej të bëhej reforma ekonomike. Kështu filloi reforma e vogël ekonomike nga viti 1961, që Tito do ta ndalonte me fjalimin e Splitit më 1962, dhe më pas filluan debate serioze rreth faktit se edhe federalizmi jugosllav duhet t’i nënshtrohet reformës, se shpërndarja e  të mira përbrenda vendit nuk u bë në mënyrë të drejtë, se të drejtat e të gjithëve nuk u plotësuan, se çështja kombëtare nuk u zgjidh siç besohej dhe se duhej të evoluonte më tej.

Pastaj u mbajt seanca e famshme e Komitetit Ekzekutiv të Partisë më 1962, kur ndodhi përplasja serioze pas dyerve të mbyllura dhe kur dy vija nisën të dalloheshin, ajo reformiste e Kardelit, e cila mbështet decentralizimin e mëtejshëm, siç do të thoshte Bakariqi, “federalizimi i federatës”, dhe për reforma të mëtejshme ekonomike, dhe kjo tjetra, centraliste konservatore antireformiste e Rankoviqit. Tashmë ishte e qartë atje. Tito e ofroi dorëheqjen; pastaj ndodhi plagosja e Kardelit gjatë gjuetisë, dhe shkuarjen e tij në Britani për trajtim, i cili çuditërisht zgjati shumë. Konfliktet ishin serioze brenda tyre.

Kushtetuta e re e vitit 1963 ishte rezultat i një kompromisi midis rrymave konservatore dhe reformuese si dhe mes rrymave centraliste dhe federaliste, t’i quajmë kështu. Vetëm kushtimisht duhet marrë si personifikime të Kardelit dhe Rankoviqit, dhe sipas Kushtetutës së re, ku republikat morën dukshëm më shumë të drejta dhe ku u theksua shtetësia e tyre, ndër të tjera, Kosova s’është më rajon dhe barazohet, ende quhet Kosovë e Metohi, bëhet një krahinë autonome si Vojvodina, dhe aty barazohet në të vërtetë statusi i tyre.

Kjo ndodhi më 1963. Më 1964, u mbaj Kongresi i 8-të, ku kreu i partisë për herë të parë e hap publikisht çështjen kombëtare dhe thotë se ajo nuk është zgjidhur dhe se duhet të lëvizet... dhe ky është në fakt fillimi i të gjithë dekadës së reformave, nga fillimi i viteve ‘60 deri në fillim të viteve ‘70, ajo dekadë në të cilën segmentet e shtetit dhe të shoqërisë do t’u hapen një nga një ndryshimeve dhe reformave.

Komunistët jugosllavë gjithmonë i ka karakterizuar fakti që, siç thashë, ishin në gjendje të shikonin në mënyrë kritike punën e tyre të mëparshme dhe të ndryshonin në një masë të madhe qëndrimet e tyre të mëparshme. Pra, më 1964 kemi Kongresin e 8 dhe hapjen e çështjes kombëtare, tash publikisht...Por kjo nuk do të thotë se Plenumi i Brioneve ndodh për këtë. Të gjitha këto elemente janë... pastaj më 1965, Kuvendi Federativ e miraton të gjithë atë pako shumë komplekse ligjesh ekonomike të, që më vonë do të njiheshin si Reforma Ekonomike, Reforma e madhe Ekonomike, që deri atëherë qe përpjekja më e madhe dhe më e rëndësishme, më e gjera për ta reformuar sistemin ekonomik në një vend socialist ku, në fakt, u bë një përpjekje për të krijuar një sinkretizëm midis asaj që do të ishte socializmi dhe asaj që do të ishte tregu.

E kuptojnë se janë joefektivë, se nuk mund të marrin masa të mjaftueshme, janë joproduktivë, se socializmi thjesht do të jetë i pasuksesshëm nëse bëhen reforma serioze të sistemit ekonomik. Dhe këtu, përpiqen t’i përvetësojnë ato që janë në thelb elemente kapitaliste: produktivitetin, efikasitetin, tregun, konkurrueshmërinë në treg, por nga ana tjetër, karakteri socialist i të gjithë sistemit ekonomik ruhet me pronën shoqërore dhe vetëqeverisjen...

Surroi: Vetëqeverisja ndërtohet mbi këtë... Kardeli...

Beshlin: Po. Pra, është një përpjekje për të sinkretizuar vërtet elemente të ndryshme duke i ruajtur këto karakteristika kyçe socialiste.

Dhe pastaj erdhi Reforma Ekonomike, dhe kur filluan të ndërmerrnin këtë reformë shumë të gjerë, e kuptuan se që kjo reformë të kishte sukses, ishte më gjithëpërfshirëse dhe e menduar më mirë se ajo e 1961-tës, e kuptuan se duhej bërë reformë në shtet dhe Parti, dhe se s’mund të ngujohej e gjitha në ekonomi. Dhe aty hasën te faktori kyç çrregullues, në pengesën kryesore për reforma të mëtejshme të thella, dhe ai ishte Rankoviqi.

Në korrik të 1966, në Brione, mblidhet udhëheqja federative. Del akuza për përgjimin e Titos.

Surroi: Tingëllon si të ishte detonatori.

Beshlin: Ky ishte shkasi që në situatën e një sistemi autoritar dhe të mbyllur, ku Rankoviq kishte pushtet shumë të madh, ai jo vetëm që ishte formalisht njeriu numër dy, Nënkryetari i shtetit, ky funksion u përcaktua me Kushtetutën e 1963, ai ishte Nënkryetari i shtetit, de facto njeriu i dytë; konsiderohej pasardhësi i Titos, por shumë më tepër se kaq: ai ishte Sekretari organizativ i Partisë, ai e kontrollon Partinë në thellësi dhe është kontrolluesi thelbësor i shërbimeve sekrete jugosllave, këtyre civile e jo ushtarake.

Surroi: Pra, ai kontrollon Partinë dhe Shërbimin, edhe UDB-në.

Beshlin: Këto janë dy gjërat më të rëndësishme. Në rrethana të tilla, nuk mund të bëhej debat ideopolitik, e të hapej publikisht,  e të zgjaste shumë sepse ata ishin disi të shqetësuar për të gjitha ato mekanizma që Rankoviqi mund të përdorte.

Kishin nevojë për një akuzë tronditëse, për një grusht shteti të shpejtë partiak, ashtu që ta përfundonin sa më shpejt të ishte e mundur dhe u gjet një arsye në të gjitha këto. Ishte krejtësisht e parëndësishme tash nëse kishte a nuk kishte, nëse kabllot u shtrinë në vilën e Titos, thuhej po, por nuk u vunë në funksion. Të gjitha këto janë të parëndësishme.

Në një sistem autoritar, ishte një njeri që kishte përqendruar shumë pushtet, dhe në fakt duhej gjetur disi një arsye të këtillë dhe se ai në fakt e sulmoi autoritetin e Titos, sepse në thelb, çdo konflikt në Jugosllavi zgjidhet gjithmonë mbi çështjen e autoritetit të Titos dhe legjitimitetit të tij të madh që vjen nga lufta. Dhe kjo ishte shkasi.

Shkaqet, në fakt, ishin shumë më të thella; shkaqet hapen tashmë në Brioni, e që janë arsyet e vërteta për shkarkimin e Rankoviqit, e në esencë, ishte kundërshtimi ndaj kursit të reformës që nis më pas në ekonomi, në shtet dhe decentralizim, dhe në Parti, gjë që është shumë e rëndësishme, është shumë e rëndësishme që ata në Brioni menjëherë pas shkarkimit të Rankoviqit e formojnë Komisionin për Reformën dhe Riorganizimin e Partisë.

Së pari, Tito kishte frikë se shkarkimi i Rankoviqit do të kishte një lloj toni antiserb prandaj dy serbë do ta zëvendësonin në shtet dhe në parti. Për nënkryetar do të vinte Koça Popoviq, që nuk do të qëndrojë atje për shumë kohë, por ka ardhur, një njeri gjithashtu me autoritet dhe reputacion të madh.

Surroi: Dhe krejt ndryshe nga tjerët: intelektual, luftëtar në Spanjë, vizionar, gjuha e tij e parë ishte frëngjishtja, deri atëherë, ministër i Jashtëm shumë mirë i pranuar, veçanërisht në SHBA, kur ndodhi Triestja, armët nga Amerika mbërritën nëpërmjet Koçës dhe njerëzve të afërt me të...

Beshlin: Pra, profil politik krejtësisht i kundërt me atë të Rankoviqit, dhe në vendin e Rankoviqit në Parti vjen Mijallko Todoroviq “Plavi“ (i kaltri), gjithashtu një intelektual, një reformist, një nga ata të ashtuquajturit serbë federalistë, siç quheshin, ata kuadro pro-serbë të orientuar nga demokracia, nga reformat, që kishin një reputacion të madh dhe që, për shkak të hijes së madhe të Rankoviqit që ndihej më së shumti në Serbi, thjesht nuk kishte vend për ta në Serbi në atë nomenklaturë politike, por ata ishin në udhëheqjen federative.

Kryesisht po mendoj për Koçën, Mijallko Todoroviqin dhe Millentije Popoviqin, i cili më vonë do të bëhej kryetar i Kuvendit Federativ ku edhe do ta përfundonte jetën më 1971.

Në Brione e formojnë Komisionin për reformën dhe riorganizimin e Partisë. Me këtë, ata donin të tregonin se cili është kuptimi i vërtetë i zëvendësimit të Rankoviqit, që vetë Partia, shteti dhe shoqëria kanë ndryshuar, pra edhe Partia duhet të ndryshojë.

Ai komision drejtohej nga Mijallko Todoroviq.

Surroi: Kurse Komisionin për Rankoviqin e udhëhoqi Kërsto Cërvenkovski,

Beshlin: Në thelb, ai Komision dëshmoi se kabllot kishin ekzistuar, porse që mbase përgjim s’ka pasur Kjo përfundoi me abolicion. Në fund të atij viti, Kuvendi Federativ në fakt e shfuqizoi Rankoviqin dhe kjo ishte fundi i gjithçkaje.

Por ky komision, për të cilin në fakt nuk dihet shumë, sepse publiku foli më shumë për atë komision të Kërsto Cërvenkovskit, i cili në thelb dhe thellësisht nuk ishte veçanërisht i rëndësishëm politikisht.

Shumë më i rëndësishëm ishte komisioni për të cilin dihej shumë pak. Ky është Komisioni për reformën dhe organizimin e Partisë, sepse për 3 vjet, në fakt, deri në Kongresin e 9-të të Partisë më 1969, përgatiti dokumente dhe ide, ndër të tjera, e di që Latinka Peroviq ishte anëtare e atij Komisioni, natyrisht që kishte anëtarë nga të gjitha republikat dhe krahinat, dhe ata në fakt përgatitën një masë dokumentesh shumë të rëndësishme.

Kryesisht bazuar në to parime, u përgatit i gjithë Kongresi i 9-të i Partisë në mars të 1969-tës.Megjithatë, ato që ishin shtrirjet kryesore të atij Komisioni për sa u përket ideve se si të reformohej Lidhja e Komunistëve si një parti monopoliste, Tito prapë i refuzoi, sepse tha, “është shumë, është e pakuptimtë dhe nuk mund të shkojmë aq larg”. Por, prapëseprapë, Komisioni ishte i rëndësishëm sepse një pjesë e madhe e ideve për ta reformuar Partinë hyri në dokumentet e Kongresit të 9-të, gjë që nuk është pa rëndësi kur përmendim këtë Kongres sepse atëherë në fakt vetë Partia federalizohet.

Deri atëherë, gjithmonë ekzistonte Kongresi federativ dhe ai i përcaktonte parimet themelore, kuadrot, etj., dhe ato më pas zbatoheshin nga Partitë republikane. Për herë të parë më 1968 dhe në fund të 1968-tës, ndodhi që kongreset e partive republikane u mbajtën të parat, që ato emëruan kuadrot kyç, që njerëz me autoritetin më të lartë të vijnë në pozicione kyçe dhe më pas ajo që do të ishte mbledhja e bindjeve dhe ideve të tyre politike do të shkonte në Kongresin federativ, që do të pasonte pas atyre republikane.

Dhe një gjë tjetër që ishte gjithashtu shumë e rëndësishme, dhe do të ndalemi te kjo, është se më 1968, u krijuan në fakt Lidhjet Komuniste të Kosovës dhe Vojvodinës, si rezultat, ndër të tjera, i decentralizimit të shtetit.

Por le të kthehemi te Plenumi i Brioneve. Shkarkimi i Rankoviqit që u bë në kreun federativ, në korrik të 1966, tash, ta lëmë mënjanë argumentin e përgjimit, u bë për shkak të kundërshtimit të reformës, pengimit të reformave, të përpjekjes për decentralizimin e shtetit, për reformimin e partisë, dhe aty u ndal. Aty nuk përmendet Kosova. Argumenti i Kosovës nuk përmendet, që ishte, si ta them, krimi i tij në nivel jugosllav, në rrafshin jugosllav, dhe ky ishte muaji korrik.

Shkuan në pushime, por komunistët serbë atëherë, pra LKS, po e përgatiste seancën për vjeshtën, pra fundin e verës së vitit 1966, kur duhet të hapë argumentin serb për shkarkimin e Rankoviqit dhe kjo ishte Kosova.

Kështu arrijmë në Mbledhjen e famshme të 6-të të LKS, në shtator, 15-16 shtator 1966, ku hapet krimi i Kosovës që lidhet me Aleksandar Rankoviqin.

Surroi: Dhe ky është pikërisht çasti kur duhet të ndalemi, në mënyrë që në këtë formë dramatike të mund të kalojmë në javën e ardhshme kur do të flasim për këtë, në fakt për mënyrën se si komunistët serbë e vërejtën se çka po ndodhte me Rankoviqin, çka ishte për ta, deri atëherë, Kosova nën Rankoviqin.

Beshlin: Faleminderit!

Përktheu dhe përshtati: Flaka Surroi